Shpëtim Duro: “Partizani po bëhet”

450
Sigal

Trajneri i të kuqve i thur lavde mbrojtësit bullgar: “Ingat Dishliev, një lojtar cilësor”

Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, foli fjalët më të mira për blerjen më të fundit të kuqve, mbrojtësin bullgar Ignat Dishliev, duke e cilësuar ish-lojtarin e Borea Stara Zagorës si tepër cilësor. Duro pranoi faktin se, 15 herë kampionëve u duhet të punojnë për të përforcuar linjën e sulmit, për të përballuar një kampionat të gjatë me 36 ndeshje. Partizani kërkon titullin kampion, që i mungon që nga viti 1993, kur atë e fitoi duke pasur në stol Sulejman Starovën, më këtë të fundit që nga dje do të jetë në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të klubit.

 – Duro, bullgari Ignat Dishliev është afrimi më i ri i Partizanit. Si ratë në kontakt me të?

– Gjatë fazës përgatitore me Shkëndijën e Tetovës, të zhvilluar në janar të këtij viti në Turqi, zhvilluam një ndeshje miqësore me skuadrën bullgare të Beros dhe aty e kam spikatur lojtarin. Gjithsesi, kam mbledhur shumë informacion për të, pasi dua të jemi shumë i kujdesshëm në merkato, pasi përgjegjësia është e imja dhe dua të marr lojtarë që i bëjnë punë skuadrës.

– Pse ju bindi mbrojtësi bullgar?

– Dishlievin e kam parë vetë nga afër në janar dhe më ka pëlqyer loja e tij në qendër të mbrojtjes. Por sërish kam pyetur edhe të tjerë, ku mes tyre bën pjesë edhe bullgari Milev që kam pasur te Shkëndija e Tetovës. Ai do t’i bëjë shumë punë Partizanit. Por unë jam interesuar shumë dhe jam i bindur se bëhet fjalë për një lojtar cilësor, që ka fituar Kupën dhe Superkupën e Bullgarisë. Ka pasur konkurrencë kur është kthyer.

– Mbrojtja e Partizanit duket si reparti më i kompletuar….

– Në mbrojtje kemi konkurrencë, ka alternative, siç është edhe Ignati, pra është një repart i mirë. Edhe në se kemi larguar edhe ndonjë,nuk është se nuk kanë dhënë kontribut por unë si trajner kam bindjet e mia.

– Në fakt, Dishliev ka pasur një aktivizim të pakët…

– Për sa i përket aktivizimit të pakët të tij dua të heq edhe merakun e të gjithëve, pasi me të drejtë pyesin. Jam i  bindur se është një lojtar cilësor dhe do të bëjë diferencën në ekip, duke u nisur edhe nga aspekti financiar.

– Flitet për një transferim të shtrenjtë…

– Shifrat që kanë dalë nuk janë të sakta, se po të ishte  për të bërë aventura e përralla do të bëja me futbollistët shqiptar që kërkojnë qiqra në hell. E rëndësishme është që marrim një lojtar nga elita e futbollit bullgar dhe po të jesh atje i 12-ti, i 13-to apo me radhë në një skuadër të Ligës së Parë bullgare mund të japë kontribut të madh në nivelin e futbollit tonë.

– Përveçse trajner, ju jeni dhe në rolin e menaxherit. Sa i gatshëm është Presidenti Demi t’u përgjigjet nga ana financiare?

– Presidenti është i gatshëm të më përgjigjet financiarisht për çdo lojtar. Por unë nuk jam nga ata trajnerë që dua të bëj aventura me këto, pasi i njoh shumë mirë lojtarët shqiptar ua njoh nivelin. Ne u kemi bërë atyre ofertë, madje oferta shumë të mira. Ne jemi brenda rregullave të lojës, por duhet të mbetemi të kujdesshëm.

– Partizani vuan për sulmues. Çfarë po bëhet në këtë drejtim?

– Zhvillime konkrete nuk ka, sidomos sa i përket sulmit. Dihet se ndërtimin e ekipit e kam nisur nga porta e më pas me radhë në mbrojtje dhe mesfushë. Sigurisht që në sulm do të duam të afrojmë një ose dy sulmues dhe ato do ti lemë për fund. Ndoshta aty do të shpenzojmë më shumë. Është shumë e vështirë, pasi në tregun vendas nuk ka lojtarë dhe i fundit ishte Pejiç, të cilët i bëmë një ofertë shumë të mirë, por firmosi me Kukësin që i ka dhënë dyfishin.

Dy ndeshje jashtë

Partizani do ta nisë kampionatin me dy ndeshje jashtë fushe, fillimisht në Laç e më pas në Apolonisë në Fier.

Derbi me Tiranën

Derbi i parë me Tiranën do të jetë në javën e gjashtë, më pas do të përsëritet në javën e 15-të, 24-t dhe 33-të.

Sfida me Skënderbeun

Ndeshja e parë në Tiranë do të jetë në javën e tretë. Partizanin e pret një sfidë të vështire me kampionet e Skënderbeut.

KALENDARI I

FAZËS SË PARË

1. Laçi-Partizani

2. Apolonia-Partizani

3. Partizani-Skënderbeu

4. Kukësi-Partizani

5. Partizani-Teuta

6. Tirana-Partizani

7. Partizani-Flamurtari

8. Vllaznia-Partizani

9. Partizani-Elbasani

 Ikën Prodani, vjen Starova

 Eduard Prodani nuk do të jetë më Drejtor i Përgjithshëm i Partizanit. Në vend të tij do të jetë Sulejman Starova, i cili së fundi kishte bërë trajnerin dhe drejtorin sportiv të Kukësit. Klubi i kuq njoftoi nëpërmjet një komunikate zyrtare se në një takim të zhvilluar me presidentit Gazmend Demi, Prodani ka parashtruar kërkesën për t’u liruar nga kjo detyrë, që e mbante që nga janari i 2013-s. Me tej në njoftim shkruhet se duke vlerësuar përpjekjet dhe angazhimin e deritanishëm të zotit Prodani, Presidenti Demi e ftoi atë që të vazhdojë të kontribuojë në ecurinë e mëtejshme të klubit në pozicione të tjera të rëndësishme. Gjithsesi, Eduard Prodani nuk do t’i shkëpusë lidhjet me të kuqtë, pasi do të jetë këshilltar i presidentit Demi për çështjet e Administrimit. Prezantimi i drejtorit të ri, Sulejman Starova do të bëhet sot në orën 10:00 në ambientet e klubi të kuq. “Bobi” ka fituar titullin e fundit kampion të Partizanit, atë të sezonit 1992-1993.

Prezantohet bullgari Dishliev

 Mbrojtësi bullgar Ignat Dishliev u prezantua dje zyrtarisht, si përforcimi i Partizanit. 26-vjeçari nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me të kuqtë. Gjatë sezonit të fundit, Dishliev ka qenë pjesë e Beroe Stara Zagora, që e mbylli kampionatin në vendin e 8-të. Bullgari rrëfeu edhe se si ra në kontakt me trajnerin Shpëtim Duro: “Gjatë fazës përgatitore në dimër që zhvillova në Atalia me Beroen kam pasur kontaktin e parë me trajnerin Shpëtim Duro, i cili atë kohë drejtonte Shkëndijën e Tetovës dhe ne zhvilluam një ndeshje miqësore. Kur shkova te Bero pësova një lëndim dhe mu desh të bëja një operacion në këmbë. Pas operacionit të dytë gjithçka shkoi mirë dhe gradualisht kapa formën. Pastaj kur u ktheva konkurrenca ishte e madhe, pasi klubi kishte afruar edhe një mbrojtës shumë të mirë. Kjo ka qenë arsyeja pse kam luajtur pak në dy sezonet e fundit. Duke qenë lojtar i lirë dhe duke më njohur trajneri, klubi më bëri ofertë dhe pranova që të nis një aventurë të re me Partizanin”.