Partizani me ritme “Samba”, pesë gola ndaj moldavëve dhe sheh nga raundi tjetër

197
Sigal

Atë që nuk e bëri dot Teuta një ditë më parë, e realizoi Partizani. “Demat e Kuq” kanë shkatërruar me goleadë moldavët e Sfintul në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Konferencës, që këtë vit nis për herë të parë.

Partizani fitoi me rezultatin 5-2 ndaj moldavëve dhe udhëton më i qetë në ndeshjen e kthimit. Golat mbajtën autorësinë e brazilianit Junior, me tre të tillë, si dhe dy asiste në dy golat e tjerë të brazilianit tjetër Cardoso dhe të Carës.

Rezultati i jep qetësinë skuadrës së drejtuar nga trajneri Ilir Daja për ndeshjen e kthimi, pasi nisur nga niveli i kundërshtarit, është thuajse e pamundur që tre golat diferencë të siguruar në këtë ndeshje të përmbysen në Moldavi.

Një ditë më parë, skuadra e Teutës dështoi të bënte të njëjtën gjë. Kampionët e Shqipërisë u mposhtën me rezultatin 0-4 nga Sheriff Tiraspol në ndeshjen e vlefshme për turin e parë të eliminatorëve, duke dalë thuajse jashtë nga ky kompeticion, pavarësisht se për t’u luajtur është edhe ndeshja e dytë.