Përplasja për ‘mosmirënjohje’ mes Viron Bezhanit e mundësit të njohur Sait Prizreni

1074
Sigal

Reagojnë trajnerët e mundjes nëpërmjet një letre: Bezhani ka të drejtë. Ka bërë shumë për Prizrenin, ai është mosmirënjohës!

Një debat mes dy emrave të njohur të mundjes shqiptare, përkatësisht Viron Bezhani e Sait Prizreni, gjen vend sot dhe në faqen e gazetës ‘Telegraf’. Është një letër e trajnerëve të njohur të këtij sporti, ku shprehen për ‘mosmirënjohje të sportistit Sait Prizreni për kontributin e Viron Bezhanit në ndihmën e dhënë ndaj tij si sportist dhe në përballimin e problemeve të jetës’ që po u jepet në vazhdim lexuesve. Në përputhje me kodin e etikës, në letër janë hequr disa fjalë apo shprehje fyese e denigruese. Ndërkohë, në numrat e ardhshëm, gazeta do të jetë e hapur dhe për publikimin e palës së atakuar.

                 +            +            +

Ja çfarë shkruhet në letrën e nënshkruar nga sportistët dhe trajnerët e njohur të mundjes shqiptare:

‘’Jemi të detyruar t’i përgjigjemi, Sait Prizrenit, i cili, kohët e fundit, herë pas here del si gjel dhe jep deklarata kundër trajnerit të tij Viron Bezhani. Kush është Sait Prizreni dhe si u bë sportist? Shpjegojmë se Sait Prizrenin, kur ishte në klasë të 7-të, e kishte lënë shkollën në Durrës, e ka marrë në Tiranë Viron Bezhani, atëherë trajneri i Tiranës në mundje. E regjistroi në shkollë, në fshatin Shkozë, ku Seiti mund të shkonte vetëm një herë në javë… Me t’i rregulluar shkollën, i mori një shtëpi me qera, që e paguante privatisht z. Bezhani, i cili i vuri në dispozicion gruan e inspektorit të klubit Tirana, Beqir Ademit, për t’i shërbyer këtij sportisti. Më pas, Bezhani e regjistroi në shkollë të mesme. Mjafton të pyesni Bashkim Mërtirin, drejtorin e shkollës ku ka kryer mësimet, si është kujdesur Vironi për mbarëvajtjen në mësime, të cilat i mbaroi dhe me ndërhyrje. Këtu ne duam ta kritikojmë z.Bezhani, pasi ajo rrugë që ndoqi me këtë sportist ishte e gabuar. Vërtet e bëri sportist të mirë, falë një përkujdesje 15 vjeçare, por e bëri një mosmirënjohës. Po të hapen dokumentet e Federatës së Mundjes, e cila çdo vit harxhonte për Sait Prizrenin shumë të madha për ta stërvitur jashtë vendit, kushdo të kuptohet se sa është investuar për ‘të. Një diçka e rrallë, por ja që është realitet. Mjafton të kujtojmë historinë e ish-presidentit të shquar e një prej mundësve më të mirë që ka pasur Shqipëria, Abedin Lame, i cili e përzuri nga sporti Sait Prizrenin dhe vetëm me këmbënguljen e Viron Bezhanit e pranoi sërish. Ndërsa sot, preteksti se ai është detyruar të largohet jasht vendit nga Viron Bezhani, është më absurdi dhe i pavërteti. Është vendi të kujtojmë këtu se dhe në Amerikë ai është larguar në mënyrën më të padenjë, pa lajmëruar trajnerin e tij dhe Federatën.

Megjithë shpenzimet që ka bërë Federata ai nuk pyeti fare, por qëndroi aty në një mënyrë jo korrekte dhe të gjithë e dinë se ç’bënte Viron Bezhani për ta tërhequr sërish me Shqipërinë. Nuk është hera e parë, pasi ai sërish emigroi edhe në Gjermani, ku për një kohë të gjatë donte të konkurronte me ekipet vendase. Por edhe aty nuk e gjeti strehën. Hera e fundit që emigroi ishte Australia, ku megjithëse nxori vrer për Viron Bezhanin dhe shokët e tij,(preteks), Vironi u tregua bujar me këtë sportist, duke i dhënë lejen e kalimit nga KOKSH. Kemi dëgjuar fjalë 4 vitet e fundit nga ky sportist, që për ne është habi, por edhe për sportin shqiptar, pasi nxjerr asikur shumë trajnerë e paskan stërvitur, gjë që nuk është e vërtetë. Mjafton të shihni buletinet, duke nisur nga mosha 13 vjeç e deri para 4 vitesh, në të gjitha ato do të lexoni faktin: “Sait Prizreni sportist e Viron Bezhani trajner”. Pra, ai jo vetëm është jo i saktë në ato që thotë, por dhe mosmirënjohës. Edhe sikur të kishte një gabim Viron Bezhani, ky njeri ka përfituar privilegjet nga më të ndryshmet, e moralisht, ka rrugë të tjera për tja vënë në dukje. Së pari, Saiti duket të jetë mirënjohës jo vetëm për investimet, por dhe përkujdesjen e trajnerit të tij. Për çdo sëmundje, shqetësim që ka pasur Prizreni, ne e dimë shumë mirë që Viron Bezhani bëhej copë… Do t’u tregojmë një ngjarje, që nga të gjithë dihet. Para disa kohësh, Sait Prizreni erdhi i shqetësuar në stërvitje, e pasi doli jashtë morëm vesh se kishte një hall të madh, ku babai e vëllai i tij ishin kapur nga policia për mbajte e përdorim të lëndëve narkotike. Të gjithë e dinë se ç’bëri Viron Bezhani për t’i nxjerrë nga burgu të dy njerëzit e familjes së Saitit. Të gjithë e dinë se si vajti babai i Prizrenit, me një thes me para, te shtëpia e Viron Bezhani dhe ky i fundit e ka përzënë. Të gjithë e dimë se si i tha Vironi babait të tij, se “nëse ke kaq para jepja djalit dhe jo mua, që po harxhoj lekët e mia për këtë sportist”. Të gjithë e dimë se si ia ktheu përgjigjen babai i tij “Që nga dita e sotme unë kam edhe një djalë tjetër”. Ne jemi të bindur se ajo çfarë ka bërë Viron Bezhani për këtë sportist është e gabuar. Pse e themi këtë? Sepse çdo gjë Prizreni e përfitoi në mënyrë jo të rregullt: Shkollën apo trajtimet, të cilat i mori në mënyrë të veçantë e privatisht nga Viron Bezhani. Edhe sot Seiti kujton se i takonin ato privilegje, por nuk mund të trajtohej vetëm ai e të liheshin mënjanë të tjerët. Një gabim i z.Bezhani, është se vërtetë e bëri sportist të mirë Sait Prizrenin, por se ka ndihmuar dhe një mosmirënjohës… Ne i themi Viron Bezhani: “Mirë të të bëhet, sepse ju ishit një kuadër i përgatitur dhe duhej ta dinit mirë se për të bërë një sportist nuk mjaftojnë vetëm cilësitë sportive, por edhe edukative. Dhe këtë gjë ju nuk e bëtë, ndaj dhe këto pasoja sot duhet t’i vuani në kurriz.

Ne mund të shkruajmë shumë për Sait Prizrenin, privilegjet, shkeljet dhe paudhësitë e tij, por do të donim ta mbyllnim me kaq nëse do të na kuptonte. Shpresojmë që Saiti të kuptojë se është në rrugë të gabuar, një vegël qorre dhe që nuk do të gjejë kurrë përkrahjen e njerëzve të shoqërisë’’.

Me respekt:

Burhan Arapi, trajner i ‘Tirana’

Roland Tusha, ish-trajner i ‘Tirana’

Leonard Çakmasi, inspektor K.S. {Tirana’

Avni Hasa, trajner i ‘Partizani’

Altin Shtjefni, trajner i Lezhës

Joel Gjelaj, trajner i Lezhës

Me respekt, trajnerët e mundjes:

Burhan Arapi,(Trajner i ‘Tirana’)

Roland Tusha (ish-trajner i ‘Tirana’)

Leonard Cakmashi (Inspektor K. S.‘Tirana’)

Avni Hasa (Trajner Partizani)

Saimir Loshaj, trajner.

Reagimi i Roland Tushës

Lidhur me këtë shqetësim, prononcohet me shkrim dhe Roland Tusha sportist e ish-trajner i Tiranës, që vazhdon aktivitetin në Australi. ‘E lexova artikullin që kanë bërë trajnerët dhe jam shumë dakord si dhe habitem me mosmirënjohësin Prizreni, i cili gjen kurajon dhe flet me pa të drejtë ndaj trajnerit të vet. Të gjithë ne i dimë privilegjet që ka pas ky njeri nga Viron Bezhani. Me të vërtetë shpreh habinë për ‘të  një veprim i pamoralshëm për atë që e shtynë.

 Shënim i redaksisë: Në përmbushje të etikën dhe detyrimin profesional, redaksia e gazetës ‘Telegraf’ boton letrën e trajnerëve të njohur lidhur me disa pretendime për sportistin Sait Prizreni, ndërkohë, është e hapur dhe për publikimin e qëndrimit të palës së atakuar.