Sfida në “Air Albania “, Shqipëria U-17 mposhtet thellë nga kampionët e Europës

114
Sigal

Shqipëria U-17 zhvilloi mesditën e kësaj të mërkure ndeshjen e parë kualifikuese kundër Francës në stadiumin ‘Air Albania’, e vlefshme për fazën ‘Elite Round’ të Kampionatit Europian 2023. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku u mposhtën nga kampionët në fuqi të Europës, Franca, me rezultatin 4-0.

Trajneri Bulku hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Amarildo Dervishi (GK), Ernesto Bakiu, Adi Kurti (C), Alion Damini, Jordi Jaku, Frederik Tosku, Flavio Sulejmani, Ergi Bastari, Dean Vraniçi, Kledi Marinaj, Egert Selmani.

Në pjesën e parë, kuqezinjtë u tërhoqën në gjysmëfushën e tyre, duke u përpjekur të ruajnë portën, teksa tentuan në disa raste edhe disa topa të gjatë, por nuk mbërritën në zonën e kampionëve të Europës.

Goli i parë i Francës erdhi në minutën e 26-të, me Meupiyou që realizoi me kokë, duke mposhtur portierin Dervishi. Tre minuta më vonë, francezët realizojnë edhe golin e dytë me Yanis Ali Issoufoi, i cili shënon gjithashtu me kokë, duke e çuar topin në rrjetën tonë.

Me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, trajneri Bulku bën një zëvendësim në mbrojtjen shqiptare, duke hedhur në fushë Davide Avdullarin dhe Kleo Shpuzën, për Ergi Bastarin dhe Egert Selmanin. Në minutën e 62-të, tekniku Bulku bën edhe dy zëvendësime të tjera, me Boden dhe Kasharin që hidhen në fushë në vend të Vranicit dhe Jakut.

Kuqezinjtë ndëshkohen sërish në minutën e 68-të, me Bouneb, i cili trefishon shifrat nga pika e bardhë e penalltisë. Trajneri Ervin Bulku bën edhe zëvendësimin e fundit, me Sulejmanin dhe në vend të tij futet Devi Duro. Pesë minuta para fundit të takimit, francezët realizojnë edhe golin e katërt. Ndeshja mbyllet me shifrat 4-0 për Francën, që na mund në këtë takim të parë në stadiumin ‘Air Albania’.

Sfida e dytë e Shqipërisë do të jetë ajo ndaj Zvicrës, të shtunën e 25 marsit në stadiumin ‘Air Albania’, në ora 17:00 ndërsa ndeshja e tretë është ajo kundër Letonisë, po në stadiumin ‘Air Albania’, e planifikuar të luhet në ora 17:00.

Sakaq, Zvicra do të luajë po këtë të mërkurë ndeshjen e parë të grupit kundër Letonisë në stadiumin ‘Elbasan Arena’ në ora 15:30.