Prof. Dr. Mehmet Spahiu: Në ndeshjet e luajtura, ende nuk kemi marrë emocionin e veçantë që të dhuron një Botëror

606
Sigal

Nga Agron KAJA

Dje në ditën e shtatë, katër skuadra e siguruan kualifikimin, ndërsa tre të tjera morën valixhet, ja si i përshkruan në gazetën “Telegraf” specialisti i futbollit të tre sfidat dhe parashikimet për sot

Në ndeshjet e ditës së shtatë, u kualifikuan dhe u eliminuan disa skuadra, a treguan vlerat e vërteta të gjitha?

Normalisht po, sepse janë kualifikuar skuadrat e traditës, dhe janë larguar skuadrat me më pak përvojë në këtë event. Këto treguan vetëm se janë kundërshtarë të vështirë, por që nuk kanë lënë ndonjë shenjë të mirë në dy ndeshjet që luajtën.

Çfarë do veçonit nga ndeshjet që u luajtën dje, lojën apo rezultatet?

Unë mendoj se, skuadrat e elitës në Botëror, janë munduar më shumë të menaxhojnë rezultatin, se sa të prodhojnë lojë të mirë. Duke qenë primar vetëm tri pikshi, ndeshjet kanë qenë të gjitha normale, pa ndonjë progres me ato që janë luajtur më parë.

Si ndeshjen më të mirë të ditës, cilën do veçonit ju në gjithë treguesit e saj?

Dje, më shumë emocion dha ndeshja e mbrëmjes Iran-Spanjë 0-1, dhe më pak ajo Uruguai-Arabia Saudite 1-0. Në të dyja kishte grintë në lojë, por për emrat e skuadrave fituese, ato mbeten si ndeshje të nivelit mesatar në këtë Botëror.

Po ndeshja më e dobët nga tre sfidat e ditës së shtatë Botërorit, cila veçohet prej jush?

Duke qenë se të tria ndeshjet e djeshme ishin si të barabarta në lojë dhe në rezultate, nuk mund të veçojmë një ndeshje më të dobët. Fitueset i realizuan synimet e tyre, edhe pse Uruguaji, Portugalia e Spanja, dje nuk ishin në nivelin e ndeshjeve të para.

Grupet A dhe B i formatuan renditjet, ju si mendoni se erdhën ato në këto dy ndeshjet e para që kanë luajtur skuadrat?

Në fakt, të gjitha skuadrat që mendohen të kualifikuar, nuk është se kanë treguar ndonjë kualitet të veçantë. Po e përsëris faktin, se të gjitha e kanë menaxhuar rezultatin për tri pikët, duke bërë ndeshje me llogari, jo për nivel në lojë.

Portugalia dje arriti një fitore të vuajtur ndaj Marokut, çfarë mendoni si arsye të këtij rezultati minimal?

Kualifikimi i Portugalisë mbetet i merituar, edhe pse ka ndeshjen e fundit dhe 4 pikët edhe mund të mos i mjaftojnë. Por, nuk ishte ajo Portugali e ndeshjes së parë me Spanjën, ndaj edhe vuajti shumë për ta ruajtur avantazhin që erdhi nga minuta e 4-t.

Spanja mori një fitore të merituar, apo VAR e “varrosi” barazimin me golin që i anuloi Iranit?

Jo, anulimi i golit të Iranit nga sistemi VAR, mendoj se ishte i drejtë, pasi edhe me sy të lirë dukej qartë pozicioni jashtë loje i lojtarit iranian që në fillimin e aksionit në zonën e Spanjës. VAR shoi ato polemika, të cilat në të tilla raste ndodhin pa këtë sistem.

Në Grupin C, sot do të luhen dy ndeshjet e radhës, së bashku me Argjentinën në Grupin D. Cilat skuadra i mendoni favorite?

Unë veçoj nga ndeshjet e sotme atë mes Argjentinës e Kroacisë, nisur së pari nga emrat e skuadrave dhe synimi që kanë në këtë takim. Ndërsa Franca pritet të japë më shumë nga ndeshja e parë me Australinë, pasi me përbërjen që ka, duhet të jetë më e qartë dhe e rrezikshme në fazën finale.

Në shtatë ditë janë luajtur 20 sfida, mendoni se ende nuk kemi një ndeshje më të mirë se ajo Portugali-Spanjë 3-3?

Ende jo, ajo ndeshje (Portugali-Spanjë 3-3) e 15 qershorit, besoj se ende mbetet në kujtesë si më e veçanta e këtyre sfidave në grupe të këtij Kampionati Botëror. Por, duhet të presim, se janë Gjermania e Brazili përpara, të cilat nga zhgënjimi në ndeshjet e para, mund të sjellin progres.

Maroku, ekipi i parë në Grupin B që i thotë “lamtumirë” Botërorit

Pas humbjes 0-1 me Portugalinë, skuadra e Marokut bëhet ekipi i parë, i cili i thotë, lamtumirë Kupës së Botës “Rusi 2018”. Ekipi maroken e kishte humbur edhe ndeshjen e parë përballë Iranit me po të njëjtin rezultat 0-1, por për lojërat që zhvilloi, ndoshta nuk e meritonte të largohej kaq shpejt, ndërsa ndeshjen e fundit me Spanjën më 25 qershor, e luan thjesht për formalitet zyrtar, pasi në letër për të është një ndeshje e humbur.

Dje ishte festë në Teheran, u lejuan gratë të shikonin ndeshjen me Spanjën

Autoritetet iraniane i kanë dhënë OK lejes, që gratë të ndjekin shikimet publike të ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit, së bashku me burrat. Dje, qytetet Azadi dhe Takhti i hapën dyert për gratë, të cilat kanë ndjekur transmetimin televiziv të ndeshjes Iran-Spanjë. Ndalimi i shikimeve publike për gratë është hequr edhe në parqe dhe objekte të tjera publike, ndërsa Agjencia iraniane e lajmeve ISNA, konfirmoi dje, se leja vlen vetëm për ndeshjen e djeshme.

Xheorxhina e Kristianos, në rivalitet me ruset, tifoze “e flaktë” në “Luzhniki”

Në fitoren e djeshme, madje edhe në golin e shënuar që në minutat e para në sfidën kundër Marokut, Kristiano Ronaldo është nxitur edhe nga e dashura e tij Xheorxhina Rodrigez, e cila e ishte në stadiumin “Luzhniki”. Ajo është fotografuar e veshur me një fanellë me ngjyrat portugeze. Prania e saj dje në stadium, është vlerësuar si një motiv për Ronaldon, që në këtë ndeshje shënoi golin e fitores, dhe të katërtin personal në këtë Botëror.

Botërori fillon të “hajë” koka trajnerësh, ja kush e pëson i pari

Hektor Kuper është trajneri i parë, që e pëson nga kjo kupë bote. Trajneri i Egjiptit, është shkarkuar pas 2 humbjeve në 2 ndeshjet e para, gjë që solli edhe skualifikimin e ekipit të “faraonëve”. Me yllin Salah në ekip, pritshmëritë e Egjiptit ishin të mëdha, por gjithçka u shua shumë shpejt, teksa ndaj Uruguajit u mundën në takimin e parë, pas një goli në sekondat e fundit, ndërsa ndaj Rusisë 3 golat e vendasve, bënë të pavlefshëm rrjetën e Salah nga 11-metërshi.

Ronaldo sqaron gjestin: Mjekra? “Më i madhi i të gjitha kohërave”

Në sfidën e parë në këtë Botëror kundër Spanjës, Kristiano Ronaldo shënoi tre gola, por edhe fërkoi mjekrën, si për të treguar mjekrën e cjapit, pra GOAT. Ndoshta ky gjest u interpretua si një mesazh, se portugezi është më i madhi, por vetë Ronaldo mundohet të mos krijojë shumë debate në lidhje me këtë histori, dhe dje në rrjetet sociale, ai sqaroi arsyen e atij festimi. “Ishim në sauna para ndeshjes kundër Spanjës, dhe më pas kur po rruhesha, u thashë me shaka shokëve që do e lija mjekrën si cjap, deri në fund të Botërorit, natyrisht nëse do të shënoja ndaj Spanjës”. Në anglisht ekziston një shkurtim inicialesh që formon fjalën GOAT, e cila përkthehet “cjapi” ose “dhia”. GOAT është shkurt për “Greatest Of All Time”: “Më i madhi i të gjitha kohërave”. Disa ditë para Botërorit, ditësh Lionel Mesi u shfaq në kopertinën e një reviste me një cjap dhe disa dhi, dhe aludimi i Ronaldos për GOAT është i qartë, “Më i madhi i të gjitha kohërave”.

 

Të dhëna nga ndeshjet

Ndeshje të luajtura: 20

Gola të shënuar: 43

Me penallti: 8

Penallti të humbura: 2

Autogola: 5

Goli i parë: Grupi A

Gazinski 12’ (Rusi)

Goli në ekstrem: Grupi A

Golovin 90+5’ (Rusi)

Më shumë gola: Grupi B

Portugali-Spanjë          3-3

Më pak gola: 3 ndeshje 1-0

Kartonë të verdhë: 44

Karton i kuq: Sançez (Kol)

Lojtarë golashënues: 34

Lojtari me më shumë gola:

Ronaldo (Port) 4 gola

Skuadra më shumë gola

Rusia: 8 shënuar, 1 pësuar

Zhgënjyen në start

Gjermani, Brazil, Argjentinë

 

PORTUGALI-MAROK 1-0

Shënues: Kristiano Ronaldo 4’

Fitore e vuajtur për Portugalinë, trajneri Santos ka shumë për të folur

Në përballjen e dytë në grupin B, Portugalia arriti të merrte një fitore të rëndësishme, pasi fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj Marokut. Portugezët e nisën me vrull ndeshjen dhe shënuan që në minutën e 4-t me anë të Kristiano Ronaldos, dhe ky gol dha idenë se mund të kishim shumë gola. Por, në pjesën e dytë portugezët humbën shumë terren ndaj marokenëve, duke rrezikuar disa herë rezultati të barazohej. Dhe në përfundim të sfidës, tekniku i Portugalisë, Karlos Santos, është shprehur i pakënaqur nga loja, dhe se për këtë situatë ka shumë për të folur me skuadrën. “E nisëm shumë mirë takimin, por me kalimin e minutave, loja jonë pësoi rënie të ndjeshme. Më kënaq fakti që arritëm të dalim me 3 pikë nga ky takim, por kam shumë për të folur me futbollistët pasi ndeshje të tilla nuk duhet t’i zhvillojmë më”, u shpreh Santos, ndërsa Guerreiro tregoi se ka kaluar një ndeshje si në “luftë” ndaj Marokut, me dëmtimet që pësoi.

URUGUAI-ARABIA SAUDITE 1-0

Shënues: L. Suarez 23’

Një gol i Suarez e kualifikon Uruguajin, Arabia Saudite mbetet “thatë”

Grupi A i mbylli dje ndeshjet e dyta të tij, dhe Uruguaji arriti që ta zgjidhte fitoren ndaj Arabisë Saudite, vetëm me një gol të Luis Suarez. Edhe pse u luajt një ndeshje paksa e lodhshme dhe e mërzitshme, Uruguai u tregua më superior, ndoshta edhe pa dhënë as 50% të rendimentit të tij të mundshëm. Ndërsa Arabia Saudite në këtë takim, nuk mundi të shijonte një barazim, por të paktën evitoi goleadën, e cila e turpëroi në ndeshjen e parë ndaj Rusisë. Këtë herë ishte portieri rezervë, Alovais, i cili bëri gafën nga ku u prodhua goli Suarezit, i cili bëhet kështu lojtari i vetëm i Uruguajit që ka shënuar në tre Botërorë. Ndërsa për renditjen, Uruguai tashmë kualifikohet së bashku me Rusinë, dhe ndeshja e fundit mes tyre do të luhet vetëm për vendin e parë e të dytë në Grup. Me këtë ndeshje, dje u formatua edhe renditja në Grupin B pas dy ndeshjeve, të cilën e kryesojnë Rusia dhe Uruguaji me pikë të plota, nga 6 me 2 fitore.