Sfida në Champions kundër Lyon, Juve në “luftë” me kohën

354
Sigal

Juventus mbylli përfundimisht llogaritë e titullit të nëntë me radhë dhe tashmë fokusi zhvendoset tërësisht në Champions League, me bardhezinjtë që i pret misioni i përmbysjes kundër Lyon.

Paolo Dybala u detyrua të lërë fushën përballë Sampdorias pas shqetësimit në kofshën e majtë. Ekzaminimet e një dite më vonë folën për një tërheqje muskulare të argjentinasit por asgjë për t’u trembur. Mjekët e “Zonjës së Vjetër” japin siguri për rikthimin e sulmuesit brenda ndeshjes së 8 gushtit.

Asgjë serioze edhe për mbrojtësin Danilo, i cili u zëvendësua pas përplasjes së fortë me kokë në ndeshjen e së dielës. Douglas Costa ndërkohë e ka mbyllur sezonin në Serie A dhe do të mungojë edhe përballë Lyon sipas gjasave nga dëmtimi në pjesën e rrëzës së kofshëve.

De Ligt ka ndjerë shqetësime të herëpashershme në krah, megjithatë edhe për mbrojtësin holandez duket se do të ketë dritë jeshile. Trajneri Sarri do të shfrytëzojë rotacionin për t’i dhënë kohën e duhur të rekuperimit si dhe për të çlodhur formacionin që ka luajtur gati çdo 3 ditë që pas rikthimit të futbollit.