Presidenti Ilir Meta: Në këto Lojëra, uroj të arrini rezultate të larta e medalje, në këtë Vit Mbarëkombëtar të Skënderbeut

549
Sigal

Nga Agron KAJA

LOJËRAT OLIMPIKE MESDHETARE/ Dje në Presidencë morri “bekimin” ekipi shqiptar që do të garojë në “Tarragona 2018”, Smajlaj flamurmbajtësi kuqezi

Tri ditë para nisjes për në Lojërat Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018”, ekipi shqiptar i përbërë nga 87 sportistë meshkuj e femra, ka marrë dje “bekimin” nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili flamurin kuqezi ia ka dorëzuar Kampionit të Evropës, atletit Izmir Smajlaj. Në këtë ceremoni, veç sportistëve trajnerëve ishin të pranishëm edhe Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, Presidenti i Federatës së Notit, Agim Çiraku, Presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, si dhe përfaqësues të federatave të tjera sportive. Duke ju drejtuar sportistëve, Presidenti Meta tha se, në këto Lojëra ekipi ynë olimpik i ka të gjitha shanset, falë përkushtimit pasionit dhe talentit, që të ketë rezultate shumë të mira. “Është kënaqësi e veçantë që t’ju pres të gjithëve sot (dje) në prag të Lojërave Olimpike Mesdhetare që do të zhvillohen në Spanjë, dhe me këtë rast t’iu uroj suksese në këto Lojëra, për të cilat ju jeni përgatitur për një kohë të gjatë me një dëshirë dhe me një qëllim, për të përfaqësuar sa më mirë Shqipërinë, dhe për të përfaqësuar në mënyrën më dinjitoze flamurin tonë kombëtar. Nuk jam shumë i lumtur që peshëngritja nuk merr pjesë në këto Lojëra, sepse do të isha shumë i qetë për medaljet që do të vinin, por përsëri kam besim se pavarësisht nga këto arsye, përsëri këtu kemi mjaft sportistë dhe sportiste, të cilët i kanë të gjitha mundësitë për të sjellë në vend medalje dhe vende nderi, të cilat do të ishin mjaft të mirëpritura dhe të duartrokitura nga të gjithë shqiptarët, aq më tepër në këtë vit që ne e përjetojmë si vitin e heroit tonë kombëtar Skënderbeut”, kështu theksoi fillimisht Presidenti Ilir Meta në këtë ceremoni, i cili më pas ju referua edhe rezultateve të sportistëve tanë që do të garojnë në këtë event. “Shqipëria ka arritur në Lojërat Mesdhetare historikisht rezultate shumë të mira dhe shumë pozitive në të gjitha sportet, dhe unë besoj që edhe në këto Lojëra ne i kemi të gjitha shanset, falë përkushtimit, pasionit dhe talentit tuaj që përsëri të kemi rezultate shumë të mira. Jam shumë i gëzuar edhe për rezultatet e ekipit të volejbollistë femrave, rezultatet e undit që tregojnë një rizgjim të asaj tradite të shkëlqyer që ne kemi pasur në këtë sport dhe në këtë përfaqësim dhe padyshim edhe në shumë fusha të atletikës”, ishte kjo deklarata përcjellëse e Presidentit të Shqipërisë, i cili ju uruar sportistëve suksese dhe përfaqësim sa më dinjitoz të ngjyrave kuq e zi në këtë event. Ekipi shqiptar shkon në “Tarragona 2018” me një delegacion prej 94 vetësh, ndër të cilët 50 janë sportistë e trajnerë në sportet individuale, 47 të tjerë janë volejbollistë meshkuj e femra, së bashku me stafet e tyre, që në total do të garojnë në 14 disiplina sportive. Misioni i këtyre Lodrave është që të edukojë qytetarët dhe pjesëmarrësit, me vlerat dhe shpirtin e Lojërave Mesdhetare: solidaritetin, paqen, respektin për diversitetin, edukimin, shëndetin dhe qëndrueshmërinë.