Presidenti Agim Çiraku: Cilësia e niveli i garave, tregues që duan vazhdimësi

531
Nga Agron KAJA

NOTI/ Në pishinën e AN “Te Stela”, dje u mbyllën garat e Kampionatit Kombëtar të Fëmijëve, Kategoritë A, B dhe C, FSHN-ja zhvilloi edhe punimet e Asamblesë

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e djeshme, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, u ndal në të dy anët e “medaljes” për vitin 2017. Duke përmendur së parë mangësitë, ai përmendi ato më evidentet, që sipas tij, kanë qenë pengesë në ecurinë pozitive dhe zhvillimit të notit në përgjithësi. “E kemi pasur mangësi pjesëmarrjen e prindërve trajnerë, e gjatë vitit 2017 ky fenomen ishte pak prezent. Një fëmijë që do të stërvitet nga prindi nuk do të hyjë në garë, kjo do të ndihmojë shumë në organizimin e garës në standardet duhura”, kështu theksoi fillimisht Presidenti Çiraku, i cili përmendi edhe mangësi të tjera. “Shfrytëzimi i bursës olimpike gjatë vitit të kaluar nga notarja Alesia Neziri, e detyroi KOKSH-in që të bënte ndërprerjen e saj. Ajo nuk i plotësoi kushtet e shfrytëzimit, dhe si ky rast ne nuk do të lejojmë në vazhdimësi. Disa ditë më parë, notarja Nikol Merizaj e përfitoi këtë bursë për periudhën 2018-2020, por ne jemi të detyruar të ndjekim shfrytëzimin që ajo do ti bëjë, pasi stërvitet në Greqi. Ndërkohë që një defekt i cili këtë vit do të marrë fund, është anëtarësimi i ekipeve. Për vitin 2018, cili ekip nuk do të paguajë kuotizacionin, nuk do të marrë pjesë në garë”, ishin këto mangësitë që Presidenti i FSHN-së përmendi dje në hyrje të fjalës së tij në Asamble, ndërsa më pas u ndal edhe tek disa tregues pozitivë, të cilët ai premtoi se këtë vit e në vazhdim, do të kenë rritje. “Garat e notit tashmë janë shtuar. Nuk bëhet më fjalë që të zhvillojmë veprimtaritë kombëtare, vetëm në dy apo tre gara. Edhe gjatë vitit që po analizojmë, 2017-ës, ato janë shtuar e kështu do të vazhdohet vit pas viti”. Gjatë vitit 2017, sipas Presidentit Çiraku, kualifikimi i trajnerëve dhe zhvillimi i Kampionatit Mbarëkombëtar në Durrës, ishin prioritete që u realizuan me shumë sukses. “Rritjen e rezultateve të notarëve në çdo aktivitet, unë e shoh të lidhur ngushtë edhe me kualifikimin e trajnerëve, e më pas të abritrave, të cilat Federata gjatë vitit të kaluar i zhvilloi me seriozitet këtu në Shqipëri, ndërsa shumë prej tyre u trajnuan në kurse jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, zhvillimin e Kampionatit Mbarëkombëtar gjatë vitit të kaluar, unë e quaj sukses të përbashkët, një bashkëpunim me homologët tanë në Kosovë. Për këtë vit, mendohet një pjesëmarrja edhe më e gjerë me notarë nga Mali i Zi e Maqedonia”. Po dje, gjatë zhvillimit të Asamblesë, u fol edhe për kërkesat e një tabele elektronike, ku i është bërë kërkesë MASR dhe KOKSH-it, njëherësh kërkesa i është dërguar edhe Federatës Botërore të Notit.
Rritjen e rezultateve të notarëve në çdo aktivitet, unë e shoh të lidhur ngushtë edhe me kualifikimin e trajnerëve, e më pas të abritrave, të cilat Federata gjatë vitit të kaluar i zhvilloi me seriozitet këtu në Shqipëri, ndërsa shumë prej tyre u trajnuan në kurse jashtë Shqipërisë 


Sigal