Sigal

Nga Agron KAJA

Si e përshkruani sfidën e djeshme Francë-Belgjikë, të bukur, apo tipike për kualifikim?

Unë e quaj një fitore të bukur atë të Francës sot (dje), por edhe të mundimshme. Sepse Belgjika dje u tregua një kundërshtar i denjë, dhe për mënyrën se si rrodhi kronika e kësaj sfide, edhe belgët mund të ishin fitues të saj.

Përpos rezultatit, me lojën që zhvilloi, mendoni se Franca e meritoi këtë finale?

Duke e parë Francën që nga ndeshjet në grup, në ndeshjet e 1/8-ve dhe sot (dje) në gjysmëfinale, them se e ka merituar finalen. Sidomos në këtë ndeshje ndaj Belgjikës, ajo tregoi se e meritoi plotësisht duke qenë superiore në shumë tregues të lojës.

Po Belgjika, i kishte mundësitë që ta kalonte dje Francën në këtë gjysmëfinale?

Unë ja u deklarova më sipër, se edhe Belgjika ishte e denjë që ta fitonte këtë ndeshje gjysmëfinale, por futbolli prandaj është sa i bukur, aq edhe kapriçioz. Sepse rezultatet kësisoj mbeten në dorë të fatit, i cili dje ishte me Francën.

Me këtë sfidë të luajtur dje, mendoni se sot do të kemi një tjetër ndeshje të kësaj natyre?

Edhe nesër (sot), unë mendoj se ndeshje e kësaj natyre do të jetë, si Franca me Belgjikën. Por Anglia mundet që ta dominojë sfidën, sepse nga pikëpamja fizike, kroatët vijnë të lodhur nga pikëpamja fizike. Shenjat e lodhjes ato i treguan që në ndeshjen me Rusinë, ku u kualifikuan falë penalltive.

Tashmë që është mësuar finalistja e parë e këtij Botërori, mund të themi se “Tre luanët” do të jenë kandidatët kryesorë për Kupën?

Patjetër që po, dhe cilado që të jetë finalistja e dytë, Anglia apo Kroacia, unë mendoj se Franca i ka të gjitha shanset që të jetë ajo Kampionia e Botës. E quaj një sukses edhe të trajnerit Deshamps, i cili po përsërit suksesin si lojtar, kur Franca fitoi Kupën e Botës në vitin 1998.

Sot luhet gjysmëfinalja e dytë, cilën skuadër shikoni më favorite, Anglinë apo Kroacinë?

Sigurisht që Anglinë, sepse më së shumti duhet thënë se ajo është skuadra që vjen nga një kampionat i fuqishëm që është Premier Liga. Ka lojtarë që përballojnë sfida të niveleve të larta, ndaj edhe atë e mendoj të denjë që të jetë finaliste e këtij Botërori.

Cilat i mendoni pika të forta për anglezët, njëherësh edhe për kroatët?

Anglia ka si pika të forta veprimet mbrojtëse si skuadër, njëherësh edhe ato në mesfushë. Ndërsa Kroacia ka lojtarë të niveleve të larta, dhe aty e ka mbështetur suksesin e deri tanishëm, por nuk ka ndonjë të veçantë tjetër që të kalojë mbi Anglinë.

Ky Kampionat Botëror është në “milimetrat” (ndeshjet) e fundit të tij (3 ndeshje), sa ju ka tërhequr, dhe pse?

Deri tani, ky Kampionat Botëror ka treguar se diferencat mes skuadrave janë zvogëluar shumë. Nuk mund të dallojmë shumë lojën mes skuadrave të vogla dhe atyre të mëdha, kur kujtojmë që janë eliminuar Gjermania, Spanja, Argjentina e gjithë të tjerat që kanë fituar Botërorë.