Sadik Mema: Zhvilluam një kampionat të madh, vlerësime për Presidentin Çiraku

461
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i ekipit “Te Stela”, vlerëson Kampionatin Mbarëkombëtar të Notit dhe FSHN-së për këtë veprimtari
Duke e ndjekur në ritmikë aktivitetin e Federatës Shqiptare të Notit gjatë vitit në vazhdim 2017, syri e veshi na u mësuan që të shohim e dëgjojmë për kampionë e kampione, të cilët janë pjesë e Akademisë së Notit “Te Stela”. Dhe në këtë shkollë të notit shqiptar, trajner është një nga të mëdhenjtë e këtij sporti në vendin tonë, dikur notar e sot trajner. Për Sadik Memën (Pupin), të tilla bashkëbisedime janë detyrim, pasi veç kulturës së tij profesionale, mëson për tre breza: të kaluarën-të tashmen-të ardhmen. Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, “Pupi” e vlerësoi si një event të madh të notit shqiptar deri në këtë periudhë. “Ka qenë një veprimtari, e cila për nga përmasat, ishte shumë ndryshe nga të tjerat. Njëherësh, ka qenë një event i madh, ku për herë të parë u përdor tabela elektronike për matjen e kohës, një risi që e ndihmoi jo vetëm ritmikën e zhvillimit të garave, por i përcaktoi kohët me saktësi të plotë”.
Pak ditë më parë u mbyll Kampionati Mbarëkombëtar i Notit, si ndjeheni fizikisht, i çlodhur?
Ka qenë një ngarkesë e madhe, jo vetëm për ne si trajnerë, por kryesisht për notarët. Kemi marrë pjesë në një Kampionat Mbarëkombëtar të Notit, një event shumë i madh, por që u zhvillua në kushtet e një moti të nxehtë. Tashmë që ai u mbyll, atmosfera është ende e freskët në kujtesë, pasi ishte një kampionat që ia vlejti.

Keni një jetë që merreni me shprtin e notit, e kishit përjetuar një Kampionat Mbarëkombëtar?
Jo, kjo ishte e para herë që organizohej një Kampionat Mbarëkombëtar në Not, dhe për këtë besoj se falënderimet shkojnë së pari për presidentin e federatës, Agim Çiraku, për këmbënguljen e tij në këtë veprimtari. Por, do të doja që kjo të mos ishte e fundit, madje të thellohet më shumë edhe me të tjera vende shqipfolëse në Ballkan e më gjerë.

Çfarë veçoni tjetër nga kjo veprimtari?
Ka qenë një veprimtari, e cila për nga përmasat, ishte shumë ndryshe nga të tjerat. Njëherësh, ka qenë një event i madh, ku për herë të parë u përdor tabela elektronike për matjen e kohës, një risi që e ndihmoi jo vetëm ritmikën e zhvillimit të garave, por i përcaktoi kohët me saktësi të plotë.

Kishte ndonjë detaj që nuk shkoi në këtë Mbarëkombëtar?
Të thuash se ishte uji i nxehtë, mbi temperaturën normale, kjo nuk është pjesë e ndonjë mangësie. Përkundrazi, duke qenë në një pishinë të hapur dhe në mot tejet të nxehtë, kjo ishte e pritshme për ne dhe notarët. Ka ndikuar paksa, por nuk u bë pengesë në përgjithësi. 

Sa ja arritët synimeve ju me notarët e Akademisë së Notit “Te Stela”?
Një veprimtari të tillë, nuk mund ta “qortosh”, dhe nisur nga ky vlerësim, ne si ekip “Te Stela” erdhëm me notarët tanë, pas një kampionati të suksesshëm që u zhvillua dy javë më parë, për moshat deri në 14 vjeç. Këtu, 95% e notarëve tanë që morën pjesë në atë kampionat, u detyruam ti kemi edhe në këtë Mbarëkombëtar. Kësisoj, ishte e vështirë që me ta të arrinim në maksimalen e pritshme, pasi pjesa më e madhe e notarëve ishin në gjendje jo të mirë fizike e psikologjike.

Por edhe kështu, Kampionët e ekipit “Te Stela” nuk munguan në këtë Mbarëkombëtar?
Natyrisht që nuk do të mungonin. Ne kemi notarë të afirmuar si kampionë. Veçoj Deni Bahollin, kampion në disa gara, dhe më pas Andi Marra, Anastasia Dhimoshi, Alesia Daja, Sonja Kapedani, Kaltra Meça, Mishel Xhaferri, janë pjesa ku suksesi ishte i padiskutueshëm, edhe me problematikën që ju përmenda më sipër. Kështu që unë e quaj sukses të ekipit tonë në këtë Mbarëkombëtar.

Në renditjen e përgjithshme, për femra e meshkuj, “Te Stela” u renditet në vendet e treta, e quani këtë sukses?
Podiumi në çdo garë është sukses. Në renditjen e Mbarëkombëtarit, si për femra dhe për meshkuj u renditëm në vendin e tretë, vende që unë i quaj sukses. Duke shtuar edhe vendin e parë për femra në Kategorinë të Reja, besoj se kështu e kemi realizuar një pjesë të mirë të synimit tonë në këtë veprimtari. 

Sa ndikojnë këto veprimtari tek performanca e notarëve?
Natyrisht që po. Duhet thënë se, notarët kanë marrë pjesë në disa aktivitete, njeri pas tjetrit, çka e bën të pamundur që çdo muaj të kemi rezultate të larta, apo të përmirësohen rekorde. Momentalisht, pritshmëritë tona në këtë periudhë kohore, nuk janë në maksimumin e tyre, por edhe kështu, jemi mirë.

Për këtë shtatëmujor të vitit 2017, e keni një bilanc të përgjithshëm për ekipet tuaja?
Kemi shumë përmirësime, sepse ne i edukojmë fëmijët (notarët dhe notaret), që të kenë shumëllojshmëri garimi. Një aktivitet i madh si ky Kampionat Mbarëkombëtar, kërkonte që ne të plotësonim të gjitha garat, ndaj që nëse themi një bilanc të përgjithshëm, ecuria është pozitive.

Po përvoja e përbashkët me ekipet kosovare, sa ndikoi te notarët shqiptarë?
Kosova është vend pa traditë në sportin e notit, sepse nuk e kanë prioritar sikundër disa sporte të tjera. Por, në përgjithësi ishte punuar mirë, dhe rezultatet e ekipit Step e treguan këtë ndryshim. Kishim se çfarë të merrnim ne prej tyre, por edhe ata nga përvoja jonë, ky është qëllimi i kampionateve të këtyre përmasave.

Më sipër përmendët kushtet e temperaturës së ujit, po, cili është përfundimi juaj për FSHN-në pas kësaj veprimtarie?
Më sipër ju thashë se, ishte e para herë që organizohej një Kampionat Mbarëkombëtar në Not, dhe për këtë besoj se falënderimet shkojnë së pari për presidentin e federatës, Agim Çiraku, për këmbënguljen e tij në këtë veprimtari. Kësisoj, federata po u krijon mundësi notarëve e trajnerëve për rezultatet të larta, kombëtare e ndërkombëtare. Janë bërë disa seminare e kualifikime me trajnerë të huaj, kanë shkuar notarë e trajnerë në Itali, dhe këto besoj se dhanë efekte të mira nga notarët tanë, kryesisht edhe në këtë Mbarëkombëtar. 

Cila është veprimtaria e radhës në rang kombëtar?
Në fundin e muajit gusht 2017, organizohet Kupa e Republikës. Ky është një aktivitet që organizohet në periudhë pushimesh për notarët, dhe pak besoj se atje do të kenë përgatitjen maksimale. E rëndësishme është që aty të tregojmë më të mirën, sepse ekipet “Te Stela” kanë vazhdueshmëri stërvitore dhe një numër të madh notarësh e notare. 

1 Mbarëkombëtar
Për herë të parë në Shqipëri, FSHN-ja organizoi Kampionatin Mbarëkombëtar të Notit, me pjesëmarrjen e notarëve nga Shqipëria e Kosova
Sigal