Sigal

Superliga në skanerin e 14 javëve

Partizani në provën e zjarrit, Skënderbeu me shkëlqim nëndetëseje. Teuta, Laçi, Kukësi, Flamurtari të gatshëm, Luftëtari,Tirana, Kamza, Kastrioti në luftë mbijetese

Superliga sapo ka marrë superxhiron dhe këto 14 javë tregojnë se rivaliteti është më prezent se asnjëherë tjetër. Diferenca e vogël e kryesueseve tregon se do të jetë një kampionat i luftuar, por jo më pak edhe fundi i tabelës nuk “pranon” të dorëzuar së paku deri në këto javë , por ajo që është konstante dhe e frikshme është zbrazëtia nga tifozeria. Me ndonjë rast të veçantë kur shikon stadiumet bosh mendon se kemi të bëjmë me ekipe të dënuara . Padyshim në këtë andikap ne nuk kërkojmë të krahasohemi me Anglinë, Gjermaninë apo Spanjën që tashmë abonimi në stadiume bëhet për vitet pasardhës, por së paku prezenca e tifozerisë të jetë disa herë më e madhe se forcat e sigurisë…! Edhe në këtë fazë të parë ndryshimi i trajnerëve nuk do përbënte ndonjë lajm sensacional. Kamza do ta udhëheqë këtë “kampionat” teksa ka ndryshuar 3 deri tani duke u pasuar nga Luftëtari apo edhe Kastrioti.

Partizani: Mbas disa vitesh përpëlitjesh me batica dhe zbatica, ndoshta ky kampionat mund të quhet viti i Partizanit. Më shumë se statistikat fituese te Partizani fitues është mentaliteti që me kaq profesionalizëm është përcjell nga stafi dhe trajneri tek futbollistë. Edhe pse drejtuesit e tij kanë disa vite që e kanë pretenduar titullin një farë ndërgjegjësimi e kanë pasur se nuk kanë qenë të gatshëm, për ta merituar atë. Po pse jo kjo kohë u shërbeu edhe si eksperiencë për ta kuptuar se për të qenë kampion duhet të kesh një Partizan të formatuar mirë si nga ana profesionalë, organizative ashtu edhe mentale. Investimi ka qenë gjithnjë prezentë tek Partizanit, por ajo që nuk ka qenë prezent dhe ka sjellë ndryshimin është “Institucioni Gega”. Tropojani i trajningut përpos nivelit të tij të plotësuar akademik-teknik, ka ditur të sjell harmoni brenda grupit duke larguar presionin dhe duke ju marrë futbollistëve më të mirën e mundshme, por mbi të gjitha duke qenë një kurajoz për futbollistët e “dëshpëruar”. Kjo ka qenë një nga armët plotësuese të Partizanit që së bashku me kualitetin brenda, përpos konkurrencës ka krijuar një bindje se tani – “Po”. Inkurajimi në humbjen e fundit me Flamurtarin ishte një komunikim ekselent i trajnerit që veç i ka motivuar futbollistët e tij për ta nderuar si fanellën ashtu edhe trajnerin këtë “profesor” psikologjie. Nuk është momenti i elegjisë sepse vetëm 1 pikë është i avantazhuar nga vend i dytë Skënderbeu, por elegji është harmonia brenda grupit që ngroh, për një Partizan kampion. Tashmë demat e kuq do jenë në sprovën e radhës në “derbin” kaq shumë të pritur me Tiranën.

Skënderbeu vazhdon marshimin me shkëlqimin e kampionit, por tashmë me një staturë nëndetëseje. Rezultatet e tij në këto javë nuk kanë qenë të bujshme, por gjithsesi janë konkrete dhe pragmatiste në çdo rast ai është një pretendent i denjë për të synuar të 8 vit kampionatin edhe pse tashmë është me një shkëlqim më të zbehur. E shtuna do të jetë një bango-provë për korçarët që kanë shansin ta fundosin vendin e tretë Teutën ose të rrezikohen nga ky vend.

Laçi:Tashmë Laçi është një realitet, si nga hera edhe këto javë noton në zonën e mesit, por për ta bërë shkëputjen në finish, atëherë kur fillon edhe shkëputjen për në zonën evropiane. Pragmatizmi laçianë tashmë është një formulë postulat, që gjithmonë qëndron në mesin e artë duke as mos rrezikuar për rënie nga kategoria, por as për të mos pretenduar për të qenë kampionë. E diela e 2 Dhjetorit do të jetë më shumë se një ndeshje “derbi” që veç humbja nuk i pranohet me Kamzën.

Kukësi: I investuar për kampion, por që këto javë e gjen renditja në vendin e 6. Aq sa ja kanë prishur qetësinë dëmtimet, po kaq edhe mbipopullimi. Ndodh shpesh që nuk je mirë kur nuk zgjedh dot, gjithsesi Kukësi është nga hera aty, aty ku e thërret kreu i klasifikimit dhe pikët janë me tepri për të mbërritur. Natyralizimi i të luajturit ndeshjet gjithmonë në transferta i jep “avantazhin” e javës që mos të quhet i mysafirë në Gjirokastër !

Luftëtari :Ekipi simpatik udhëheq klasifikimin e zonës jo. Futet tek zona “aq sa I rrezikuar , aq I pretenduar” Edhe pse bënë lojëra të bukura, rezultatet ja hedhin poshtë këtë. Mezani ka sjellë një frymë besimi që gjithsesi nuk është justifikuar. Ndoshta është rasti që në takimin me Kukësin ta lerë spektaklin dhe të shikojë pikët.

Tirana :Ekipi që ka harruar të fitojë, por më shumë kjo fitore i mungon me rivalin e përhershëm Partizanin. Pinjolli Mema është vënë në vështirësi për t’ju mësuar të tijve se kush është Tirana. Vetëm fitorja me Partizanin mund ta tolerojë gjendjen, ndryshe…, keq ! Më shumë duhet të mendojë për rënien se sa për revansh.

Kamza :Me një nisje të shkëlqyer në takimin e parë kur në “Selman Stërmasi” rrahu Tiranën me atë përbërje dhe me atë nisje u duk se do kishim një pretendent tjetër. Por “fikja” erdhi shpejt. Humbi harmonia, qetësia, ndryshimi i trajnerëve e ka vënë në vështirësi rishtarin Gjoka për ta mbledhur ekipin. Gjithsesi takimi me Laçin do të jetë më shumë se një provë kthese.

Kastrioti: I fundmi i më të mirëve. Lojërat me afrimin e Nicës kanë qenë përtej atij të një ekipi që mbyll klasifikimin. Koha ende punon për të, premisat flasin për një Kastriot tjetër . Paraqitja e ndeshjeve të erës “Nica” na jep sigurinë që në takimin e së dielës së 2 Dhjetorit Flamurtari do ta ketë më shumë se të vështirë.

Aty është loja, aty edhe mejdani…