Përparim Kuçi, modestia i një talenti të heshtur

814
Sigal

Përparim Kuçi  do të niste të luante lojën e magjishme  mbasi do të linte topaleckat nga qyteti i tij i lindjes  Çorovoda  për t’u shkolluar në të mesmen  ekonomike  “Nako Spiru” në Tiranë. Por kjo nuk do ta ndante nga futbolli, përkundrazi  do ta lidhte edhe më tepër, por tashmë në kushte të një futbolli që ishin larg absurdit të baltës së fushave apo topave prej lecke Talenti i  tij do të kishte rastin të shpërthente me bashkëmoshatarët teksa do spikaste për inteligjencën edhe fantazinë  e organizimit të lojës .Një dhunti që pa asnjë ekzagjerim, ndoshta  edhe sot i mungojnë fushave të blerta. Falë një grupi kompakt, por edhe të fantazistit si Përparim Kuçi, Ekonomikja e Tiranës do të ishte në ballë të shkollave të  mesme  duke qenë kampione  e  kampionateve që organizoheshin  në atë kohë në Tiranë  Me një mikun tim  apasionant të futbollit do debatonim gjatë arritjen që mund të kapte Përparimi nëse me talentin e tij do të ishte sot në fushën e blertë .  “Fizibiliteti” i llogarisë së bisedës do të jepte për ‘bilanc’ se, përpos se pa ‘frikë’ do të ishte organizator i ndonjë prej skuadrave më të mira  se mesatare në Europë, por do të kishte për sozi lojën e  Demollarit apo Skelës. Padyshim lexuesi i nderuar që nuk e ka njohur mund ta klasifikojë këtë tek “ lajthitjet”  por jam i sigurt që bashkëkohësit, specialistët dhe  legjendat e futbollit që kanë luajtur me Papin apo kundra tij si Gëzim Kasmi, Paulin Ndoja, Niko Deliu, Niko Lito etj., etj.,  përpos nostalgjisë së kohës së rinisë së tyre  do t’ja  shtojnë edhe më  shumë superlativat këtij “klasifikimi”. Inekzistenca e mjeteve promovuese, por edhe “bllokimi” nga partia  në rreth  duke mos e lejuar për t’u aktivizuar në ekipe e tjera veç “5 Shtatorit” të dikurshëm të Skraparit , ngushtësisht do të bënin që një ‘aset’ kombëtar të ndrydhej në vlerë lokale. Këto do ‘mëkatonin’ që talentin e Përparim Kuçit ta kujtojmë vetëm me fuqinë e fjalës, ndërsa prania  qoftë edhe e një sekuencë  filmike do të na jepte të ‘drejtën’ për të mos qenë të ‘lajthitur’. Mosha ime ma ka dhënë këtë fat apo kënaqësi që ta kem parë vetë në fushën e lojës. Një futbollistë që, që në ecje apo vrapim kishte ‘sharmin’ e një futbollisti klasi me një teknikë të admirueshme,ndërsa  vizioni në lojë apo saktësia në pasim  apo gjuajtjet e lira do të përbënin atë që Përparimit  pa frikë t’ja plotësonin  parametrat një futbollisti  të veçantë. Nëse këto kërkojnë një vlerësim teknik specialisti ajo që s’kanë nevojë për specialist dhe  që mua ende nuk më shqitet kanë qënë  findet dhe ‘hilet’ e jashtëzakonshme, ku futja e topit mes këmbëve ka qenë një “zanat” i  magjishëm dhe absolutisht unikal  “alla Papi”. Një ‘mistrec’ që e nxirrte nga normaliteti kundërshtarit që në nisje të lojës duke ja kaluar topin me këmbëve  apo sikur thuhet në zhargonin futbollistik  ‘për shalësh’.  Fiziku i  tij , terrenet e rënduara  stili i futbollit tejet fizik bënin që loja teknike dhe  Papi të ndodhej nën breshërinë permanente të  shkelmave kundërshtare ,por kjo asnjëherë nuk ja uli spektaklin lojës plotë fantazi të  tijë . Shumë pak do të rrinte me bashkëmoshatarët  e ekonomikut sepse “rritja” e tij  do të ishte më e shpejtë teksa që në moshën 17 vjecare  do të bëhej pjesë e ekipit të  të rriturve të “5 Shtatorit” .Tashmë duhet të përballonte edhe mësimet , stërvitjen fakultative, por edhe rraskapitjen që do i shtohej nga udhëtimet për të qenë  pjesë e ekipit kur kishte ndeshje futbolli. Me Papin u takova në një nga lokalet e bllokut në këto ditë vjeshte. Përpos gatishmërisë së tij,  bisedën e bëri edhe më të këndshme edhe prezenca e amerikano-shqiptarit  11 muajsh  Devin, djalit të  vajzës së Papit, që ishte një kopje në miniaturë e gjyshit. Si çdo ngjarje e parë që ka  emocione ekstra  edhe për Papin ndeshja e parë do kishte impresione speciale. Ky eveniment  do të shënohej në transfertën e Ersekës në fillimshtatorin e vitit 1966 .  – “Ekipi drejtohej nga trajneri apasionant  mësuesi i matematikës Emir Qafa. Ka qenë një revolucion që bëri matematikani teksa do ta rinovonte me shumë guxim ekipin duke mbyllur një cikël dhe çelur një tjetër. Janë afruar më shumë se  9 futbollistë të moshës 17- vjeçare,ose saktësisht një ekip i tërë. Së bashku me  mua kanë debutuar ata që do t’i jepnin tonin futbollit në Skrapar si: H. Ibro një shyter i distancave të largëta, portieri M. Bregu mbrojtësat H. Koprëncka, Nj.Bregu, S. Satka, R. Idërshai, mesfushorat A. Harizaj, A. Shkëmbi apo F. Hasko. Ishim të gjithë çuna lagjeje, debutues dhe pa eksperiencë  Me futbollin na lidhte pasioni dhe dëshira për të përfaqësuar denjësisht atë që na kishin besuar të luajturin futboll për  “5 Shtatorin”  Përgjegjësia ishte e ‘rëndësisë së veçantë’.  Ja kemi dalë bukur teksa nën presionin e një tifozerie në Ersekë që nuk pranonte asnjë rezultat veç fitores. Për kolonjarët kjo fitore bëhej edhe më e padiskutueshme duke parë edhe ‘djelmërinë’ tonë minore. Kemi marrë barazimin duke luftuar heroikisht. Ky takim përfundoi  0:0 Për ne ishte një sukses që na dha  besim për më tej. Ajo që tani duket si normale dhe nuk mund të kuptohet në kushtet e sotme”,-  vazhdon më tej Përparimi në rrëfimin e tij  –  “është se si asnjë ekip tjetër   kemi ‘zbarkuar’ në Ersekë të veshur  me kostum sportivë , çka dukeshim si ekip i huaj. Në fillim duke parë ‘njomzllëkun’ tonë kolonjarët na morën për ekip gjimnazi dhe na pyetën kur do vijë ekipi i të rriturve. Askush nuk kishte  vënë brisk në faqe. Veshja me tuta dhe bluza ka qenë një risi që trajner Qafa na i siguroi me një përpjekje që ndoshta për kohën e sotme s’ka ekuivalencë krahasimi . Kampionati i vitit ‘67-‘68 ka qenë ndër më fantastikët për ne”, – tregon Papi plotë nostalgji, ku nuk harron të ledhatojë nipçen e tij që gjyshe Luljeta na e la në mbikëqyrje deri në një farë kohe sa të gjente  foto e përzgjedhura të këtij shkrimi. Po nipçja ishte i denjë për amerikan. Shumë i “sjellshëm” teksa nën  ledhatimet tona  “harroi” të qante . “A thua na i kuptojnë hallet, ne,  këta  amerikanët  ?”  – Në këtë edicion, – vazhdon Papi – ekipi ka qenë i blinduar me kualitete të nivelit si G. Kasmi, N. Deliu, N. Lito, P. Ndoja, M. Shehu, Nj. Corollari, N. Guri, L. Struma, M. Kurti që ne i patëm si “dhuratë” nga  format e ndryshme të dënimit që jepte partia atëherë, duke i sjellë  ushtarë apo internuar në Çorovodë. Në shumë raste këto  “dënime” i llogarisnin vetëm e vetëm mos aktivizoheshin me ekipet e tyre. Edhe kjo ka qenë një formë e luftës që bënte brenda llojit tifozeria e kupolës. P.sh rasti i Gëzim  Kasmit  ishte tipik për të mos e lejuar të luante më  “17 Nëntorin” e atëhershëm. Por për ne nuk ishin aspak “reaksionarë”, por heronj mikpritja e popullit tonë i bëri “qytetar nderi” me respektin që u dhuroi këtyre djemve  jo vetëm si sportistë, por edhe si njerëz të jashtëzakonshëm. Ka qenë një nga kampionatet  që na ka ngelur peng. I jemi afruar si asnjëherë tjetër kategorisë së parë  duke u renditur shumë ngushtësisht mbas Luftëtarit që doli në të parën.”.  Fakulteti për Përparimin nuk do të vazhdonte  normalisht sepse do të ishte partia në rreth që do ta pengonte së paku për një vit  për të mos e larguar nga ekipi. Nga viti 1968- ‘72 krahas Fakultetit Ekonomik do të ishte edhe lideri i ekipit të Studentit. Në korrik të vitit 1971 ka marrë pjesë me ekipin e Studentit që  në atë kohë drejtohej nga M. Papadhopulli dhe O Caslli në një turne në Prishtinë. Paraqitja e organizatorit Kuci  ka qenë  mbresëlënëse. Në këtë turne ekipi i Studentit  luajti me Flamurtarin e Prishtinës, Vllazninë e Gjakovës, Ilirinë e Prizrenit dhe Trepça e Mitrovicës. Këtë turne Studenti e mbylli me 2 fitore 1 barazim dhe një humbje. Ka qenë koha kur ekipi i Studentit po “përgatitej” të ngjitej në kategorinë e parë çka e realizojë atë vit, ku Përparimi do kontribuonte  duke qenë student i vitit të fundit.  Talenti i tij do tërhiqte vëmendjen teknikëve të ekipeve të kryeqytetit, apo të ekipeve të  rretheve, por kjo nuk  kishte rëndësi fare  për kuadrot e partisë në rreth që mezi e prisnin teksa do të  hidhnin poshtë emërimin si të “rastësishëm” në Berat dhe Gjirokastër  Kështu edhe përpjekjet e tyre për ta bërë pjesë me këtë formë të ekipeve nuk qenë rezultative. Partia në Skrapar ishte më e fortë duke ja u “djegur” kartat në dorë. Por kjo nuk do të ishte aspak e këndshme për karrierën sportive të Përparimit sepse prania e një futbollisti të kalibrit të Përparim Kuçit ishte më shumë se luks për modestët  pasionant të “5 Shtatorit”  dhe kjo ndodhur kur  forma e tij ishte në kulmin e tij. Kështu do të “çimentonte”  shiritin e kapitenit dhe të numrit  10  nga viti 1972- 1980  atëherë, kur do të linte edhe futbollin. Takimi i lamtumirës  do të ishte në maj të 1980 në takimin   “5 Shtatori” – “Ylli i Kuq” i Pogradecit që ka përfunduar 3 : 2. Që nga  shtatori i vitit 1966 deri në maj të 1980, Përparim Kuçi ka  qenë pjesë aktive e futbollit të luajtur 16 vjet në fushë.

 Ajo që do të ishte pjesë e padiskutueshme e kontributit të Përparimit përpos talentit ka qenë fryma liberale e tij në një kohë që duhet të ishte i kundërt për të fituar simpatinë e partisë. Duke qenë një kuadër i lartë dhe njëherazi edhe futbollistë lider jo të pakta kanë qenë ndikimet zbutëse të fanatizmit ideologjik të kohës. Guximi i tij ka qenë përcaktues në rikthimin në fushën e lojës mbas mbarimit të dënimit penal të  një prej futbollistëve “Qytetarit të Nderit” të Çorovodës,  Sabri Dylit. Në shënimet  e gjetura mbas viteve ‘90 njëri nga eksponentët e partisë kishte bërë shënime në  kartelën e tij  për pakënaqësinë partisë për Përparimin sepse ishte liberal dhe mendonte më shumë për futbollin se sa për partinë apo punën. Në kujtimet e shumta nga eksperienca futbollistike të  tij, Përparimi tregon mjaft episode interesante, ku padyshim një më interesantet veçon  atë të ‘derbit’ me Poliçanin diku para viteve  ‘72 kur në radhët e ekipit të Poliçanit ishte pothuaj  ekipi i Partizanit B me të mirënjohurin P. Savën në krye. “Ky ekip, -nis të tregoj Papi –  ishte “ngjizur” nga Gjenerali Petrit Dume dhe u kërkohej ngjitja në kategorinë e parë. E kemi ndalur suksesin e Poliçanit  në një takim  që  ka qenë një “luftë” e vërtetë, madje, nga që vendasit kërkonin vetëm fitore, tensioni e kalonte sportivitetin. Gjithë Çorovoda  zbriti  në Poliçan, kjo na vuri nën presion për të shpërblyer këtë  sakrificë të tifozerisë tonë. 60km  vajtje –ardhje  për të ndjekur këtë takim rrallë tifozeri mund  ta ketë bërë e organizuar dhe në këmbë. Si mos  të linje zemrën kur shikoje gjithë atë sakrificë. Kemi marrë barazimin. Shumë bukur. Si kudo takimet me fqinjët janë interesante dhe të luftuara me sedër .Janë  ato takime që nuk  ndikon në rezultat emri i skuadrës apo renditja në tabelën e klasifikimit. Kështu na ndodhi edhe në një  takim që kemi luajtur në stadiumin e Tomorrit me këtë ekip. Ndoshta ka qenë viti ‘74  kemi luajtur aq bukur sa gjyqtari në s’gaboj ka qenë F. Pupa i Korçës na dinte ne si ekip të Tomorrit në pushim mësoi se kush ishte Tomorri dhe kush  “5 Shtatori” do ta mbyllte Papi një nga shumë episode që ai arkivonte në mendjen e vetë. E për t’i bërë  më konkret mendimet e  futbollistit  ne po botojmë  intervistën  si epilog  të këtij shkrimi.

Z. Përparim, cilët do të veçonit ndër futbollistët e parë të ekipit të ” 5 Shtatorit” ?

Kjo është pyetje e vështirë për t’i qëndruar korrekt sepse vitet janë larguar dhe  harresa  e ndonjërit duhet kuptuar jo si kontribut i mohuar. Gjithsesi, unë do mundohem të jem sa më korrekt në këtë pyetje. Së paku për atë periudhë që memoria ime do mbështete në ngjarje të jetuara. Në grupin e  personaliteteve të para që kanë një kontribut  të vyer padyshim  do të veçoja atë të trajnerit, futbollistit, mësuesit Emir Qafa, i cili në një kohë tejet të vështirë ka ditur të formatojë një ekip konkurrues. Por trajneri, futbollisti Muharrem Baze ishte ai që i solli risi dhe i dha ngjyra moderne futbollit të rrethit tonë. Intuita dhe klasi si futbollistë i trajnerit më jetëgjatë  të futbollit të Skraparit, z. Muharrem Baze  përbëjnë një vlerë unikale për futbollin tonë. Nëse do të ruaja kronologjinë e kohës kur kanë luajtur apo trajnuar do të përmendja edhe  kontributin e Muharrem Memollarit, Zihni Hasanaj, Abdyl Shkëmbit, Abaz Beqollarit, Kujtim Meçani apo jo më pak të Iliaz Kapxhiut. Ndoshta duke ju referuar kohës  është momenti që të përmend edhe ata  që i kanë dhënë një hop futbollit të rrethit tonë sikur janë ‘jabanxhinjtë’ . Kështu G. Kasmi, P. Ndoja, N. Lito, N. Daliu, L.Struma, M. Kurti, N. Guri, M. Shehu, Nj. Sadiku, P. Brahja, F. Mersini, M. Xhafa, A. Mullaliu, F. Shurdhi, S. Dyli, L. Bakalli, A. Musai, L. Gjergo, H. Ceco, A. Hysi, Xh. Lezha, B. Meta, K. Mile …etj, kanë qenë vlera që e kanë ngritur futbollin tonë në nivele që renditja në klasifikime asnjëherë nuk e ka treguar forcën reale. Kanë qenë këto vlera që i bënë çunat e qytetit tonë ta dashurojnë futbollin dhe ta përfaqësojnë po kaq denjësisht më mbrapa. Ashtu sikur e kam theksuar më sipër do të vinte një plejadë  e shkëlqyer  që do të  na përfaqësonte denjësisht në kampionatet kombëtare kështu  futbollistët si F. Hasko, H. Koprëncka, S. Satka, M. Bregu, A. Guri, E. Ago, A. Harizaj, H. Hysenllari, R. Idërshaji, G. Sulce, Y. Guri, H. Ibro, A. Ibro, Nj. Bregu, T. Bregu, H. Ceco, A. Hysi, A. Qafoku, M. Nano, A. Cërri, R. Hajdini, F. Laze, T. Hasanago, M. Katillari, G. Tusha, D. Naco, V. Bega apo më të mbrapa të më të rinjve G. Lamce, A Spahiu etj., etj., përpos se do t’i shtonin një kënaqësi atij populli  aq futbolldashës, por do të ishin edhe një vlerë më shumë për futbollin kombëtar. Jo pak interesante do të ishin edhe prononcimet e më tutje të tij. Në pyetjen që i bëjmë  ish-futbollistit për ndryshimet e futbollit të sotëm me atë të kohës së tij ai do përgjigjej:-Futbolli ynë luhej  më me shpirt dhe harmonia e grupit ishte absolutisht më e mirë si në një familje të konsolidua .Respektonim shumë tifozerinë .Në humbjen e një ndeshje ishin koshientë të gjithë se kaq ishte mundësia, por jot të kishte cedime.  Gjithë javën flitej për ndeshjen e kaluar dhe të ardhme  Interesimi i tifozerisë ishte  tillë që të diktonte  të  motivoheshe për të dhënë maksimumin .” .

Dikur thuhej “Nafta çan bllokadën, rakia federatën” –Sa të privilegjuar keni qenë nga kjo?  Me një nënqeshje  që besoj se vinte  nga që ju kujtuar diçka që i ishte harruar do të shprehej – “Më shumë ka qenë një shprehje që na vinte mirë ta kishim si përkrahje virtuale se sa ishte reale dhe të kishim hatërmbajtje. Jo jo … ndoshta në ndonjë rast të veçantë edhe mund të na ketë ndihmuar, por  e hedhur në “kandar” bilanci nuk është në favor të kësaj, pastaj ne kemi patur edhe fushën për “kundërshtarë”. Afërsia pranë lumit i kishte bërë ekipet mike mos të na linin të bënim lojën tonë sepse në kontaktin e parë topi hidhej në lumë. Topa të gatshëm nuk kishte më shumë se dy kështu që ne duhet të shënonim shpejt që mos të na vononin  lojën me këtë veprim”.  Kështu, në këto rrëfenja interesante do ta mbyllnim edhe ne këtë shkrim, ku jeta e intelektualit Përparim Kuçi vazhdon me të njëjtin dinamizëm ashtu sikur të ishte një futbollistë i moshës 22 -vjeçare.

 Pikante: Në fillimet e demokracisë, z Kuçi si një kuadër që mbulonte transportin i duhej të “disiplinonte” kolektivin e parkut të mallrave në Çorovodë. Dihej rebelimi në përgjithësi i këtij kolektivi me dominance shoferë. Përpjekjet  e tij nuk po bindnin. Në mes të mbledhjes ngrihet një ish- futbollist Xhavit Satka (Xhokja) dhe i thotë : –  “Si mesfushor të heqim “kapelen se na e mbushje mendjen, ndërsa si politikan nuk bëke as për rezervë” . Këtu mbledhja përfundoi…

 ILIR  J. Hoxha