Roma fiton edhe pa Edin Dzekos. Me ish-kapitenin jashtë skuadre dhe në pritje të një sistemimi të ri, verdhekuqtë mposhtën 3-1 Veronën në Olimpico duke u ngjitur në kuotën e 40 pikëve, gjashtë më pak se Milani kryesues.
Atë rezultat që mori Verona në tavolinë në javën e parë të kampionatit për shkak të gabimit në protokoll me aktivizimin e Diawara, Roma e arriti në fushë në vetëm një pjesë loje. Skuadra e Fonsecas shënoi tre herë në pjesën e parë me Mancinin, Mkihtaryan dhe Borja Mayoral.
Në pjesën e dytë Colley realizoi golin e nderit për Veronën. Për t’u përmendur që Marash Kumbulla u hodh në fushë në minutën e 12-të dhe bëri një paraqitje shumë të mirë.
U rikthye te fitorja dhe Napoli që mposhti pa vështirësi 2-0 Parmën në stadiumin Diego Armando Maradona. Golat për skuadrën e Gattusos u realizuan nga Elmas dhe Politano.






















