Perikli Kristidhi, trajneri dhe sportisti që i theu rekordin Ymer Pampurit

2015
Sigal

Peshëngritja, sporti që i dha emër Cërrikut. “Peroja” ka bërë histori në shtangën shqiptare

Nderimi për njerëzit e sportit, shpesh bëhet me një nostalgji të madhe, për vetë kujtimet që lënë gjurmë në mendjet e çdo pjesëmarrësi në të. Por kur flitet për një trajner, ky mendim bëhet më i fuqishëm, aq më tepër kur një ish – sportist, i rikthehet një kohe që ka mbartur me vete edhe suksesin, po aq sa edhe dhembjen, edhe të bukurën, po aq sa edhe frikën dhe trishtimin për momente të vështira në jetën sportive. Dhe kur vjen fjala për të nderuar një ish-trajner, edhe me bindje të plotë se janë në një mendje me mua edhe shumë e shumë të tjerë, se peshëngritësi i talentuar dhe trajneri i mrekullueshëm Perikli Kristidhi, ka hyrë tashmë në fondin e njerëzve që bënë histori në këtë disiplinë sportive në rang kombëtar.

Gjithkush mund të thotë se cili ishte ky Perikli, që nuk e kemi dëgjuar, se vërtet nuk i është bërë publicitet, se diçka në “biografi” a ndonjë cen biografik, për shkak të luftës së klasave, ishte kthyer në një barrierë për ta mbajtur Perikli Kristidhin të rrethuar nga errësira e kohës me emrin “diktaturë”. Me krenarinë e një sportisti të këtij sporti, këtu e 40 vjet më parë them se Perikli Kristidhi, është ai peshëngritës që u përball me të madhin Ymer Pampuri në fund të viteve ‘60 dhe ia theu rekordin në atë kohë. Për “Mjeshtrin e Merituar të Sportit” Ymer Pampuri, për këtë peshëngritës nga më të suksesshmit për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ishte e pabesueshme që një tjetër ngritës peshash nga provinca e Cërrikut, t’i barazonte dhe t’ia thyente rekordin në stilin e shtytjes. Më kujtohet se vetë Perikliu, trajneri im i dashur dhe i paharruar, sepse mortja e mori para kohe më 1997,nuk fliste për këtë sukses, se ai ishte modest, ishte njeri që dinte edhe ta ruante vetveten nga euforia.

Ndaj dua të them se, Perikli Kristidhi, trajneri i respektuar i sportit të ngritjes së peshave, ky bir i një familje të thjeshtë nga një fshat i Përmetit, që jetoi dhe punoi në qytetin e Cërrikut, ishte një mjeshtër në fakt. Ai ishte një mjeshtër i punës si elektricist me njohuri inxhinierike, ishte një pasionant i kulturës, sepse lexonte shumë, ishte një sportist i talentuar po aq sa edhe një trajner i suksesshëm dhe një bashkëshort i mirë i një gruaje që në atë kohë ishte edhe përgjegjësja e bibliotekës së qytetit. Por mbi të gjitha ai ishte edhe një edukator shumë i mirë që me këmbëngulje dhe me një profesionalizëm prej dhuntisë që mbarte ai, i dha vetes një emër të nderuar jo vetëm në Cërrik, por edhe në Elbasan dhe njëherazi edhe në Shqipëri. Kam bindje e plotë se të tille e kujtojnë atë mjeshtri i ngritjes së peshave Vehap Xhindoli, e kujtojnë bashkëkohësit si Ymer Pampuri dhe Faruk Kalleshi, Asim Belinova dhe Bujar Budinaku, sepse Perua, siç e thërrisnin të gjithë, i dha vetes një emër me sportin e tij që ai e adhuronte shumë. I lindur në Përmet në vitin 1941 ky bir i familjes Kristidhi me 6 vëllezër dhe dy motra, ndoqi studimet në politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë në degën radioteknikë. Më pas do të punonte në uzinën e naftës që nga themelimi e deri në vitin 1991. Më pas emigron për arsye familjare në Greqi, ku edhe vdiq papritur në Selanik, më 10 tetor 1997.

I biri i tij, Olti, por edhe Arti shprehën se pjesëmarrjen në sportin e ngritjes së peshave e nisi krejt rastësisht, sepse ishte shëndetlig dhe, për t’i shërbyer shëndetit ai u mor me ngritje peshe që më pas iu kthye në një pasion për tërë jetën. Ne djemtë e brezit të fillim viteve 1970, e shikonim Perikliun me një ndjesi zilie dhe kërshërie, kur ai i vetëm në Cërrik ngrinte pesha. Ky pasion dhe ky vullnet i Perikliut e shtyu atë që në vitin 1970 të mblidhte rreth vetes një grup djemsh të vitit të parë dhe vitit të katërt të shkollës së mesme “Tomorr Sinani” dhe t’i stërviste ata për të formuar kështu një ekip në pesha të ndryshme si një ansambël i kompletuar me një dirigjent të mrekullueshëm. Në atë kohë ngritja e peshave, si një sport individual, kishte disa figura të respektuara që i dhanë emër këtij sporti edhe në botë, por për herë të parë në Shqipëri në vitin 1971, më 16-17 maj të atij viti u organizua në Tiranë kampionati i parë i ngritjes së peshave me pjesëmarrjen e shumë ekipeve si Dinamo, Partizani, 17 Nëntori, Vllaznia, Flamurtari, Labinoti, Skënderbeu, Teuta, Studenti e ndonjë tjetër. Ishte shumë e rëndësishme pjesëmarrja në këtë kampionat të parë. Por për mua, shkruesin e këtyre radhëve, si një peshëngritës i ri dhe për ekipin e Cërrikut që u bë baza me 70 për qind të pjesëmarrjes të ekipit të Labinotit, ishte një eveniment shumë i madh dhe një surprizë për atë kampionat.

“Ne djemtë e Perikliut”

Bashkë me pjesëmarrjen e disa djemve ngritës peshash të Vehap Xhindolit në Elbasan, (para pak ditësh u shpall “Qytetar Nderi në Elbasan”) që gjithashtu vinte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist, të dy këta sportistë-trajnerë u bëmë modeli i ekipeve pjesëmarrëse, sepse ishim jo vetëm të kompletuar, por sepse në këtë kampionat, me meritë, zumë vendin e dytë, vetëm me një pikë pas Partizanit, sepse, kuptohet, Kupa e parë e një kampionati të parë të të rinjve në ngritje peshe nuk duhet të ikte nga Tirana. U gjet një marifet. Nuk i dhanë vendin e parë një sportisti të Elbasanit, Teki Ibrahimit, vetëm e vetëm që ne të zinim vendin e dytë. Gjithsesi ky ishte një sukses i madh më shumë për ne djemtë e Perikli Kristidhit.

Dua të kujtoj ato muaj të parë të stërvitjes sonë në një ambient të vogël, në ish tregun e qytetit, me nga një palë tuta të përdorura, por me një pasion shumë të madh nisëm rrugën e një sporti krenar, vërtet sport i forcës, por që ne sportistët e rinj u bëmë shembulli i djemve cërrikas për shkak edhe të faktit se të gjithë ne, si Shkëlqim Sako, Agron Shuku, Abaz Hima, Hyqmet Zane, Luan Malo, Vladimir Tërnova, Todi Leka, Sabaudin Fatkoja, Kujtim Senko, Gugash Shabani, u quajtëm me emrin “Djemtë e Perikliut”. Ishim kudo bashkë, në shkollë nxënës të mirë, në stërvitje shembullorë, në jetë të sjellshëm, kështu fituam autoritetin e një qyteti. Merita e të gjithë këtij mozaiku ishte Perikliu.

Një “Qytetar Nderi”…

Të kujtosh sot pas kaq shumë vjetësh një ngritës peshash, një trajner dhe një njeri të nderuar nuk është thjeshtë një privilegj. Kjo është ajo mbjellje e farës së mirë që hodhën Perikli Kristidhi dhe Vehap Xhindoli në Cërrik dhe në Elbasan duke bërë që breza të tërë sportistësh në peshëngritje cerrikas dhe elbasanas të marrin famë, të bëhen kampionë bote, të gjenerojnë breza peshëngritësish me disa ekipe si ajo e vëllezërve Pulaku dhe Ilir Çelës, e Nard Toskës në Shtërmen dhe e të tjerëve. Sukseset që i dha në emër Perikli Kristidhi dhe Vehap Xhindili janë sot kujtime të gjalla të një brezi që nuk harron, por sendërton kronologjinë e një kohe që, edhe pse në errësirën e diktaturës, spikati djem që e dashuronin sportin. Ndoshta një ditë, Këshilli Bashkiak i Cërrikut, edhe në kuadër të 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar do ta shpallë Perikli Kristidhin “Qytetar Nderi” të Cërrikut, të qytetit që ai i dha emrin e mirë.

 FIFA nis hetime etike për Kampionatet Botërore

Anëtarët e bordit të FIFA-s do të takohen të martën (sot) për tw emëruar një prokuror për korrupsion, të cilit do t’i kërkohet të hetojë rrethanat e emërimit të mikpritësit për Kampionatet Botërore të vitit 2018 dhe 2022. Në kuadër të reformave anti-korrupsion të presidentit, Sep Bllater, komiteti ekzekutiv i FIFA-s në Zyrih do të përzgjedh avokatët që do të udhëheqin hetimet e pavarura dhe dhomat e gjyqit të një gjykate etike. Këshilltari kryesor anti-korrupsion i FIFA-s, Mark Pith, i tha agjencisë së lajmeve AP se emërimet janë “tërësisht fundamentale” për modernizimin e mekanizmit botëror të futbollit. Paneli këshillues i Pithit tha se zyrtarët etikë duhet ta kenë autoritetin për t’i ekzaminuar edhe rastet e vjetra pasi FIFA “kishte hetuar në mënyrë joefikase” disa akuza që ndërlidhen me Kampionatin Botëror.

 Maikon shkon te Reali për 8 milionë euro

Ka fituar Murinjo, Dagllas Maikon duket se do të jetë futbollist i Realit të Madridit, pas vitesh të tëra tratativash. Mediat kanë njoftuar se mes anësorit të djathtë brazilian dhe klubit merenges është gjetur marrëveshja, nga e cila Interi do të përfitojë 8 milionë euro, ndërsa vetë mbrojtësi do të marrë 4,5 milionë në sezon te Reali, ku do të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare. Zyrtarizmi i transferimit pritet të bëhet që këtë javë, ndërkohë që Reali kërkon ende Luka Modriç.

 Coentrao: Do të kthehem te Benfica

Mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Coentrao, ka shfaqur dashurinë për ish-klubin e tij, Benfica, duke premtuar një kthim atje para se ta përfundojë karrierën. Portugezi u largua nga Benfica para një viti për 30 milionë euro dhe nënshkroi kontratë gjashtëvjeçare me klubin nga Santiago Bernabeu. “Benfica është klubi që e dua, klubi i zemrës time”. “Do të kthehem derisa jam akoma i freskët, jo vetëm atëherë kur të jem duke e përfunduar karrierën”, ka thënë Coentrao për O Jogo

*(ish-sportist)