Partizani, negociata me Klodian Duron, por fjalën e fundit e thotë vetëm… Moxhi

253
Partizani i sezonit 2017-2018 mbetet në fazën e pushimit, pasi klubi akoma nuk e ka zbuluar fytyrën e re. Pas eliminimit nga Liga e Europës, të kuqtë kanë mbetur edhe pa trajner, pasi Sulejman Starova dha dorëheqjen nga drejtimi i ekipit. Përcaktimi i trajnerit të ri shikohet edhe si hapi i parë i fillimit të punës së Partizanit të sezonit të ri. Prej kohësh janë diskutuar dy pista nga ku mund të vijë pasuesi i Starovës. Trajneri i Luftëtarit, Mladen Milinkoviç, ose një teknik italian i përzgjedhur nga Luçiano Moxhi janë sponsorizuar si mundësitë e mundshme. Por, së fundmi, trajektorja ka pësuar ndryshime, pasi gjasat janë që pasuesi i “Bobit” të jetë një trajner shqiptar.

Klodian Duro është emri më i ri i përfolur sa i përket punës kërkimore të drejtuesve të Partizanit për përzgjedhjen e trajnerit të skuadrës së sezonit të ri. Burime të ndryshme paranë palëve bëjnë me dije se trajneri Duro ka pasur së fundmi një takim me presidentin e klubit, Gaz Demi. Për momentin, thuhet se bisedimet janë në rrugën e duhur dhe palët janë thuajse pranë me kërkesat dhe objektivat që kanë palët. Është thënë që në fillim se vulën për emërimin e trajnerit të ri të Partizanit do ta vërë Luçiano Moxhi, i cili është personi përgjegjës për mbarëvajtjen e klubit në sezonin e ri. Ndaj, në kuadrin e bisedimeve, pritet që ish-trajneri i Kukësit, Klodian Duro, të takohet edhe me Moxhin. Në këtë takim, trajneri pritet që të paraqesë planin e tij, por do të dëgjojë edhe kërkesat që ka “Big Luçiano” për trajnerin e ri të Partizanit.

Kohë më parë, ishtrajneri Sulejman Starova, aktualisht këshilltar i presidentit Demi, ka pohuar se lojtarët e skuadrës do t’i përzgjedhë Moxhi, ndërsa trajneri ka si detyrë që t’i përgatisë ata. Mbetet për t’u parë nëse Duro do ta pranojë këtë kusht. Klodian Duro ka një eksperiencë të madhe si lojtar, ku përveç 78 ndeshjeve me Kombëtaren ka luajtur në disa klube si brenda dhe jashtë vendit, ku ka fituar edhe trofe. Duro ka provuar që të veshë fanellën e Partizanit në vitin 2003, ku në 11 ndeshje të luajtura ka shënuar 3 gola. 39-vjeçari është pjesë e plejadës së trajnerëve të rinj shqiptar. Një vit më parë, si trajner i Kukësit, Klodian Duro arriti që të fitonte Kupën e Shqipërisë, trofeu i parë në historinë e klubit verilindor.