Shqipëria provon sot ndaj Italisë, në një ndeshje për rekorde

537
Sigal

Një Shqipëri gjithmonë në rritje, një Shqipëri çdo ditë e më e vlerësuar, një Shqipëri që po grumbullon rreth vetes respektin e kundërshtarëve dhe për më tepër, një Shqipëri që është pretendente me të drejta të plota për të qenë pjesë e një prej kompeticioneve më të mëdha sportive në botë, Kampionatit Europian. Por deri atëherë, do edhe shumë kohë, ndërsa aktualiteti është ndeshja e sotme ndaj Italisë.

Miqësorja që do të zhvillohet sot, i sjell këto dy skuadra në barazi të plotë rezultatesh ndaj ndeshjeve paraprake që luajtën, Shqipëria barazoi me Francën në miqësore, ndërsa edhe Italia barazoi me Kroacinë, në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2016”. Por rezultatet e mëparshme nuk kanë si ndikojnë aspak në ndeshjen e sotme, të paktën për Shqipërinë që kërkon të marrë përsëri një rezultat pozitiv ndaj kundërshtarit të radhës, rezultat që nuk jep pikë por vlen më së shumti si rritje morale për një skuadër që gjithmonë është nënvlerësuar nga kundërshtarët. Ndeshja e sotme kishte kohë që rrotullohej në kokën e trajnerit De Biazi, por që mori vlerësimin dhe miratimin e të dy Federatave vetëm pak muaj më parë, duke realizuar kështu të parin takim të luajtur ndonjëherë mes këtyre dy skuadrave, qoftë për kualifikuese apo edhe miqësore e thjeshtë. Dje, kuqezinjtë zhvilluan një seancë stërvitore në ora 10:30, në Milano, nga ku janë të akomoduar që të shtunën për shkak të motit të keq që ishte në Xhenova. Në fakt, kuqezinjtë e kanë para sysh formën dhe stilin e lojës së italianëve, pasi ishin duke i ndjekur nga stadiumi këta të fundit, në ndeshjen që zhvilluan ndaj Kroacisë ditën e diel. Trajneri De Biazi është shprehur shumë optimist për këtë takim, duke shprehur madje se në ndeshjen ndaj Italisë ai nuk është italian por është shqiptar por që gjithsesi duhet të tregohen të matur dhe të luajnë me shumë përulësi. Në fakt kjo miqësore u arrit falë edhe paraqitjeve shumë të mira të Shqipërisë në ndeshjet e fundit duke fituar një vlerësim më të madh nga skuadrat e tjera dhe nga opinioni ndërkombëtar gjithashtu, ku përmendim trajnerin Konte që u shpreh për Shqipërinë se ishte një skuadër e fortë dhe një test shumë i mirë për skuadrën që ai drejton, por gjithashtu edhe barazimi ndaj Francës shfaqi qëndrimin e ndryshuar për Kombëtaren ku mund të kujtojmë fjalët e “mirëseardhjes” që gazetarët francezë i adresuan Shqipërisë për praninë që do të ketë në “Euro 2016”. Forma jo shumë e mirë që ka Italia, të lë të mendosh se fitorja nuk është diçka e pamundur ndaj Italisë, por qëllimi kryesor i kësaj ndeshjeje nuk është rezultati sa ç’ është fitimi i përvojës në ndeshje të tilla ndaj skuadrave që kanë bërë emër në këtë sport.

 Formacionet e mundshme, Shqipëria nuk ndahet nga 4-5-1

Nuk pritet ndonjë ndryshim i madh në formacionin që De Biazi do të hedhë në fushë, pasi kujtojmë që në ndeshjet e fundit ka ndjekur të njëjtën skemë por edhe në fushë ka hedhur pothuaj të njëjtët futbollistë, me vetëm sulmuesin që është ndryshuar ndeshje pas ndeshje. Mbrojtja e Shqipërisë ka treguar se është shumë e qëndrueshme dhe në shumë raste e pakalueshme, me Hysajn dhe Agollin nga krahët ndërsa në qendër të përhershmit Mavraj dhe Cana. Mesfusha e “mbipopulluar” pritet të jetë përsëri pjesë e skemave të De Biazit, që deri më tani ka treguar me të vërtetë se mund të thyejnë aksionet e kundërshtarëve dhe mund të ndërtojnë kundërsulme shumë të rrezikshme. Përsa i përket sulmit, dilema ngelet në mes Balaj dhe Cikalleshi, futbollistë që janë aktivizuar në ndeshjet e fundit dhe kanë qenë korrekt në detyrat që trajneri ju ka dhënë. Italia, nga ana tjetër, nuk pritet të luajë me formacionin e dytë, siç ishte shprehur Konte, pasi një tjetër rezultat jo pozitiv në harkun kohor të tre ditëve nuk do të ishte diçka e pëlqyeshme as nga tifozët por as nga drejtuesit e skuadrës.

 Dhjetë ndeshjet e fundit për të dyja skuadrat

Duke qenë se Italia me Shqipërinë nuk janë ndeshur asnjëherë bashkë, krahasimi në këtë pikë mungon, por përsëri mund të krahasohet ecuria e të dy skuadrave në 10 ndeshjet e fundit për secilën ku Italia ka 6 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, ndërkohë Shqipëria ka 3 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje. Si humbje, nga statistikat, numërohet edhe ndeshja me Serbinë që ju dha fitorja në tavolinë nga UEFA. Pra duke shmangur atë ndeshje, që vetëm e përfunduar nuk mund të quhet, bilancin e humbjeve e kemi të barabartë, nga dy për secilën.

 Lenjani në formacionin e javës në Europë

 Nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë paraqitja shumë e mirë që bëri Shqipëria ndaj Francës, por siç dihet paraqitjet bëhen në grup por ka edhe individë që dallojnë dhe një nga këta ishte Ermir Lenjani, futbollisti kuqezi që e pati shumë të lehtë të bënte rrëmujë në mbrojtjen franceze, duke i shmangur me lehtësi ata për të krijuar aksione të rrezikshme para porte. Ky vlerësim vjen për futbollistët e të gjitha skuadrave që morën pjesë në kualifikueset dhe në miqësoret e zhvilluara në mesjavë dhe fundjavë. Bashkë me Lenjanin në formacion ishte edhe një shqiptar tjetër, por që nuk aktivizohet për Kombëtaren kuqezi, por për atë helvete, Xherdan Shaqiri. Shaqiri luajti një ndeshje mbresëlënëse ndaj Lituanisë duke shënuar dy herë dhe asistuar një herë.

Trajneri Deshamps, Shqipëria do të jetë në Europian 

Duket se ndeshja ndaj Shqipërisë nuk i ka lënë shije të mirë trajnerit francez, përsa i përket lojtarëve të vet, por përsëri nuk ngurron të bëjë një deklaratë shumë pozitive në drejtim të Shqipërisë, duke thënë se nuk e prisnin kurrsesi që Shqipëria të ishte e atij niveli ndaj tyre, dhe se atij kjo skuadër i ka krijuar bindjen se do të jetë në Europian: “E dija qe nuk do ta kishim të lehtë me Shqipërinë, por kurrsesi nuk e mendonim që mund të ishin aq të përgatitur. Kam bindjen se ata do të jenë në Europian, pasi ishte shumë e vështirë ti çaje në mbrojtje, por njëkohësisht ishin “vrastar” në sulm dhe të vinin në vështirësi sa herë që të sulmonin”. Kjo deklaratë u bë dje nga trajneri francez në një emision ku e kishin ftuar, duke u  ndalur mbi të gjitha tek ndeshja ndaj Shqipërisë dhe rezultati në atë ndeshje.