KATEGORIA E PARË/ Ish-futbollisti i Flamurtarit dhe i Kombëtares, Roland Iljadhi, “zbardh” dritëhijet
Agron Kaja
“Në 16 javët e pjesës së parë të këtij sezoni në Kategorinë e Parë, janë luajtur 96 ndeshje e mes tyre i gjen të gjitha nivelet. Janë luajtur edhe ndeshje të bukura.”
/Telegraf.al/ Ish-futbollisti i Flamurtarit dhe i Kombëtares, vlonjati Roland Iljadhi, duke analizuar pjesën e parë të sezonit për Kategorinë e Parë, shprehet për gazetën “Telegraf” se kjo ka qënë në nivelin mesatar. “Në 16 javët e pjesës së parë të këtij sezoni në Kategorinë e Parë, janë luajtur 96 ndeshje e mes tyre i gjen të gjitha nivelet. Sepse janë luajtur ndeshje të bukura, por ka pasur edhe ndeshje që nuk nën pritshmëritë e tyre. Referuar rezultateve javë pas jave, skuadrat kanë treguar shumë oshilacione në performancën e tyre, prandaj edhe unë e mendoj se ka qënë një pjesë e parë e sezonit deri diku e mirë, ose mesatare. Jo në cilësinë e duhur e në pritshmëritë që kishin vetë skuadrat”, kështu e nisi bisedën specialisti i futbollit Roland Iljadhi, i cili në grupin e skuadrave që nuk arritën atje ku pritej, shikon edhe Flamurtarin. “Për ato skuadra që nuk ishin në pritshmëritë e tyre, po e nis me ato që renditen në fundin e tabelës. Tomori kryesisht, Besa, Lushnja apo edhe Kastrioti, mendohej se do ishin rivale për kreun. Madje skuadra beratase e nisi si e tillë në javët e para, por problemet dhe largimi i trajnerit e pozicionuan në fund. Ndërsa për kreun, unë them se Flamurtari duhet të ishte në dy skuadrat e para që pretendojnë ngjitjen në Superiore. Por, referuar paraqitjeve të Bylisit dhe të AF Elbasanit, unë mendoj se skuadra vlonjate duhet ti përveshë më mirë mëngët për pjesën e dytë të sezonit. Sepse pritshmëritë dhe investimi me skuadrën duhet që të kishte renditje në dy ekipet e para. Ndryshe e sheh larg Superioren”. Po për çfarë ka vlejtur kjo periudhë një mujore pa ndeshje zyrtare? Iljadhi mendon se nga trajnerët kjo hapësirë kishte shumë për të ndrequr. “Në fakt, në dimër një muaj pushim pa ndeshje zyrtare është shfrytëzuar me përgatitje dhe me merkato dhe këtu trajnerët gjithmonë janë marrë edhe me rregullime të mangësive që janë vrejtur në pjesën e parë të sezonit. Këtu Flamurtarin e shoh më rracional në këto përgatitje, por edhe në Merkaton që ka bërë me lojtarë cilësorë, që mund t’i garantojnë realizimin e objektivit”. Ndërsa javën e 17-të, Roland Iljadhi e përshkruan me ndeshje interesante. “Do varet shumë nga gjëndja e çdo skuadre, por mendoj se vënedaset janë më të favorizuara, duke përjashtuar Bylisin që e mendoj fitues në transfertë ndaj Kastriotit”, ishte kjo biseda me Roland Iljadhin, specialistin e futbollit vlonjat.
Mediat spanjolle për Superkupën: Spektakël futbolli!
Të mërkurën në mbrëmje, në Riad të Arabisë Saudite u luajt ndeshja e Superkupës së Spanjës: Real Madrid-Atletiko Madrid. Një “Derbi” madrilen që u luajt larg Europës, por nga mediat sportive spanjolle dje është quajtur edhe si i “çmendur”. Me titujt e tyre, këto medje e kanë “zbardhur” këtë sfidë, ndërsa trajneri i Realit, Karlo Ançeloti, me “modesti” e ka quajtur më shumë në shërbim të të rinjve: Këto ndeshje shërbejnë për të rinjtë, mund të humbasësh”. Ndërkohë, “Spektakël i paharruar”, shkruante dje “AS” në faqen e parë; “Madridi fiton një derbi kolosal”, ky ishte titulli në gazetën “Marca”; “Pas autogolave, gabimeve të portierit dhe një momenti historik nga Grizman, Reali mposhti Atletikon në fitoren emocionuese”.
U përplas me trajnerin, Sanço “dëbohet” te Borusia
Qëndrimi i tij në Old Trafford ka dështuar t’i përmbushë pritjet. Sanço ndahet nga skuadra e Mançester Junaited pas një përplasjeje publike me trajnerin Erik ten Hag, i cili kritikoi paraqitjet e anglezit në stërvitje. Pasi nuk mori një falje nga futbollisti, i cili e quajti veten si “dhi turku”, Ten Hag zgjodhi ta dëbonte në formë “huazimi”. Kështu, Zhadon Sanço i është bashkuar dje Borussia Dortmundit dhe gjermanët janë të vendosur të paguajnë tarifë huazimi prej 3.4 milionë euro për sulmuesin anësor dhe të mbulojë një pjesë të pagës së tij. Me këtë lëvizje, Sanço e sheh veten të bashkuar me klubin ku ai kaloi katër sezone, në të cilat shënoi 50 gola në 137 ndeshje, si dhe fitoi DFB-Pokal dhe Superkupën e Gjermanisë.
KATEGORIA E PARË
NDESHJET, JAVA 17
E premte, 19 janar 2024
Elbasani-Korabi 17:00
E shtunë, 20 janar 2024
Kastrioti-Bylis 13:30
Lushnja-Tomori 13:30
Apolonia-Flamurtari 13:30
E dielë, 21 janar 2024
Vora-Luzi 2008 13:30
Besa-Burreli 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Bylis 16 39
2.AF Elbasani 16 36
3.Vora 16 30
4.Flamurtari 16 30
5.Apolonia 16 26
6.Korabi 16 23
7.Lushnja 16 18
8.Kastrioti 16 15
9.Burreli 16 15
10.Luzi2008 16 12
11.Besa 16 11
12.Tomori 16 10