SPECIALISTI / Kategoria e Parë dhe beratasit, në këndvështrimin e Mjeshtrit të Madh, Përparim Kovaçi

Agron Kaja
“Në Kategorinë e Parë luajnë skuadra që kanë fituar tituj e trofe në elitën e futbollit tonë, prandaj dhe unë e mendoj se ky kampionati do të jetë i fortë për nga rivaliteti.”

Kampionati i Kategorisë së Parë do të nisë më 2 shtator, ndërkohë që skuadrat i kanë nisur përgatitjet verore dhe pas dy javëve do të starojnë me sezonin 2023-2024. Mjeshtri i Madh, idhulli i futbollit beratas Përparim Kovaçi, në këndvështrimin e tij për gazetën “Telegraf” tregon se ky do të jetë një kampionat i fortë, për disa arsye. “Në Kategorinë e Parë luajnë skuadra që kanë fituar tituj e trofe në elitën e futbollit tonë, prandaj dhe unë e mendoj se kampionati do të jetë i fortë për nga rivaliteti. Duke qenë vetëm 12 skuadra në përbërje, mendoj se FSHF-ja e ka orientuar më shumë drejt rritjes së cilësisë për këtë kategori, në të cilën bën pjesë edhe skuadra e Tomorrit. Edhe këtu në Berat përgatitjet kanë qenë shumë serioze, ku shoh një angazhim e mbështetje të madhe nga Bashkia e Beratit për ekipin. Trajneri Klodian Arbri me stafin e tij kanë rreth dy muaj që po punojnë për një ekip dinjitoz. Ka patur edhe lëvizje lojtarësh, por bërthama e sezonit të kaluar është dhe me afrimet e reja mendoj se do të kemi një ekip pretendent që të synojë Superioren”, kështu e nisi dje bisedën e tij Mjeshtri i Madh i futbollit shqiptar Përparim (Rimi) Kovaçi, i cili skemën e re me 12 skuadra e shikon gjithmonë në shërbim të cilësisë e rivalitetit. “Unë e përmenda më sipër se, skema me 12 skuadra në Kategorinë e Parë do të jetë shumë më produktive, krahasuar me sezonin e kaluar. Por këtu duhet që ekipet të kenë më shumë vullnet e dëshirë për ti dhënë bukurinë e duhur futbollit të tyre, dhe gjithë këtij niveli të futbollit tonë”. Për Kovaçin, një rëndësi të dorës së parë do të ketë edhe ana ekonomike e skuadrave, pasi sipas tij, ajo i motivon më shumë lojtarët për të dhënë më të mirën e tyre në fushën e lojës. “Ana ekonomike e mirë mbetet baza e ecurisë për çdo individ në fushën e lojës, për ekipet dhe kampionatin në tërësinë e tij. Aktualisht jemi në një situatë ku ekonomia jep zhvillimin, e këtij futbolli shqiptar është i “mbërthyer” rreth këtij momenti delikat. Ndërkohë, unë do të përfitoja nga ky rast për të dhënë edhe një mesazh për futbollin beratas. Më 25 nëntor, Tomori do të festojë 100 vjetorin e krijimit të tij dhe ky është një moment ku të gjithë beratasit ta kthejnë në festë dhe në përkrahje të skuadrës. Historia flet kur atë e kujton me zë dhe me figurë, e Bashkia e Beratit ka kohë që ka nisur punën për ta festuar me dinjitet këtë shekull me futboll në qytetin tonë”, kështu e mbylli bisedën Mjeshtri i Madh i futbollit shqiptar, Përparim Kovaçi.
KONFERENCË LIGË/ TURI PLAY-OFF
Partizani sot në Kazakistan, nisin ethet e Play-off-it
Faza Play-off
Ndeshjet e para
Datë 24 gusht 2023
Astana-Partizani 16:00
Struga-Breidablik 17:00
Ballkani-BATE 20:30
Kthimi, 31 gusht 2023
Largësia e madhe nga Shqipëria në Kazakistan prej 4.026 km, dhe kërkesa për t’u përshtatur më mirë me klimën dhe ambientin në stadiumin me bar sintetik, i kanë detyruar drejtuesit e Partizanit që të merrnin vendim për t’u nisur sot drejt Kazakistanit. Duke qenë se hapësira ajrore me Rusinë është e mbyllur, kalimi do të kryhet nga Turqia, një distancë e gjatë që shkon në 7 orë udhëtim. Ethet e Play-off-it kanë nisur për Partizanin, dhe këtë përballje të parë me Astana. Kompanitë e basteve e kanë kuotuar me koefiçientin 1.44 në favor të skuadrës kazake, ndërsa fitorja e Partizanit është kuotuar me 3.10.
KATEGORIA E PARË
SEZONI 2023-2024
Fillon më 02.09.2023
Luhet me tre faza
Mbaron në 08.05.2024
PJESËMARRËSIT
Skuadrat Qyteti
1.AF Elbasani Elbasan
2.Apolonia Fier
3.Besa Kavajë
4.Burreli Burrel
5.Bylis Ballsh
6.Flamurtari Vlorë
7.Kastrioti Krujë
8.Korabi Peshkopi
9.Lushnja Lushnje
10.Luzi 2008 Luz
11.Tomori Berat
12.Vora Vorë
Dinamo përuron shtëpinë e re në Arbanë, kompleks modern
Kompleksi i Arbanës dje hapi për herë të parë dyert e shtëpisë së re, me selinë e klubit dhe një kompleks stërvitor. Nga drejtuesit e këtij klubi kjo është një gur i fortë themeli në projektimin e Dinamos së ardhshme, që pritet të kthehet fuqishëm në majat e futbollit shqiptar. Fillimisht do ta nisin moshat përgatitjen e tyre në fushën me bar sintetik, ndërsa këtë mesjavë është menduar që të fillojë përgatitjet edhe skuadra e parë e Dinamos, pasi janë duke u kryer disa punime të fundit.