Prezantohet trajner i ri i Vllaznisë, Migen Memelli: Ndërtojmë skuadër kompetitive, Shkodra meriton shumë

72
Sigal

Migen Memelli është prezantuar si trajner i Vllaznisë. Tekniku i njohur në fjalën e tij u shpreh optimist për të ardhmen, duke premtuar se do bëjë të pamundurën për të dërguar suksesin drejt trofeve. Memelli e pranoi se asgjë nuk do jetë e lehtë, por theksoi se nëse të gjithë punojnë si grup, mund të arrihen gjëra të mëdha.

“Dua të falënderoj klubin, njerëzit që e përfaqësojnë, presidentin dhe drejtorin Plori që më besuan detyrën e trajnerit. E di që është punë shumë e vështirë të jesh trajneri i Vllaznisë, më është ngarkuar një përgjegjësi shumë e madhe. Nisur nga ky fakt dua të shtoj, që pa dashur të futem më thellë, po i bie shkurt, e fundit është që do të mundohem në bindjen tine të jem një njeri i ndershëm e sa më punëtor për objektivat e Vllaznisë.

“Objektivat? Së pari është formimi i skuadrës, të formojmë një skuadër sa më konkurruese. Pastaj është të hedhim hapa të vegjël dhe të sigurt. Ajo që na bind dhe është detyrë, është që nga nesër të fillojmë përzgjedhjen për të ndërtuar një skuadër sa më kompetitive për qytetin, tifozët e klubit. Shkodra meriton një skuadër kompetitive, një ekip që ka dëshirë për të ecur përpara. Në katër vitet e fundit Vllaznia ka fituar Kupën dhe është përfaqësuar në Europë, në sajë të kësaj vazhdimësie na bie për detyrë të bëjmë të njëjtën gjë.

Meqë jemi në pjesën e fillimit të karrierës, hapat hidhen gradualisht. Si i ri e kam kaluar një periudhë te Laçi e Skënderbeu dhe sot është një punë që më është ngarkuar me përgjegjësi dhe do të mundohem ta bëj me një ndershmëri të madhe.

Reagimet e tifozëve? Përplasje mund të kemi pasur nga e kaluara, mund të jenë fërkimet e vogla që i përkasin futbollit. Por jam sot për t’i siguruar që çdo gjë që ndodh në futboll është pjesë e saj. Komuniteti i futbollit është një familje e madhe dhe përpos kësaj ne jemi një familje dhe në vijimësi të bisedës jam njeri i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm te puna ime dhe ju premtoj se puna ime do të jetë e palodhur karshi objektivave që ka klubi.

Nuk kam folur ende me presidentin se ai është jashtë Shqipërisë, ia ka deleguar bisedimet drejtorit. Kur të kthehet do të flasim për të vazhduar punën e folur për vazhdimësinë.

Fillimisht do të përqendrohemi te ndërtimi i skuadrës e pastaj gjërat e tjera”, tha Memelli.