“Shpresoj që të mos helmoheni”

926
Sigal

Xhani De Biazi, në rolin e kuzhinierit, gatuan për gruan dhe vajzën në Itali

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, u shfaq në një rol të pazakontë, jo i veshur me tuta si gjatë seancave stërvitore, apo me kostum sportiv gjatë ndeshjeve, por në rolin e një kuzhinieri. Italiani postoi një foto në faqen e tij në rrjetin më popullor social, “Facebook”, ku shfaqej duke gatuar për njerëzit e shtëpisë së tij. “Ja ku jam në kuzhinë… I impenjuar për të gatuar për të gjithë familjen! Pas një mëngjesi të tërë në kuzhinë… le të shpresojmë se kam bërë diçka të mirë dhe shpresoj të mos helmohet askush… Krishtlindje të Mbara!!!, shkruante De Biazi. Nuk mungojnë as reagimet “provokative”. “Xhani, por gatuan kundërshtarët e Kombëtares tënde (Shqipërisë). Përshëndetje nga Vitorio Veneto”. “Shefi i madh! Xhani është i një kategorie tjetër! Mirko Karleti”. Edhe një përshëndetje tjetër prej teknikut të kuqezinjve, kjo më shumë kushtuar tifozëve shqiptare dhe miqve të tij në vendin tonë. “Krishtlindje të mbara për të gjithë ju miqë e mi. Ju përqafoj në mënyrë ideale nga një, duke iu uruar ta festoni këto ditë feste me një qetësi të madhe”, – shkruante De Biazi, duke shkruar madje dhe në shqip: “Gëzuar Krishtlindjet!!!” Për festën e Krishtlindjes nuk munguan as urimet e trajnerëve apo futbollistëve të ndryshëm. Trajneri i Luftëtarit, Edi Martini, madje e lidhte festën edhe me datën 21 dhjetor, pra të “ashtuquajtur” dita e fundit e botës. “Ej miq data 21 na e mori te keqen, shijoni festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri sa më mirë të jetë e mundur. Gëzuar dhe për shumë mot gëzuar të gjithëve, katolik mysliman ortodoks. Gëzuar të gjithë shqiptarëve!”. Edhe ish-trajneri i Kombëtares U-21, Artan Bushtati, publikoi urimin e tij në “Facebook”. Nuk mungon urimi i kapitenit të Vllaznisë, Elvin Beqiri. Në rolin e “babagjyshit” të ri, presidenti i Flamurtarit, njëherësh edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, shpërndau dhurata për fëmijët. Urime për një vit të mbarë futbollistik uroi edhe agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia: “Urime për Krishtlindje të qeta dhe një vit të ri të gëzuar me shenjën e futbollit”. Mesazhe urimi agjenti tjetër i FIFA-s, Mario Cenolli, dhe menaxheri Ilir Halili.

 Një skuadër “Primavera” shqiptare pushton Italinë

 Në Itali jemi mësuar të shohim në piacën e Serisë A, mesfushorin Lorik Cana te Lacio; sulmuesin Erjon Bogdani te Siena dhe portierin Samir Ujkani te Palermo, por në Itali ekziston një skuadër e tërë shqiptare te kampionati “Primavera”, apo i të rinjve. Janë të shumtë lojtarët e rinj që dallohen në vendin fqinjë dhe kanë fituar respektin e klubeve, trajnerëve dhe skauterve të moshave, të cilët i ndjekin me vëmendje. Tri ditë më parë, Elvis Kabashi lojtar I Juventusit në Serinë A, i paguar për shumën rekord prej 1.8 milionë eurosh shënoi dy gola në Kupën e Italisë për të rinjtë duke kualifikuar skuadrën e tij në gjysmëfinale. Kohët e fundit, Thomas Strakosha që kaloi te Lacio vetëm pak muaj më parë po thirret përherë e më shpesh me nofkën “portierone”, një fjalë që nuk gjen korrespondente në shqip, por që me fjalë të tjera ka kuptimin “superportier”. Dy shtyllat e U-19 të Shqipërisë në eliminatoret e fundit, po shkëlqejnë në kampionatin e Serisë A për të rinj, por ata nuk janë vetëm. Janë thjesht dy mes një kolonie të vogël kuqezinjsh që kanë arrituur të kapërcejnë disa barriera dhe po vrapojnë drejt qëllimit final: një kontratë profesioniste në futbollin që vlen, në Serinë A. Paulo Sokoli, mbrojtësi i ri shqiptar i Xhenoas, është vetëm 17 vjeç, por lojtari i Kombëtares U-17 të Shqipërisë, i lindur në Velipojë, ka fituar statusin e një lojtari me autoritet, duke qene një titullar i padiskutueshëm te të rinjtë e Xhenoas. Paulo Sokoli vleresohet si një nga më të mirët në rolin e tij në kampionatin e Primaverës. Po te Xhenoa luan edhe shkodrani Ndue Okseti, edhe ky një ndër të besuarit e trajnerit Kiapino Luka. Lezhjani Tom Syku, mbrojtësi i Udinezes, është një emër i njohur në vendin tonë (luajti tri ndeshje me Kombëtaren U-19, në eliminatoret e Kampionatit Europian), por dhe një mbrojtës i pazëvendësueshëm për trajnerin e tij te Primavera e Udinezes, Luka Matiusi, skuadra merr pjesë në grupin B të kampionatit të Primaverave. Një lojtar me personalitet të krijuar qysh tani është dhe mesfushori durrsak Enes Hoxha (edhe ky i U-19), shpeshherë realizues i golave të jashtëzaknshëm. Të dy shqiptarët kanë bërë figurë të mirë, veçanërisht në ndeshjet kundër homologëve të tyre të Milanit, Interit, Bolonjës, Çezenës. Tomas Strakosha, djali i legjendës Foto Strakosha, ka fituar një vend titullari të padiskutueshëm të Primavera e Lacios, madje Tomasi i talentuar stërvitet shpesh edhe me ekipin e parë, ku aktivizohet Lorik Cana. “Strakosha Junior” konsiderohet nga Lacio si një investim serioz për të ardhmen, madje klubi bardhekaltër ku drejtor sportiv është Igli Tare fitoi dhe një duel në distancë me rivalin e madh, Romën, duke ia marrë portierin nga Panionosi. Cilësitë e Tomasit të ri, por me një të ardhme të ndritur, janë vënë re nga të gjithë ekspertët e moshave në Itali. Te Lacio luan edhe mbrojtësi 18-vjeçar, Amir Bilali, edhe ky shpesh herë i përmendur pozitivisht në kronikat e ndeshjeve. Listën e kompletojnë mesfushori Tanasin Kosova i Viçencës (17 vjeç); sulmuesi Albi Shahini i Padovës (18 vjeç); mbrojtësi Harrallam Qaqi i Varezes (19 vjeç); sulmuesi Eneo Gjonaj i Barit (17 vjeç); mesfushori Rejhan Kacka i Grosetos (17 vjeç).

LOJTARËT SHQIPTARË

 Sokoli, Paulo Xhenoa 17 vjecc mbrojtës

Okseti, Ndue Xhenoa 18 vjecc mbrojtës

Syku Tom Udineze 17 vjeç mbrojtës

Hoxha, Enes Udineze 17 vjeç, mesfushor

Kacka, Rejhan Groseto 17 vjeç, mesfushor

Tafaj, Irisjan Siena 18 vjeç Sulmues

Strakosha Tomas Lacio 17 vjecc Portier

Bilali Amir     Lacio 18 vjecc Mbrojtës

Kosova Tanasin Viçenca 17 vjecc Mesfushor

Gjonaj Eneo     Bari 17 vjecc Sulmues

Shahini Albi Padova  18 vjecc Sulmues

Qaqi Harallamb Vareze 19 vjecc Mbrojtës

 Portieri i Elbasanit renditet në vendin e 44-t në botë nga 481 portierë, italiani i 97-ti

 Rekordi i minutave pa gola, Bujar Gogunja mund Dino Xofin

 Duket e pabesueshme, por tetë portierë shqiptarë janë përfshirë në listën e 481 gardianëve nga e gjithë bota, që e kanë ruajtur më shumë minuta pa prekur portën. Në listën e përzgedhur dhe të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar i Statistikave dhe Historisë në Futboll, IFFHS, partner zyrtar i FIFA-s dhe UEFA-s, figurojnë portierët Bujar Gogunja (Elbasani), Kujtim Shtama (Teuta), Raqi Pisku (Partizani), Dodë Tahiri (Vllaznia), Qemal Vogli (Dinamo), Xhevair Kapllani (Teuta), Anesti Arapi (Flamurtari) dhe Foto Strakosha (Dinamo). Është një listë ku marrin pjesë kampionë bote si Dino Xof, kampione të Europës si Lev Jashin, fitues të Ligës së Kampioneve si Petër Shmajkel dhe Petër Ceh. Të figurosh midis atyre emrave është një nder i veçantë. Rekordin e mban Geraldo Pereira “Mazaropi”, Vasko da Gama, Brazil, me 1816 minuta  pa pësuar gol, periudha: 18/05/1977-07/09/1978.

GOGUNJA – Ish-portieri i shquar elbasanas renditet në vendin e 44-t në botë, duke lënë pas një emër të rëndësishëm të futbollit çek dhe atij europian, Petër Ceh (i 45-ti, 1025 minuta), kampion i Europës me Çelsin, por dhe emra të tjerë të çmuar të katërkëndëshit. Kampion i Shqipërisë për herë të parë me Labinotin e Elbasanit (sot Elbasani) në sezonin 1983-1984, duke dhënë një kontribut të çmuar në skuadrën verdheblu. Gogunja e ka mbrojtur të paprekur portën e tij për 1.037 minuta rresht nga pësimi i golit, prej 11 dhjetorit 1983 deri më 13 maj 1984, pra, plot gjashtë muaj. Atë sezon Labinoti fitoi titullin kampion, me 37 pikë, 3 më shumë se Tirana. Ishte një sezon me 14 skuadra, dhe Labinoti me Gogunjën në portë pësoi 4 gola, ndërkohë që ishte Tirana ajo që pësoi më pak, 2, por aktivizoi disa portierë. Labinoti e fitoi kampionatin duke regjistruar në 26 ndeshje, 15 fitore, 7 barazime dhe 4 humbje. 26 gola të shënuar dhe 4 të pësuar.

TË TJERËT – Përveç elbasanasit Gogunja, në listë janë dhe gjashtë portierë të tjerë shqiptarë në listën e gjatë të hartuar nga IFFHS-ja, ku mbizotërojnë gardianë nga Çekia, Belgjika, Holanda, Brazili, Franca, Spanja, Serbia, Bullgaria, Tunizia, Qipro, Skocia, Kuvajti, Argjentina, Turqia, Letonia, Azerbajxhani, etj. Kështu, në vendin e 87-të renditet gardiani i Teutës së Durrësit Kujtim Shtama. Ky i fundit gjatë sezonit 1993-1994 nuk pësoi gol për 927 minuta, prej 12 shkurtit 1994 deri më 30 prill të po atij viti. Po 927 minuta pa gol ka dhe skocezi Çarlz Shou i Gllazgout.

Pas tij, në vendin e 95-të Rraqi Pisku, portier i Partizanit gjatë vitit 1951. Pisku nuk pësoi gol për 905 minuta, prej 14 janarit 1951 deri më 18 mars 1951. Atë vit, Partizani zyri vendin e dytë në kampionat (pas Dinamos), ndërkohë Refik Resmja shënoi shifrën e pabesueshme të 59 golave në sezon, çka e bën atë realizuesin e pestë më të mirë në botë (duke lënë pas Pelenë dhe Lionel Mesin). Interesant është fakti se, pas Piskut të Partizanit (luajti dhe me Skënderbeun) renditet Kampioni i Botës me Italinë dhe i Serisë A me Juventusin, legjenda Dino Xof, me 903 minuta pa pësuar gol. Dodë Tahiri i Vllaznisë dhe i Kombëtares shqiptare (kampion i Ballkanit në vitin 1946) do të mbante të paprekur portën e tij për 898 minuta duke mbajtur vendin e 104-t në renditjen botërore. Një tjetër legjendar i portës së kuqezinjve, Qemal Vogli, i cili gjatë karrierës së tij luajti me Besën, Teutën dhe Dinamon, ka lënë shenjat e tija në këtë klasifikim. Vogli nuk ka pësuar gol për 840 minuta, kur ai luante për Dinamon, prej periudhës 21 janar 1952 deri më 23 mars 1952 dhe ai renditet në vendin e 131-të. Vogli u arratis në Shqipëria, gjatë një turneu të Dinamos në vendet lindore, por më pas u rikthye, duke vuajtur edhe një dënim të ashpër nga regjimi komunist. Qemal Vogli me Dinamon fitoi 6 herë titullin kampion dhe 5 herë Kupën e Shqipërisë. Qemal Vogli është ndër futbollistët shqiptarë, që e ka veshur në moshën më të re fanellën kuqezi. Ka qenë vetëm 17 vjeç. 11 ndeshje me kombëtaren.

Pas Voglit vijnë edhe dy shqiptarë të tjerë, Anesti Arapi (vendi i 142-të) dhe Xhevair Kapllani të cilët kanë lënë pas tyre as më pak e as më shuam se një mit botëror, Lev Jashin (vendi i 261-të, 741 minuta pa gol), të vetmin portier që ka fituar “Topin e Artë”, por dhe portierin e Bajenit dhe të Kombëtaren gjermane, Oliver Kahn (vendi i 163-të, 803 minuta pa gol).  Arapi nuk ka pësuar gol për 827 minuta ndërsa mbronte portën e Flamurtarit gjatë 7 tetorit 1990 deri më 9 dhjetor 1990. Xhevair Kapllani mbrojti portën e Teutës, në periudhën 2 tetor 1993-5 shkurt 1994, për 824 minuta duke ndihmuar ekipin e tij të fitonte titullin e vetëm kampion. I fundit ndër shqiptarët është ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Foto Strakosha. Ky i fundit mbrojti portën e Dinamos prej 4 marsit 1990 deri më 22 prill 1990, për 695 minuta, teksa pësoi vetëm 5 gola në 33 ndeshje, duke qenë një nga protagonistë të titullit kampion të Dinamos.

PESË MË TË MIRËT

 1. Geraldo Pereira “Mazaropi”, Vasko da Gama, Brazil: 1816 minuta Periudha: 18/05/1977-07/09/1978

 2. Navaf Khalid, Al-Qadsi, Kuvait, Kuvait: 1453 minuta

Periudha: 20.02.2011-16.03.2012

 3. Thabet El-Batal National, Kairo, Egjipt: 1442 minuta

Periudha: 07/04/1975-29/12/1976

 5. Dani Verlinden, Klub Bryzh, Belgjikë: 1390 minuta

Periudha: 03/03/1990-26/09/1990

 5. Jose Maria, Universidad, Argjentinë: 1.352 minuta Periudha: 26/06/2005-30/10/2005

 TETË  SHQIPTARËT

 44. Bujar Gogunja Labinoti, Shqipëri: 1.037 minuta

Periudha: 11/12/1983-13/05/1984

 85. Kujtim Shtama Teuta, Shqipëri: 927 minuta

Periudha: 12/02/1994-30/04/1994

 95. Rraqi Pisku Partizani, Shqipëri: 905 minuta

Periudha: 14/01/1951-18/03/1951

 104. Dodë Tahiri Vllaznia, Shqipëri: 898 minuta

Periudha: 02/09/1945-23/12/1945

 131. Qemal Vogli Dinamo, Shqipëri: 840 minuta

Periudha: 21/01/1952-23/03/1952

 142. Anesti Arapi Flamurtari, Shqipëri: 827 minuta

Periudha: 07/10/1990-09/12/1990

 148. Xhevahir Kapllani Teuta, Shqipëri: 824 minuta Periudha: 02/10/1993-05/02/1994

 382. Foto Strakosha Dinamo, Shqipëri: 695 minuta Periudha: 04/03/1990-22/04/1990