Shaqir Xhabiri: Po rriten breza që po e humbin ndjesinë e Besëlidhjes në Superiore

707
Nga Preng GJIKOLA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i skuadrës lezhjane në periudhën 1969-1981, emocionet e karrierës dhe aktualiteti
Shaqir Xhabiri ka lindur në qytetin e Lezhës me 1 gusht të vitit 1955, dhe futbollin e ka nisur që në moshë të vogël. Talenti i tij ra në sy të specialistëve të futbollit, të cilët në vitin 1969 vendosën që, ende pa mbushur 14 vjeç, ta grumbullonin me të rinjtë e Besëlidhjes. Trajneri i parë ishte Qemal Veseli, dhe që nga ajo kohë, Xhabiri nuk i është ndarë Besëlidhjes, deri në vitin 1981 kur u largua si futbollist. E veçanta në karrierën e tij është se, në moshën 26 vjeçare detyrohet nga Komiteti i Partisë së asaj kohe që të hiqte dorë nga futbolli dhe përjashtohet përfundimisht nga Besëlidhja. Ja si vijnë emocionet e tij në gazetën “Telegraf”,sot në moshën 62 vjeçare.
Një karrierë e shkurtër, por së pari, e kujtoni si ju lindi dëshira për futbollin? 
Nuk më kujtohet, por prindërit më thoshin se që në moshën 3 vjeçare, topi për mua ishte lodra më e dashur. Jam aktivizuar me fëmijët e lagjes, ndërsa në vitet 1967-1968 jam aktivizuar me ekipin e Pionierëve të Lezhës, ku mbaj mend që kemi dalë në finale me Burrelin dhe e kemi humbur atë ndeshje. 

Po me Besëlidhjen, kur jeni aktivizuar me për herë të parë? 
Ende pa i mbushur 14 vjeç, në vitin 1969 më vjen një ftesë nga trajneri i asaj kohe Qemal Veseli për tu aktivizuar me të rinjtë e Besëlidhjes. Që në ndeshjen e radhës më aktivizuan nga fillimi i ndeshjes si sulmues qendre, dhe që nga ajo kohë nuk i jam ndarë më futbollit profesionist deri sa më detyruan që ta lë, ose më saktë, më përjashtuan.

Cili ka qenë trajneri juaj i parë, nga fëmijët e deri te Besëlidhja të rritur? 
Trajnerët e parë nuk do t’i harroj kurrë. Si fillim kanë qenë Qemal Veseli dhe Skënder Laçaj dhe më pas pjesën dërmuese të karrierës time kam pasur trajner të madhin Isuf Pelingu, që e thërrisnim “Profesor Cufi”, vetëm një vit kam pasur trajner Lin Shllakun, i cili në karrierën e tij kishte luajtur me Partizanin dhe Kombëtaren, madje edhe si kapiten.

Sipas jush, cilët nga këta trajnerë ka qenë më i miri? 
Për mua, Isuf Pelingu ka qenë në nga trajnerët më të mëdhenj që e ka drejtuar Besëlidhjen për shumë vite. Mos të harrojmë se ai ka qenë një nga trajnerët e paktë i specializuar në Hungari në kohën e të madhit Pushkash.

Po golin e parë në karrierë si e kujton Shaqir Xhabiri? 
Më kujtohet fare mirë, në ndeshjen ndaj Përparimit të Kukësit, të cilën e fituam 9-1, pasi në atë kohë Besëlidhja luante në Kategorinë e Dytë. Gola kam shënuar shumë, por që më kanë mbetur në kujtesë janë ndaj Apolonisë në Fier, luanim në Kategorinë e Parë dhe barazuam 1-1, në Durrës ndaj Besës që barazuam po 1-1. 

Nga trajnerët e Kombëtares së asaj kohe, keni pasur ftesë?
Po, kam pasur nga trajneri i shpresave dhe jam stërvitur bashkë me Gëzim Haskun e Fehmi Ramën, në vitin 1974. Ishte shumë e rëndësishme në atë periudhë të angazhoheshe në ekipet kombëtare.

Kur jeni ndarë nga futbolli përfundimisht si lojtar dhe pse? 
Unë nuk e kam lënë, por më kanë detyruar që të largohem nga futbolli nga Komiteti i Partisë i kohës. Kam qenë 26 vjeç dhe në kulmin e karrierës time, ku luajta për 11 vite, dhe të gjitha ndeshjet i kam luajtur në 90 minutat e rregullta. Kam pasur dhe një fat, se nuk jam dëmtuar asnjëherë.

Kush janë sipas jush futbollistët më të suksesshëm të Besëlidhjes, me të cilët keni luajtur? 
“Po e nis me Nikolin Lorencin, e me radhë, Gjergj Voka, Paulin Deda, Gëzim Hasku, Fehmi Rama (Furdja), Xhabir Gruda, Sulë Balla, Ahmet Meta etj, etj. Ndërsa nga rrethet tjera kanë qenë, Durim Tabaku, Bedri Omuri, Hysni Skënderin etj.
Sot, Besëlidhja ka rritje, por duhet të jetë në Superligë. Qëndrimi i saj për 10 sezone radhazi në Kategorinë e Parë, është situatë jo shumë e mirë, pasi po rriten breza të tërë që po e humbin ndjesinë e Besëlidhjes Superiore. Shpresoj se këtë sezon do të ngjitet në Superligë, aty ku ka edhe “shtëpinë” e saj të “hipotekuar”
Arsyeja paradoks e largimit nga futbolli
“Në atë kohë futbollistët kanë qenë njerëz që konsideroheshin si VIP-at e sotëm. Unë dashurova një vajzë nga Ishulli i Lezhës, dhe për të më larguar nga ajo, pasi u xhelozuan, sepse ishte nga më të bukurat e asaj kohe, morën vendim për të më larguar nga Besëlidhja. Në atë kohë ishte shumë e vështirë ose e pamundur që të luaje me skuadra jashtë rrethit, por edhe pse më larguan nga futbolli, u martova me atë vajzë dhe vetëm vdekja na ndau, pasi është ndarë nga jeta kohë më parë”. 
FEMRA U19
Barazim me Azerbajxhanin, por në fund të grupit
Kombëtarja U19 në futboll për femra barazoi dje 0-0 në Durrës ndaj Azerbajxhanit, në ndeshjen e fundit në grupin kualifikues. Në dy ndeshjet e tjera, vajzat e drejtuara nga Nevil Dede, kishin humbur thellë ndaj Spanjës 0-8 dhe Ukrainës 0-5. Ndërsa dje, luajti më mirë se në ndeshjet e kaluara pasi zhvilloi lojë të mirë e krijoi raste shënimi, kryesisht në pjesën e dytë.
Ndërsa Azerbajxhani rezistoi dhe mori pikën, e cila i duhej për të kaluar në turin e ardhshëm, sepse me 4 pikë u rendit në vendin e dytë në grup, pas Spanjës me 9 pikë në tre ndeshje. Po dje, Spanja kryesuese fitoi thellë 4-0 me Ukrainën, duke u konfirmuar në vendin e parë të Grupit 4 kualifikues.
Ndeshjet e zhvilluara
Datë 25 tetor 2017 
Spanjë-Shqipëri 8-0
Datë 28 tetor 2017 
Ukrainë-Shqipëri 5-0
Dje, 31 tetor 2017 
Shqipëri-Azerbajxhan 0-0
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Spanja 3 9
2.Azerbajxhan 3 4
3.Ukraina 3 3
4.Shqipëria 3 1
Sigal