“BOTËRORI 2026”/ U luajt dje sfida e parë kundër Anglisë, kuqezinjtë në lupën e Perlat Mustës
E premte, 21 mars 2025, ora 20:45 në “Uembli Stadium”, Londër
ANGLI-SHQIPËRI 2-0
Shënues: Luis-Skelli 20’, Kejn 77’
Anglia (1-4-2-3-1): Pikford; Uokër, Konsa, Burn, Luis-Skelli (Xhejms 90+1’); Xhons (Roxher 74’), Rajs (Henderson 84’); Foden (Bouen 74’), Bllingam, Rashford (Gordon 74’); Kejn. Trajner: Thomas Tuhel
Shqipëria (1-4-2-3-1): Strakosha (Kastrati 82’); Balliu, Ajeti, Gjimshiti, Aliji; Ramadani, Asllani; Bajrami (Broja 64’), Laçi (Pajaziti 78’), Asani (Hoxha 78’); Uzuni. Trajner: Silvinjo
Arbitra: Alejandro Hoze Hernandez (Kryesor); Hoze Enrike Naranjo Perez, Diego Sançez Rojo (Asistentë); Arbitër i katërt Alejandro Muniz Ruiz; VAR: Çesar Soto Grado; Asistent VAR: Valentin Gomez (Spanjë); Vëzhgues: Jorgos Bikas (Greqi); Delegat: Frederik Varaghaenne (Belgjikë)
Kartonët: KV: / Gjimshiti 33’
Shikues: 85 mijë
Bilanci total: Nd 7, F 7, B 0, H 0, G 21:1
Agron KAJA
Mbrëmja e djeshme shënoi startin e ndeshjeve kualifikuese për “Botërori 2026”, ku Shqipëria në Grupin K kualifikues ishte mysafire në “Uembli” të Londrës. Në praninë e 85 mijë shikuesve, ndeshja nisi me 1 minutë heshtje në nderim të Xhorxh Isthem, një nga pjesëtarët e ekipit anglez që fitoi Kupën e Botës 1966. Me një bilanc negativ, zero fitore në 6 ndeshje, kuqezinjtë hynë në këtë sfidë të orientuar tërësisht nga loja mbrojtëse, thuajse të “ngujuar” në gjysmëfushën e tyre. Dhe nuk rezistuam më shumë se 20 minuta pa pësuar, edhe pse ishim në gjysmëfushën tonë. Goditja e parë në portë e anglezëve dhe gol shënuar nga Luis-Skelli, le të themi edhe për gabim të mbulimit të kundërshtarit nga mbrojtja jonë. Gjithsesi, nga goli i parë e deri në mbylljen e 45 minutave të para, ndeshja ishte e “Tre luanëve”. Edhe në pjesën e dytë, e cila nisi pa zëvendësime, thuajse me të njëjtin ritëm. Por gjithçka zgjati deri në minutën e 77-të kur Kejn shënoi golin e dytë. Hyrja në fushë e Brojës sikur i dha impakt lojës së skuadrës sonë, por ishte i vetëm. Gjithsesi, ja si e analizon këtë sfidë Perlat Musta, ish-portier i Kombëtares sonë, i cili dje pas ndeshjes u shpreh për gazetën “Telegraf” se forca e Kombëtares sonë kaq është. “Them se ishte një ndeshje ku Kombëtarja tregoi se kaq është forca jonë, sepse ne nuk kemi kundërshtarë Anglinë dhe luftën do ta kemi për vëndin e dytë me Serbinë. Një ndeshje përballë Anglisë jo agressive e vetëm me qarrkullim topi, them se ata ishin të kënaqur. Edhe ne rrezikuam me Brojën që e ndryshoi pak atë monotoninë në mbrojtje, por nuk prodhuam dot lojë. Gjithsesi, gara mbetet e hapur, një ndeshje u luajt, ndaj një Anglie 99% e para në grupin K”, kështu e komentoi Perlat Musta humbjen e djeshme të Shqipërisë ndaj Anglisë. Përpos rezultatit mbrëmë, për këtë ndeshje kanë bërë parashikime edhe gjigandët e statistikave sportive të OPTA, të cilët përdorën sistemin e tyre që quhet “superkompjuteri”, duke parashikuar me 10 mijë simulime statistikore përfundimin e ndeshjes. Anglia u parashikua fituese e ndeshjes me 80,1%, barazimi me 12,2% të rasteve dhe fitorja e Shqipërisë me 7,7%. Ndërsa të hënën e 24 marsit, Kombëtarja jonë pret Andorrën në “Arena Kombëtare” në Tiranë, e cila dje luajti kundër Letonisë. Ndeshjet e radhës në këtë kompeticion rikthehen më 7 qershor ku Shqipëria do presë Serbinë, ndërkohë që 10 qershor kuqezinjtë do luajnë në transfertën e Letonisë.
“Botërori 2026”
Kualifikueset-Grupi K
Dje, 21 mars 2025
Angli-Shqipëri 2-0
Andorrë-Letoni 0-1
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Anglia 1 3
2.Letonia 1 3
3.Serbia 0 0
4.Andorra 1 0
5.Shqipëria 1 0
Ndeshjet e rradhës
Datë 24 mars 2025
Shqipëri-Andorrë 20:45
Angli-Letoni 20:45
Ndeshjet-Shqipëria
Datë 7 qershor 2025
Shqipëri-Serbi 20:45
Datë 10 qershor 2025
Letoni-Shqipëri 20:45
Datë 9 shtator 2025
Shqipëri-Letoni 20:45
Datë 11 tetor 2025
Serbi-Shqipëri 20:45
Datë 13 nëntor 2025
Andorrë-Shqipëri 20:45
Datë 16 nëntor 2025
Shqipëri-Angli 20:45
Dje me modelin e ri në fanella
Mbrëmë në “Uembli”, skuadra jonë Kombëtare ka dalë me një fanellë të re në ndeshjen me Anglinë. Kjo ishte ndeshja e parë e vlefshme për kualifikueset e “Botërorit 2026”. Ky është modeli më i ri i fanellave që do e shoqërojë Kombëtaren gjatë gjithë fushatës së kualifikueseve, që për Shqipërinë janë edhe shtatë ndeshje të tjera, nisur nga dita e hënë që presim në “Arena Kombëtare” skuadrës e Andorrës. Duhet kujtuar se në koloritin e dizajnin e saj, Kombëtarja jonë më shumë ka preferuar, këtë herë ngjyra e zezë me vija të kuqe në anësore, ka qënë një kombinim sa serioz, aq edhe i përafërt me fanellën tradicionale që Kombëtarja jonë ka veshur ndër vite.
Tifozë për rekord, “pushtohet “Uembli”
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me “Lojtarin e 12-të” të Kombëtares sonë, Tifozët Kuqezi (TKZ). Të gjithë ata, Tifozët kuqezi, tashmë dinë të dhurojnë atmosferë dhe këtë e bënë edhe dje. Dhe pse rivalë në fushë, jashtë saj tifozët anglezë shijuan ritmin e daulleve, ku edhe vallet dhe këngët nuk munguan. Rrugët dhe sheshet pranë stadiumit dje u skuqën, ndërsa brënda në stadium ishin më shumë se 10 mijë tifozë në përkrahjen të Kombëtares sonë, ku sipas statistikave, nga 85 mijë tifozë, 10 mijë ishin kuqezinj. Ndërkohë, lamuri ynë kuqezi me shqiponjën dykrenare u valvit jashtë stadiumit, ndërkohë që brënda tij një flamur me përmasa gjigante shoqëroi himin tonë kombëtar.