Presidenti i Notit Agim Çiraku: Presim të hapen pishinat për gara

608
Sigal

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit në një takim me trajnerët kërkon të gjejë mënyrën për rinisjen e aktiviteteve kombëtare, plotësisht të bllokuara

GJERGJ VYSHKA

Pishinat, mbi bazën e urdhërit më të fundit të Qeverisë, kjo më datë 9 korrik 2020, do të qëndrojnë të mbyllura, jo vetëm për profesionistët, por dhe për amatorët. Kjo sjell bllokimin e sporteve të ujit, ndërsa thirrja e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, është për hapjen e notit në tërësi. Në Shqipëri luhet futboll. Ka nisur të kryejë aktivitetet në rrugë çiklizmi, ndërsa në gusht do të jetë në pistë atletika. I vetmi i bllokuar është noti. Për këtë arsye, i pari i notit shqiptar ka pasur dhe një takim me trajnerët paraditen e së premtes, ndërsa është kërkuar gjetja e një mënyre për të kryer aktivitetet kombëtare. Tanimë gjithçka mbetet në dashamirësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, apo dhe të Arsimit, Rinisë dhe Sporteve për t’i thënë “Po” notit. Sepse hë për hë ka “mbetur thatë” dhe i bllokuar. Ja dhe intervista e plotë e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, dhënë për gazetën “Telegraf”.

  • Zoti President, tashmë ka mbërritur dhe urdhëri i Kryeministrit për mbylljen totale të Pishinave. Çdo të thotë kjo?
  • Do të thotë që ta bllokosh krejtësisht si sport. Mirë që nuk po bëjmë aktivitetet, por tanimë nuk na lënë as për stërvitje. Duhet të mendojnë për të gjithë këta sportistë, apo dhe dashamirës të sporteve të ujit. Sepse ashtu sikurse luhet futboll, apo sikurse bëhen sportet e tjera në ambiente të hapura, ashtu duhet të zhvillohet dhe noti. Shpresojmë që të mos jetë e largët dita që të nisim normalisht.
  • Aktualisht çfarë po ndodh me notin shqiptar? Pse nuk janë hapur pishinat të paktën për të filluar aktivitetet?
  • Noti shqiptar, sot që po flasim, me të thënë të drejtën është në vështirësi. Kjo në mënyrën e organizimit të aktiviteteve. Është i vetmi sport që kam mendimin dhe kam bindjen se do të ketë vështirësi në hapjen e aktiviteteve. Kjo ndodh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, pasi asnjë lloj aktiviteti ndërkombëtar dhe kombëtar nuk është zhvilluar në pishina të hapura, apo të mbyllura. E kjo do të reflektohet edhe në aktivitetet tona.
  • Çfarë vështirësie ka realisht noti shqiptar për të nisur aktivitetet?
  • Kam përshtypjen se janë rregullat. Rregullat e vendosura nga të tjerët, por edhe rregullat e vendosura nga shteti shqiptar, që ne jemi të detyruar t’i zbatojmë. Janë disa aktivitete siç Pub-et, noti, apo aktivitetet sportive, që janë grumbullime masive të njerëzve, të cilat janë bllokuar dhe ne jemi të detyruar t’i zbatojmë ato rregulla.
  • Por në fakt a nuk janë grumbullime masive amatorët që janë nëpër pishina çdo ditë për kënaqësinë e tyre?
  • Ata zbatojnë protokollet e tyre. Janë në distancë. Janë pak, nuk janë grumbullime masive. Notojnë me rregulla dhe me numra të caktuar një herë para dhe një herë prapa. Pra jo ashtu siç i ka kushtet noti dhe siç i pranon noti në tërësi, ndërsa do të grumbullohen të gjithë tifozët në një vend, pra një grumbullim masiv. E ndërkohë kur dhe notarët do të hidhen në të njëjtën kohë. Kështu që është në vështirësi.
  • Nisur dhe nga takimi që keni bërë me trajnerët, si e mendoni zgjidhjen dhe realisht kur do të jeni në aktivitet?
  • Ne bëmë një bashkëbisedim me trajnerët për të folur për sportin dhe aktivitetet. Ishte e vetmja mënyrë për t’i bërë “presion” qeverisë dhe Ministrive përkatëse duke i kërkuar që të na japë mundësinë për të zhvilluar aktivitetet dhe për të plotësuar kalendarin tonë sportiv të miratuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Kjo për ta bërë notin si të gjitha llojet e sporteve të tjera që të bëjë aktivitetet dhe të plotësojë kalendarin e vet. Diskutuam dhe vendosëm rregullat tona dhe kemi një propozim për Ministrinë pas së cilës do të shohim dhe rezultatin e këtij takimi.
  • Së fundi, pra nuk ka një datë të saktë për rifillimin e aktiviteteve tuaja?
  • Jo nuk kemi një datë për fillimin e aktivitetit. Kemi diskutime për sportin e notit dhe çfarë do të bëjmë me aktivitetet në këtë periudhë derisa të hapet i gjithë vendi dhe e gjithë Bota nga kjo pandemi që ka zënë notin në veçanti dhe sportin në përgjithësi.