Shkarkimi i Luis van Gal nga Junajtid në 2016-ën, gruaja: E gjeta burrin duke qarë!

81
Sigal

Gruaja e Luis van Galit ka treguar se trajneri holandez u përlot pas shkarkimit brutal nga stoli i Junajtidit në vitin 2016. Van Gal i udhëhoqi “Djajtë” drejt trofeut të Kupës FA, me fitoren 2-1 ndaj Palasit në finale, përpara se të shkarkohej dy ditë më vonë pas muajsh spekulime për të ardhmen e tij.

Por ai u informua që nuk do të ishte më trajner vetëm pak orë pas triumfit në “Wembley” dhe e ka thënë disa herë se nuk do t’ia falë kurrë ish-administratorit Ed Uduard për mënyrën sesi e trajtoi. Tani, gruaja e tij Trus, zbulon prapaskena të atij vendimi gjatë një dokumentari në “Amazon Prime”.

Ajo thotë se e kishte ndierë që burri rrezikonte shkarkimin, pasi legjenda Sër Aleks Ferguson nuk po i përshëndeste më: “Unë e dija që Luis do të shkarkohej nga Junajtid. E ndieja. Papritur, ata nuk po na përshëndesnin më, na e bënin me dorë nga larg. Diçka po shkonte keq. Ishte intuita e një femre. Pastaj Uduard e mohoi dhe Luis u qetësua. Por unë i thashë: ‘Luis, do të të shkarkojnë. Kuptoje!’ dhe mbylla derën e apartamentit. Pas Kupës FA, Luis tha: ‘Epo, ne ia dolëm’ dhe unë i thashë: ‘Luis, ata thonë se je shkarkuar’. Ai u zemërua shumë. ‘Përse ma prish festën? Mjaft me gjithë këtë marrëzi pa kuptim’. Por më vonë më telefonoi: ‘Çkemi, jam Luis. Mund të vish në shtëpi, kishe të drejtë’. Zërin e kishte të thyer, kështu që unë i thashë: ‘Në rregull, jam rrugës’. Kur erdha në shtëpi vura re që kishte qarë. E përqafova dhe u përlota edhe unë”.