Rama i dorëzoi “Shqiponjën e Artë”, Sylvinho: Shumë i nderuar të jem në mesin e shqiptarëve më të shquar

24
Sigal

Trajneri i kombëtares shqiptare Sylvinho u nderua ditën e djeshme nga kryeministri Rama me çmimin “Shqiponja e Artë”.

Ky çmim u dha gjatë punimeve të Samitit të tretë të Diasporës shqiptare të mbajtur në Pallatin e Koncerteve, ku u nderuan shumë figura shqiptare që kanë dhënë kontribute në vende të tjera. Mes tyre u nderua edhe trajneri brazilian për arritjen e finaleve të Euro 2024 në drejtimin e kombëtares kuqezi.

Në një postim në rrjetin social Instagram, Sylvinho shprehet i lumtur për marrjen e këtij çmimi dhe gjithashtu të qenit midis shqiptarëve më të shquar. Ai falenderon stafin teknik, Federatën ,futbollistët dhe të gjithë kombin shqiptar për bashkëpunimin e shkëlqyer në këtë arritje në fazën kualifikuese për Evropianin gjerman.

Postimi i Sylvinho-s:

Shumë i nderuar që mu akordua çmimi “Shqiponja e Artë” nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Normalisht, ky çmim u jepet shqiptarëve më të shquar në mbarë botën dhe të qenit në mesin e tyre më bëri të ndihem shumë i lumtur.

Së bashku me disa nga pjesëtarët e stafit teknik të ekipit kombëtar dhe zyrtarë të FSHF-së, falënderova futbollistët dhe të gjithë kombin shqiptar për këtë bashkëpunim të shkëlqyer që kemi krijuar përgjatë kualifikueseve dha dhe që kulmoi me kualifikimin tonë në finalet e Euro 2024.