Rrezikohet pjesëmarrja e Rusisë në Lojërat Olimpike Dimërore

419
Agjensia Botërore Anti-Doping (WADA) ka refuzuar të ripranojë Agjensinë Kundër Dopingut të Rusisë (RUSADA), duke e përcaktuar sërish si jo në përputhje me rregullat. Rritet kështu edhe rreziku që atletët rusë të përjashtohen nga Lojërat Olimpike Dimërore që organizohen nga Korea e Jugut në shkurt 2018.
Gjatë takimit të zhvilluar sot në Seul, bordi drejtues i WADA-s miratoi rekomandimin e paraqitur nga Komiteti i Verifikimit të Përputhshmërisë, i cili konkludoi se autoritetet ruse ende refuzojnë të pranojnë konkluzionet e raportit të korrikut 2016 që zbuloi një skemë shtetërore dopingu në Rusi.
Sipas kryetarit të komisionit, Jonathan Taylor, Rusia gjithashtu refuzon të lejojë shqyrtimin e mostrave në një laborator të Moskës. Në disa qytete, vazhdon të jetë problematike qasja tek atletët rusë që duhet të testohen.
WADA e pati deklaruar në shkelje agjensinë ruse kundër dopingut që në nëntor 2015, pasi u zhvilluan hetimet për skemën e dopingut të mbështetur nga shteti rus, e cila u zbulua fillimisht nga kanali gjerman TV ARD. Agjensisë ruse iu përcaktua një plan masash që duheshin ndjekur për t’u rikthyer në përputhje me rregullat globale.
Autoritetet ruse thonë se nuk ka patur skemë shtetërore që administronte dhënien e drogave atletëve për rezultate më të mira sportive, dhe fajësojnë raste individuale. Ata thonë se laboratori i Moskës vazhdon të mbahet i bllokur për shkak të një hetimi dhe jo për të parandaluar qasjen tek mostrat e testimeve.
Autoritetet ruse pretendojnë se akuzat janë pjesë e një konspiracioni të perëndimit për të dëmtuar imazhin e reputacionit të vendit të tyre.
Ministri rus i Sporteve, Pavel Kolobkov, akuzoi zotin Taylor se po vepron si kryegjykatës në Rusi. Gjithashtu, presidenti i Komitetit Olimpik të Rusisë, Alexander Zhukov, i tha agjensisë ruse të lajmeve TASS se “Rusia është një vend që meriton një tjetër përqajse dhe jo një gjyq të zhvilluar nga Jonathan Taylor”, duke shtuar se zoti Taylor po “shpik arsye” që të mos ripranohet agjensia ruse kundër dopingut.
Krahas Rusisë, komiteti njoftoi se u gjendën në shkelje të rregullave edhe Guinea, Kuvajti dhe Mauritus.
Ky vendim për Rusinë vjen vetëm pak javë përpara takimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), ku do të vendoset rreth pjesëmarrjes së Rusisë në Lojërat Olimpike Dimërore 2018. Tashmë shtohen gjasat që do të vendosen kufizime ndaj atletëve rusë, ndoshta edhe deri në ndalim të pjesëmarrjes së tyre.
Atletëve rusë iu ndalua pjesëmarrja në Lojërat Olimpike të Rios 2016. Nëse Rusia do të përjashtohet nga lojërat e vitit 2018, atletët rusë do të kenë opsionin të marrin pjesë individualisht, por jo nën flamurin rus. Autoritetet ruse e kanë përjashtuar këtë mundësi, duke e quajtur të papranueshme.