Shpëtim Gjika: “Do t’i denoncoj në prokurori!”

456
Sigal

“Puçi” i kalkuar ndaj Flamurtarit çon Bylisin dhe Laçin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë

Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjoka, hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj klubeve të Laçit dhe Bylisit, marrëveshja e të cilëve la jashtë vlonjatët nga gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pavarësisht se ekipi i Erest Gjokës fitoi 3-0 me Teutën, por e pamjaftueshme për t’i çuar kuqezinjtë midis katër më të mirave të kompeticionit. Flamurtari fitoi me meritë 3-0 me Teutën, por fitorja 3-2 e kalkuluar e Laçit ndaj Bylisit në sekondat e fundit të ndeshjes nxori dy ekipet e fundit në gjysmëfinalet e edicionit të 61-të të Kupës së Shqipërisë.

Kështu, Laçi dhe Bylisi nga grupi B i çerekfinaleve do të bashkohen me Skënderbeun dhe Kukësin, dy vendet e para të grupit A. Në grupin B, Skënderbeu fitoi 3-2 në Kukës, duke i fituar të gjashtë takimet, ndërkohë që Shkumbini humbi 2-0 me Kastriotin në Peqin, duke regjistruar humbjen e gjashtë në po aq takime.

  GJIKA – “Ndeshja që u zhvillua në Laç e dinte e gjithë Shqipëria që do të përfundonte me rezultatin 3-2 dhe unë gjej rastin të jo të denoncoj, sepse fjala denoncim është shumë e butë, por të hedh poshtë me neveri këto skenare, të cilat jo sepse dëmtuan sot ekipin e Flamurtarit, por kanë dëmtuar, kanë rrënuar, madje e kanë kthyer në një gangrenë futbollin shqiptar. Sot (dje) ka qenë një ngjarje shumë e dhimbshme dhe jo vetëm se është dëmtuar Flamurtari, sepse publiku u kënaq me një fitore 3-0 në një ndeshje të luftuar dhe korrekte, ndaj një Teute që ne do ta presim dhe në fundjavë për kampionat, por ajo që më shqetëson dhe dua të përcjell është pikërisht që ndeshja në Laç ka qenë e bërë në mënyrën më të turpshme dhe më karagjozë. Pra, këtu mund të investosh, mund të paguash, mund të luash ndershëm, por ngrihen 2-3 karagjozë dhe bëjnë gjëra të tilla që realisht janë të turpshme. I hedh poshtë me neveri të tri këto ekipe, i përbuz, duke filluar nga Teuta, Bylisi e Laçi, të cilët janë turpi i futbollit shqiptar”, – tha kryebashkiaku i Vlorës në prononcimin e tij për mediat. “Si mund të zgjidhet kjo situatë? Zgjidhja është që Laçi me Bylisin duhet denoncuar jo vetëm në organet e Federatës Shqiptare të Futbollit, por në organet e Prokurorisë. Nëse vërtet ka një ligj për “këmbët e pastra”, kjo është një ndeshje që i ka të gjitha parametrat për t’u hetuar e për t’u ndëshkuar. Dihej botërisht që do të përfundonte 3-2 dhe ashtu ndodhi. Ndaj dhe duhet që organet e Prokurorisë të marrin masat ndëshkimore për të dy këto ekipe, që sot (dje) vulosën një tjetër njollë të errët në futbollin shqiptar”

 Ernest Gjoka: “Çdo gjë ishte e planifikuar”

 Trajneri i Flamurtarit ishte tepër i mërzitur pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë: “Ishim përgatitur për këtë ndeshje dhe e kishim cilësuar si të vështirë, madje ashtu ndodhi. E kërkuam që në fillim fitoren dhe ia dolëm, por edhe 3 golat e realizuar në portën kundërshtare nuk bënin punë. Me sa duket çdo gjë ishte e planifikuar në takimin tjetër dhe mundi ynë na shkoi dëm. Tashmë jemi me sytë nga kampionati dhe e lëmë pas Kupën”.

 Asnjë skuadër s’e ka fituar trofeun

  Asnjë nga katër skuadrat gjysmëfinaliste nuk e ka fituar më parë trofeun e Kupës, pavarësisht se Skënderbeu ka qenë katër herë në finale, e fundit e humbur edicionin e kaluar me Tiranën (0-1). Shorti i gjysmëfinaleve është i lirë. Skuadra që do të fitojë trofeun bëhet ekipi i dhjetë që fiton një Kupë të Shqipërisë, duke u bashkuar kështu me Tiranën (15 trofe), Partizanin (15), Dinamon (13), Vllazninë (6), Flamurtarin (3), Teutën (3), Elbasanin (2), Apoloninë (1) dhe Besën (1). Në finale, në total kanë qenë 14 skuadra, përfshirë këtu edhe ekipet humbëse: Skënderbeu, Albpetrol, Lushnja dhe Tomori. Për korçarët, që humbën sezonin e kaluar në finale kundër Tiranës kjo do të jetë hera e 9-të që mbërrin në gjysmëfinale, ndërkohë që për kuksianët është një arritje historike. Kukësi do të jetë për herë të parë midis katër më të mirave të një edicioni të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që formacioni i Armando Cungut ka dhe meritën se eliminoi Tiranën, fituesen e edicionit të kaluar. Po, për herë të parë në gjysmëfinale do të jetë e Bylisi, pas pesë pjesëmarrjeve në çerekfinale (1999-2000, 2000-2001, 2010-2011 2011-2012 dhe 2012-2013). Laçi arrin për herë të dytë në gjysmëfinale, pas asaj të siguruar në edicionin 1997-1998, të cilën e humbi me Apoloninë (fitues të atij sezoni): fitoi 1-0 në Laç dhe humbi 2-0 në Fier.

Kështu, Skënderbeu, që është favoriti kryesor për të fituar titullin kampion (ka një diferencë prej +9 pikësh me Teutën e vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 9 javë), mund të bëjë bis trofesh, ashtu si dikur Tirana, Partizani dhe Dinamo.

KUPA E SHQIPËRISË

EDICIONI I 61-TË

Grupi A

KUKËSI-SKËNDERBEU 2-3

Golat: Abdurrahman 52′, 69′ / Tahirllari 63′, 81′, F.De Souza 87′

SHKUMBINI-KASTRIOTI 0-2

Golat: E.Xhafa 2′, Shaba 41′

RENDITJA

GRUPI A

1 SKËNDERBEU    6    18

2 KUKËSI        6    12

3 Kastrioti     6    6

4 Shkumbini     6    0

Grupi B

FLAMURTARI-TEUTA 3-0

Golat: Memelli 48′, 80′, Veliu 50′

LAÇI-BYLIS 3-2

Golat: Emurllai 48′, Cela 59′, Vucaj 90+3′ / Huan 22′, Olayinka 31′

GRUPI B

1 Bylis         6    12

2 Laçi          6    12

3 Flamurtari    6    12

4 Teuta         6    0

Në gjysmëfinale

A:Skënderbeu, Kukësi

B:Bylisi, Laçi

Shorti është i lirë

Vllaznia

Rrogat e padhëna, lojtarët bojkotojnë stërvitjen

 Pjesa më e madhe e titullarëve të Vllaznisë bojkotuan stërvitjen e djeshme. Arsyeja është tërësisht financiare dhe ka të bëjë me me mosmarrjen e rrogave prej dy muajsh si dhe të kësteve të kontratave për një pjesë të tyre. Në seancën e djeshme, të planifikuar për t’u zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” nuk kanë qenë të pranishëm portierët Vujadinoviç e Gjokoviç, nuk kanë qenë të pranishëm Smajli, Kraja, Beqiri, Belisha, Semina, Begaj, Nallbani, Tafili, Deliç, Shtubina, Dragoi, Hajdari dhe Rexha. Këtë seancë e kanë drejtuar zëvendëstrajnerët Sinani, Osja e Legata ngaqë trajneri i parë Bushati ka qenë në Laç duke ndjekur ndeshjen e kundërshtarit të ardhshëm të Vllaznisë, Bylisit. Ata kanë drejtuar vetëm 11 futbollistë të rinj në këtë seancë dhe më pas janë shpërndarë. Megjithatë për të zgjidhur këtë çështje duket se do ndërhyjë presidenti Çela që ka për të dhënë vetëm rrogën e fundit, atë të muajit shkurt ndërsa të gjithë detyrimet e tjera të mëparshme i përkasin Bashkisë.

 I shpuan gomat gjyqtarit, gjobitet 300 mijë lekë Apolonia

 Klubi fierak u gjobit me 300 mijë lekë, për mospërmbushje të përgjegjësive të sigurisë në ndeshjen Apolonia-Vllaznia (java e 17-të, të përfunduar 1-3). Gjithçka ka të bëjë me sjelljen e pajishme të ultrasve, të cilat i shpuan gomat dhe i thyen xhamin makinës së gjytarit ndërkombëtar Lorenc Jemini. Ekipi i Elidon Demirit ndodhet në vendin e fundit në Superligë dhe është një nga favoritët për të rënë nga Kategoria Superiore. Lojtari i Kukësit, Elvis Koçi, për ofendim dhe sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes u pezullua me katër ndeshje. Turbina e Kategorisë së Dytë, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës u dënua me zhvillimin e katër ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin e saj.

Kosovari ishte kandidati numër një për të marrë Kombëtaren, para se të vendosej për Xhani De Biazin

 Hasi: “Jam gati të drejtoj një ekip”

 Besnik Hasi, ndihmëstrajneri i Anderlehtit dhe ish-kandidati kryesor për të marrë në dorëzim kuqezinjtë, përpara emërimit të Xhani De Biazit, u shpreh për faqen zyrtare të klubit belg se, ai është gati të marrë drejtimin e një ekipi. Anderlehti drejtohet nga Xhon van Brom dhe Besnik Hasi. “Bashkëpunimi ynë është tepër efektiv, madje unë do ta quaja super, por tani unë ndihem gati për të qenë trajneri i parë, pavarësisht se ende mund të kem ndonjë dyshim të vogël”, – citohet Hasi nga faqja “Anderleht.be”. Van den Brom pranoi se, ka një bashkëpunim të ngushtë me Hasin në drejtimin e Anderlehtit dhe se në shumë vendime të tij ai merr gjithshtu mendimin e Hasit. Dhe sipas Hasit, bisedat kanë të bëjnë edhe më zëvendësimet e lojtarëve gjatë ndeshjes. “Në bankinë mund ta dëgjosh vazhdimisht: ‘Duhet ta bëjmë ne këtë ndërrim? Je dhe ti dakord? Ok, atëherë e bëjmë!’, – tregon Hasi. “Kundër Bryzhit, për shembull, Xhoni duhet të bënte një zëvëndësim të dyfishtë: De Zëuvin dhe Amrmenterosin. Por, kur Xhoni donte të bënte ndërrimin e tretë kur kishte dhe njëzet minuta lojë dhe donte të luante me tre mbrojtës, ai më pyeti drejtëpërdrejt. Ai dëshironte të zëvendësonte Brunon, por unë dyshova: ‘Nuk do ta lejojmë atë të luajë akoma?”. Xhoni u mendua për disa sekonda dhe m’u përgjigj: ‘Ne do të zëvendësojmë Kljestanin dhe Deshahhtin’.”

 “S’dua të kapërcej etapat”

 Si një trajneri i dytë, Hasi ka bërë një punë shumë të mirë tek Anderlehti. Megjithatë, ai shpreson që dikur të jetë kryetrajner. “Unë ndihem tashëm gati, pavarësisht se dyzoj disi. Unë kuptohem shumë mirë me Xhonin, por unë mund të mësoj akoma më shumë prej tij dhe nuk dëshiroj që të kapërcej asnjë etapë. Klubi ka shumë respekt për punë time, por dhe unë dëshiroj ta dëshmoj gjithashtu me po këtë kënaqësi. Kur unë pata shansin që të merrja drejtimin e ekipit Kombëtar të Shqipërisë, më thanë Herman Van Holsbik dhe Presidenti: “Në asnjë mënyrë!’. Unë e pranova atë. Por, tani situata është komplet tjetër. Unë ia kam thënë Hermanit: ‘Unë dëshiroj që të punoj, dhe të tregoj atë që di të bëj. Ai nuk reagoi në mënyrë konkretë pët këtë. Unë e di se, disa ekip janë të interesuar për mua, por unë personalisht ende nuk kam pasur kontakte me këto klube. Së pari, unë dëshiroj që të siguroj me Anderlehtin ‘play-off’-in. Anderlehti do të jetë gati, dhe në jemi të sigurt se do t’ia arrijmë atje”, – përfundoi Hasi.

  Gega: “Valentin Gjokaj, lojtar me të ardhme”

 Trajneri i Kombëtares U-21, Skënder Gega, e vlerësoi pozitive paraqitjen e parë të Valentin Gjokajt, me ekipin e parë të Derbi Kountit, skuadrës angleze të Championship (kategoria e dytë në Angli). Mbrojtësi 19-vjeçar, i thirrur së fundi në miqësoren e 6 shkurtit të Kombëtares U-21 kundër Maqedonisë (0-0, në Laç), luajti si titullar në barazimin 1-1 në transfertën me Kardif Sitin, kryesuesen e kampionatit dhe favoritin kryesor për t’u ngjitur në Premier League. Gjokaj, kapiteni i ekipit të dytë të Derbi Kountit, u dallua për ndërhyrjet e tij energjike, madje u ndëshkua edhe me një karton të verdhë (në të 17’). Thirrja me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë, pjesë e së cilës ai do të jetë dhe për eliminatoret e Europianit të asaj moshe, ku në grup kemi Spanjën, Austrinë, Hungarinë dhe Bosnjën, i ka dhënë një tjetër shtytje një prej lojtarëve me të ardhme në Kombëtaren A. “Gjokaj është një lojtar profesionist, i përgatitur dhe me shumë disiplinë. Nuk është e rastit që, e vlerësojnë kaq shumë në Angli. Ka një të ardhme shumë premtuese”, – tha Gega për gazetën “Telegraf”. Pas 36 javësh në Championship, Derbi Kounti renditet në mesin e artë: i 12-ti nga 24 skuadra. Shpresat do të luajnë disa ndeshje miqësore në Austri, të parashikuara midis datave 18-25 mars. Trajneri Skënder Gega zhvilloi pak ditë më parë një grumbullim disa ditor me lojtarë që, aktivizohen në kampionatin shqiptar, për të krijuar një përshtypje për gjendjen e tyre fizike dhe taktike.