Rezart Dabulla: Tirana ka vështirësi për “Final 4”, nuk ka stabilitet

11

INTERVISTA/ Ish-futbollisti bardheblu, Rezart Dabulla tregon se skema e FSHF-së nuk vlerëson meritokracinë

Sigal

Agron Kaja

Janë luajtur 31 javë në Abissnet Superiore dhe ende kemi verdikte të papërcaktuara, si e komentoni ju këtë situatë?

Pak a shumë, do të thoja se ato që kanë potencial rënie janë Erzeni e Kukësi. Ndërsa për Final 4 do ketë luftë të madhe ndërmjet Tiranës e Dinamos, pse jo edhe Skënderbeut. Nisur nga ndeshjet e mbetura, më e rrezikuar është Tirana.

Në javën e 31-të “spikatën” fitoret në fusha kundërshtare. T’i mendojmë ndryshe këto rezultate?

Fitoret jashtë fushe të javës së 31-të i shoh të merituara, pa asnjë nuhatje tjetër. Sepse këto skuadra që fituan jashtë fushave të tyre me meritë, fituan duke patur parasysh situatën e tyre. Janë fitore të pranueshme, sepse janë më të përqëndruara.

Cilën nga ndeshjet e javës së 31-të e veçoni si më të mirën, dhe cilën me rezultatin e papritur?

Të gjitha ndeshjet kishin të veçantat e tyre, por unë nuk mendoja se do humbiste Vllaznia, ndërkohë që trajneri i Laçit si shkodran e menaxhoi mirë ndeshjen. Partizani duhej të barazonte që mos shkëputej Egnatia, e cila tregoi se është më e mira në Superiore.

Në javën e 30-të u shënuan 4 gola, ndërkohë që në këtë javë u shënuan 10 gola, pse ndodh kështu sipas jush?

Sepse ekipet nuk kanë shumë stabilitet, si Tirana apo Egnatia që nuk kishin fituar prej disa ndeshjesh. Luhatje të tilla në shënimin e golave janë të pranueshme në këtë situatë, e me këtë skemë që FSHF-ja po aplikon në këtë sezon të Superiores.

Edhe pesë javë deri në mbylljen e kampionatit, si i parashikoni 25 ndeshjet që do luhen?

Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh në vazhdimësi, ku Egnatia e Vllaznia do jenë këtu në këto vënde. Pse jo edhe Partizani do jetë në katërshe. Ndërsa Dinamo  duket një hap para Tiranës, por në “derbi” e kësaj jave me Partizanin do ndahet.

Deri në fund të kampionatit, ku mendoni se mund të ketë lëvizje në renditje?

Mendoj se vetëm për zonën “Final 4” mund të kemi ndonjë lëvizje në renditje, pasi zona e ftohtë e mbijetesës duket e mbyllur mes Kukësit dhe Erzenit. Sepse këto të dyja nuk besoj se do t’i fitojnë të gjitha ndeshjet që të mbijetojnë.

Duke ju referuar ndeshjeve të javës së 31-të, mund të themi se është zbehur prania e tifozerisë në shkallët e stadiumit?

Sigurisht që është zbehur tifozeria, dhe do të zbehet ende deri në fund. Me këtë skemë nuk vlerësohet meritokracia, sepse do ishte mirë që renditja e kampionatit të ishte verdikti final. Nuk është garë interesante me “Final 4”, tifozët janë larguar pasi duket një skemë e dështuar për t’i sjellë ata në stadium.

E keni një përcaktim për katër skuadrat e zonës “Final 4” dhe ato që do zbresin nga kategoria?

Unë ato i përmënda më sipër, ku më të rrezikuara për rënie janë Erzeni e Kukësi. Për “Final 4” pritet që Egnatian, Vllazninë e Partizanin ta shoqërojnë Dinamo ose Tirana. Skuadrat e kryeqytetit janë më larg, por unë më larg e shoh Tiranën.

Kupa, FSHF cakton datën dhe stadiumin e finales

FSHF-ja ka përcaktuar datën, orën dhe stadiumin ku do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, edicioni 2023-2024. Finalja do të luhet më 14 maj, në ora 19:00, në stadiumin “Air Albania”. Kupa e Shqipërisë ndodhet në fazën gjysmëfinale ku janë luajtur takimet e para, dhe takimet e dyta gjysmëfinale do luhen më 24 prill: Tirana-Kukësi (0-2) në ora 15:00 dhe Vllaznia-Egnatia (0-1) në ora 18:00.

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 32
E premte, 19 prill 2024

Erzeni-Tirana                 15:00

Kukësi-Skënderbeu        15:00

E shtunë, 20 prill 2024

Laçi-Egnatia                   15:00

Teuta-Vllaznia               18:00

Partizani-Dinamo City    18:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              31      57

2.Vllaznia             31      51

3.Partizani             31      48

4.Dinamo City      31      46

5.Tirana                31      43

6.Skënderbeu        31      41

7.Laçi                   31      38

8.Teuta                 31      37

9.Erzeni                31      31

10.Kukësi             31      26

 

VERDIKTET PAS JAVËS 31

“Final 4” në javën e 32-të pret skuadrën e fundit

Janë luajtur 31 javë në Abissnet Superiore 2023-2024 dhe nisur nga skema e re me “Final 4”, tre skuadra duket se e kanë siguruar pjesëmarrjen: Egnatia, Vllaznia e Partizani. Skuadra e katërt do të dalë mes Dinamo City e Tiranës, me dinamovitët më favoritë, ndërsa Skënderbeu duket larg kësaj skeme. Nëse në “derbin” Partizani-Dinamo City fitojnë të kuqtë dhe Tirana fiton me Erzenin, bardheblutë pozicionohen të barabartë në pikë me dinamovitët dhe hyjnë në grupin e “Final 4”.

Erzeni e Kukësi të rënë, dyshime për Play-off-in

Kur kanë mbetur edhe pesë javë deri në mbyllje të kampionatit në Abissnet Superiore 2023-2024, dy skuadrat: Erzeni dhe Kukësi, janë thuajse të rëna nga kategoria. Këta javë Kukësi pret në fushën e tij Skënderbeun, e në fushën e tij Erzenin pret Tiranën. Matematika i mban në lojë për mbijetesë. Ndryshe janë situatat për vëndin e 8-të, skuadra që luan play-off me Kategorinë e Parë. Këtu Laçi dhe Teuta janë kandidatë. Si pritëse, janë të favorizuara për tri pikët këtë javë.