Prof. As. Xhevdet L. Zekaj: Faruk Kalleshi, gjigandi shtatshkurtër i peshëngritjes shqiptare

684
Faruk Kalleshi është gjigandi shtatshkurtër i peshëngritjes shqiptare, i cili gëzon titullin më të lartë, “Nderi i Kombit”, që ka mundur ta marrë nga sportistët deri më sot vetëm futbollisti i magjishëm Panajot Pano. Kalleshi, është i vetmi shtangist shqiptar që ka nisur dhe përfunduar karrierën 21-vjeçare duke qenë vetëm e vetëm kampion kombëtar, me 116 rekorde të thyer, triumfator i padiskutueshëm përmes një ankete kombëtare në vendin tonë si “Peshëngritësi më i mirë i shekullit 20”. Ai ka qenë me rezultate shumë pranë rekordit botëror dhe mban në gjoksin e shtatit të tij të shkurtër, si të një luftëtari Berber, mbi 130 medalje e dekorata. Faruk Kalleshi është maja e “Himalajës” së sportit shqiptar, i cili ka mbi 50 vite që na ushqen me lavdinë e vet. Një “perlë” shkodrane, por mua më bënë tifozin e tij vitet që kaloi te Partizani. Vështirë se gjen tjetër kund një sportist të tillë, jo vetëm shqiptar, ku pesha e medaljeve t’ia kalojë peshës së trupit; ku numri i rekordeve t’ia kalojë çdo imagjinate. Plot 116 të tilla, një det me rekorde. Fitoret në katër Olimpiada Kombëtare, shoqëruar me medalje ari, kornizojnë shterueshëm konkluzionin: ky është një mbret, që sundon sportin shqiptar. Faruk Kalleshi është Piramida Keopsiane e sportit shqiptar: baza janë rekordet, mesi sinjifikohet me jetëgjatësinë si fitues në sport, ndërsa maja, apo “Himalaja” është bilanci jetësor. Nëse do të mblidhnin kilogramët e ngritur lart nga Faruk Kalleshi do të ishte mbushur edhe diga e Fierzës, por ky kampion i madh nuk ka marrë asgjë nga sporti. Ai vazhdon të jetë një perandor i heshtur, ku familja, miqtë, atdheu, dashuria për sportin, krenaria dhe lavdia, janë thesare të patjetërsueshme. Të përmbledhësh në pak rreshta gjigandin shtatshkurtër të peshëngritjes shqiptare është thuajse e pamundur, por kampionët si ai janë e do të pjesë e lavdisë sportive të këtij vendi! 
Rekordet dhe medaljet e Faruk Kalleshit
Lindur më 6 dhjetor 1945 në qytetin e Shkodrës. Më 12.12.1964 në Kampionatin Kombëtar në Berat u shpall Kampion Kombëtar duke vendosur 4 rekordet e para kombëtare. Në vitet 1964-1984 është shpallur 21 vite rresht Kampion Kombëtar i Shqipërisë. 1966-1984 anëtar i ekipit kombëtar duke fituar medalje ari, argjendi, dhe bronxi. 1964-1984 fitues i Kupës së Republikës 21 herë. Në vitin1970 ka tentuar të thyejë rekordin botëror dhe ka ngelur 5 kg larg tij. 1973 shpallet Mjeshtër i Merituar i Sportit. 1964-1984 është 6 here fitues i anketës “10 sportistët më të mirë të vitit “. Në vitet 1966,1970,1973,1977,1978,1981. 1969-1984 është fitues i medaljeve të arta në spartakiadat kombëtare në vitet:1969,1974,1979,1984. 1964-1984. Ka thyer 116 rekorde kombëtare. Në vitin 1984 në Spartakiadën e V-të Kombëtare fiton 3 medalje ari dhe mbyll karrierën e tij sportive në moshën 39 vjeçare. Në vitin 1998 gazeta Sporti Shqiptar hap superanketën e shekullit. Me votim të klubeve sportive, Federative Sportive, Komitetit Olimpik, gazetarëve sportivë, shpallet fitues i Anketës “10 sportistët më të mirë të shekullit”. Në vitin1999, Ministria e Kulturës Rinisë dhe e Sporteve nderon me medaljen “Nderi i Sportit Shqiptar”. Në vitin 2000, Presidenti i Republikës të Shqipërisë Z. Rexhep Mejdani e nderon me urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës” . Në vitin 2012, Presidenti i Republikës të Shqipërisë Z. Bamir Topi e nderon me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”.
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf datë 28.11.2015