Përfaqësuesja e notit mbyll me 4 rekorde kombëtare. Flasin ekskluzivisht trajnerët dhe 11 sportistët pjesmarrës

1433
Sigal

Flasin ekskluzivisht për “Telegraf” përfaqësuesit e kombëtares shqiptare të notit në Kampionatin Botëror për të Rinj

Ared Ruci – 17 vjeç

Kam 6 vjet që kam filluar sportin e notit, garoj pranë ekipit Stela. E kam filluar për arsye shëndetësore, kur mjekët më këshilluan të filloj këtë sport. Me një stërvitje sistematike dhe serioze arrita të bëhem pjesë e kampionateve kombëtare dhe më gjerë . Është hera e parë që marr pjesë në një kampionat botëror dhe të krijon ndjenjën e të qenit një notar i vërtetë. Ëndrra ime është të jem pjesë e garave olimpike dhe të jem një student me nota të larta që të fitoj bursë në universitetet amerikane.

Xhon Diko – 18 vjeç

E kam filluar këtë sport në moshën 11 vjeç. Qëllimi që prindërit më futën në sportin e notit ishte për një fizik më të mirë, por edhe për të qenë pranë një ambienti që karakterizohet nga disiplina, rregulli dhe harmonia me shokët e skuadrës. Më pas, trajneri im pa aftësi të mira në notim dhe kështu iu bashkëngjita dhe skuadrës në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Pjesëmarrja ime në Botëror ishte një përgjegjësi e madhe, pasi do të përfaqësoja denjësisht Flamurin Kombëtar . Rezultatet e mia në këtë aktivitet ishin në pritshmëritë e mia, përcolla një ndjesi të mirë mes notarëve nga e gjithë bota, por edhe mësova shumë nga ata. Serioziteti në stërvitje është një element kyç për rezultate të larta. Objektivat e mia janë, të shkoj për studime në Amerikë, ku shpresoj se do të gjej një skuadër tjetër për të marrë rezultate sa më të larta si edhe të jem pjesë e ekipit kombëtar ndër vite. Gjithmonë me meritë.

Kledi Kadiu – 15 vjeç

Kam 8 vjet që stërvitem në sportin e notit. Fillesat e mia i kam pasur në ekipin e Durrësit “Teuta” ku dhe garoj akoma. Familja më shtyu që të jem pjesë e këtij sporti për shkak të benefiteve të mira që ka si sport. Duke parë progresin që kisha, fillova të jem pjesë e kampionateve kombëtare dhe ndërkombëtare . Kam fituar çmime; si notari më i mirë 9 vjeç, 12 dhe 14 vjeç. Në këtë moment po stërvitem dhe studioj ne Amerikë, pranë ekipit të notit CSP Tideriders në Missouri. Këtë sezon përfaqësova ekipin kombëtar në Kampionatin Botëror në Kore 2019, ku arrita të thyeja 2 rekorde kombëtare për të rritur: në 100 m dhe 200 m me kohët: 52,56 dhe 1.55.11. Kampionati Botëror për të rinj në Hungari është një eksperiencë e re për mua ku unë arrij të garoj afër grupmoshës sime, përkrah notarëve më të mirë të botës, aty ku janë edhe objektivat e mia. Gjatë kohës që kalova u ndjeva si në shtëpinë time me shokët e skuadrës, me të cilët u rritëm bashkë në stërvitje dhe shumë aktivitete kombëtare.

Emma Rock – 16 vjeçe

Unë kam filluar të konkurroj në sportin e notit në moshën 10 vjeç. Noti më ka dhënë shumë mësime të vlefshme, si këmbënguljen dhe se si të punoj shumë për të arritur rezultate të mira në not dhe shkollë. Është kënaqësi të përpiqesh të gjesh mënyra të ndryshme për të përmirësuar teknikën, sepse noti është si një mister ku përpiqesh për të gjetur se kush është mënyra më e mirë që punon. Të marrësh pjesë në Kampionatin Botëror të të Rinjve është kënaqësi, sepse ke mundësi të takohesh me notarë të rinj shumë të mirë nga e gjithë bota dhe të demonstrosh mundësitë tona në arenën ndërkombëtare. Unë jam krenare të përfaqësoj Shqipërinë në këtë Kampionat Botëror për të Rinj!

Even Qarri – 16 vjeç

Kam 10 vjet që notoj. E fillova sportin e notit për t’u ndjerë më i sigurt në ujë. Ambienti që frekuentoja më bënte të ndihesha mirë me shokët dhe me trupin tim, hap pas hapi progresi u bë i dukshëm dhe kuptova që noti u bë një stil jetese për mua. Notoj prej vitesh pranë skuadrës Tirana ku fitoret dhe dështimet më kanë bëre më të sigurt ne karrierën time sportive. Pjesëmarrja në Botëror më dha të kuptoj, që duhet të punoj edhe më shumë për të arritur rezultate më të larta. Përmirësimi i rezultateve në këto gara më bën edhe më optimist. Të qënit pranë notarëve më të mirë të botës ka qenë ëndrra ime. Do vazhdoj të mbaj gjallë dy objektivat e mia; të qenit një nxënës i mirë në shkollë dhe gjithashtu një sportist cilësor në të njëjtën kohë.

Paolo Priska – 15 vjeç

Fobia ndaj ujit më bëri që prindërit të më regjistronin në kurse noti ku në fillesat e tij gjeta argëtim, siguri, disiplinë. Më pas i bashkëngjitëm skuadrës së “Eagles”. Trajneri duke parë progresin tim më bëri pjesë të ekipit Eagles ku pjesëmarrja në aktivitete bëri të dukshme edhe progresin tim në rezultate. Nuk e kisha menduar që do të merrja pjesë në një Botëror Noti, pasi unë në fëmijëri e kisha frikë ujin, por duke qenë shkolla e notit në Tiranë, më bën të mundur që të jem edhe një nga notarët më të mirë të këtij vendi. Përshtypjet e mia në këtë Botëror janë ato që më bëjnë të vendos për objektiva dhe arritje më tëlarta që do kem me pas. Te jesh pranë kampionëve të botes ndihesh mirë dhe keq njëkohësisht. Mirë, sepse mëson shumë nga ato dhe keq, sepse nuk i kalonim dot ato. Gjjthsesi modestia e tyre është një vlerë e shtuar për mua. Përmirësova kohët e mia personale dhe mendoj se është objektiv i arritur. I falenderoj pa masë prindërit e mi që kanë investuar kaq vite për mua dhe që do t’ua kthej në rezultate

Katie Rock – 16 vjeçe

Unë kam filluar të notoj që në moshë të vogël. Të qenit notare më ka dhënë shumë mësime me vlerë gjatë këtyre viteve. Sporti i notit më ka dhënë mundësinë t’i përkushtohem çdo ditë diçkaje që e kam me pasion, të punoj shumë dhe gjithmonë të përmirësohem. Pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të të Rinjve më ka dhënë mundësinë të demonstroj në arenën ndërkombëtare punën time të vazhdueshme në not. Unë e kam për nder të përfaqësoj Shqipërinë në këtë kampionat, të kem një eksperiencë të tillë dhe të takoj notarë nga e gjithë bota. Ne të gjithë jemi fitues dhe kemi arritur te marrim pjesë në këtë Kampionat Botëror.

Nargi Golashi – 16 vjeç

Kam 7 vjet që merrem me sportin e bukur të notit. Notoj pranë klubit Teuta, ku hap pas hapi aktivitetet kombëtare më bën serioze për të qenë pranë këtij sporti.

Fabio Dajzmaili – 16 vjeç

Kam 8 vjet që merrem me sportin e notit. E fillova këtë sport që të fitoj një edukatë sportive si edhe për një fizik të shëndetshëm. Trajneri, duke parë seriozitetin tim dhe dëshirën për të garuar më beri pjesëmarrës të kampionateve kombëtare dhe më tej. Garoj pranë ekipit “Eagle”. Kampionati Botëror në Hungari për të rinj është një eksperiencë e re për mua, e vlefshme, shumë e veçantë, duke garuar dhe qëndruar pranë notarëve më të mirë të botës por edhe notarëve që ishin pak a shumë në të njëjtin nivel me ne. Po kaloj momente shumë të bukura pranë ekipit kombëtar, objektivat janë që të kem rezultate të larta në studime dhe në përfaqësime akoma më të mira në botërorët e ardhshëm.

Elise Nake – 16 vjeç

Kam 5 vite që notoj. E fillova sportin e bukur të notit si element argëtues, më pas gjeta diçka më shumë, frymën për të qenë një notare kompetitive, përveç rezultateve shoh që kam përfituar disiplinë, rregull tek vetvetja. Përfaqësimi kuq e zi në këtë aktivitet më ka vënë në dukje, që duhet të punoj më shumë, për rezultate më të mira, gjë që mendoj se do t’ia arrij. Njohja nga afër me bashkëmoshatarët e mi nga të gjithë vendet e botës, më inkurajon për vazhdimësi në sportin e bukur të notit!

Stiven Xhufi – 17 vjeç

E fillova sportin e notit për arsye të mbipeshës trupore. Hap pas hapi, mbasi parametrat e trupit tim shkuan në pritshmëritë e mia, shumë shpejt u ndjeva pranë skuadrës së Tiranës ku prezenca e shumë kampionëve brenda kësaj skuadre krijoi ambiciet e mia, krijoj një vizion për të arritur në nivelet e tyre. Pjesëmarrja ime në këtë aktivitet nuk ishte e rastësishme për shkak të rezultateve të mira që kam arritur përgjatë këtyre viteve. Jam i privilegjuar të jem në këtë botëror për prindërit që kanë qenë gjithmonë pranë, por edhe punën e palodhshme të trajnerit. Mësova nga afër përmes këtij aktiviteti seriozitetin, kulturën dhe nivelet ndërkombëtare të sportit të notit, thjeshtësinë dhe modestinë që kanë kampionët e botës, gjë që më inspiron për të arritur në nivelet e tyre. Përveç se është një kënaqësi më vete që të jesh pjesë e këtij Botërori, ajo gjithashtu ka dhe benefitet e saj në aspektin arsimor që janë CV dhe bursat shkollore.

Rezultatet e garave

Dita e 3-të

Katie Rock – 50 m flutur 31.83

Stiven Xhufi – 50 m shpinë 29.64

Ared Ruci – 50 m shpinë 30.69

Emma Rock – 100 m bretkosë 1.22.72

Fabio Dajzmaili 50m stil i lirë 25.95

Kledi Kadiu 50 m stil i lirë 24.18

Elise Nake 200 m shpinë 2.54.19

Stafeta 4×100 m stil i lirë 2 femra & 2 meshkuj: 4.06.33 (Kledi Kadiu, Nargi Golashi, Elise Nake, Paolo Priska)

Dita e 4-t

Elise Nake – 50 m shpinë: 38.59

Paolo Priska – 50 m flutur: 27.59

Stiven Xhufi – 50 m flutur: 28.92

Katie Rock – 400 m stil i lirë: 4.47.83

Nargi Golashi – 400m stil i lirë: 4.57.28

Xhon Diko – 200 m bretkosë: 2.34.94

Kledi Kadiu – 200 m bretkosë: 2.21.51

Dita e 5-të

Fabio Dajzmaili – 100 m stil i lirë: 57.18

Kledi Kadiu – 100 m stil i lirë: 51.83

Katie Rock – 100 m flutur: 1.09.38

Even Qarri – 400 m katërnotim: 5.09.58

Paolo Priska – 400 m katërnotim: 5.07.73

Xhon Diko – 50 m bretkosë: 32.11

Kledi Kadiu: 29.45

Dita e 6-të

Ared Ruci – 200 m shpinë: 2.27.10

Ema rock – 200 m bretkosë: 3.04.56

Nargi Golashi – 200 m stil i lirë: 2.21.83

Katie Rock – 200 m stil i lirë: 2.17.28

Stafeta 4*100 m katërnotim meshkuj: 4.19.16 (Stiven Xhufi, Even Qarri, Paolo Priska, Fabio Dajzmaili)