“PARIS 2024”/ Presidenti FSHF-së, Agim Çiraku: Kaltra Meça e Grisi Koxhaku janë vlerë e notit shqiptar

“PARIS 2024”/ Dje u mbyllën garat për notarët tanë me kohë të përmirësuara. Flasin për “Telegraf” Presidenti FSHF-së, Agim Çiraku dhe trajneri Arjan Fetishi

 

Agron KAJA

Rekordi kombëtar është një motivim që e shoqëron çdo sportist, por që nuk mbetet pengesë. Dhe në këtë rast, notarët nuk e arritën, por më intereson pjesëmarrja e këtyre dy notarëve në Paris. Sepse Kaltra Meça e Grisi Koxhaku janë vlerë e notit shqiptar

NOA

Zoti President, në dy ditët e garave të notarëve tanë në “Paris 2024” ju pamë të emocionuar, pse ndodh kështu?

Sepse kemi të bëjmë me një pjesëmarrje në një event shumë madhor, Olimpiada Botërore. Për çdo notar, kjo jo vetëm që mbetet një ëndërr për karrierën sportive, por njëherësh është edhe një pedanë e mirë për përvojë e rezultate të larta.

Me rezultatet që arritën Kaltra Meça e Grisi Koxhaku, ju kishit pritshmëri më të mira?

Natyrisht që kisha pritshmëri më të mira, dhe jo vetëm unë. Sepse si Kaltra, ashtu edhe Grisi, janë dy notarët më të mirë që ka sot Shqipëria. Ata trajnohen nga një trajner shumë pasionant, që së bashku do na sjellin të tjera rezultate dhe rekorde.

Ndërkohë, pse në “Paris 2024” notarët nuk patën “afrimitet” me rekordet kombëtare?

Rekordi kombëtar është një motivim që e shoqëron çdo sportist, por që nuk mbetet pengesë, e në këtë rast notarët nuk e arritën. Më intereson pjesëmarrja e këtyre dy notarëve në Paris, sepse Kaltra Meça e Grisi Koxhaku janë vlerë e notit shqiptar.

Para garave ju ishit optimist për rezultate më të larta, tani që nuk u arritën, si ndjeheni?

Nuk mund të them se nuk u arritën rezultatet, por synimet jo. Unë jam vetë një ish-notar dhe e di mirë se çfarë mund ti kërkosh një sportisti para çdo gare, aq më shumë kur ka gara të përmasave të tilla botërore si Olimpiada Botërore në Paris.

Mendoni se në këtë paraqitje të këtyre dy notarëve ka ndikuar pjesëmarrja e tyre me ftesë në këto lojra?

Kjo nuk mendoj se është arsye, sepse ata shkuan atje me rezultatet që arritën. Nëse do të kapnin kohë më të mira, do ishin si të kualifikuar. Kështu që nga ana psikologjike nuk e besoj se ka patur ndikim për keq pjesëmarrja e tyre me ftesë.

Cila është pritshmëria juaj deri në mbyllje të vitit 2024, tek këta dy notarë dhe trajneri i tyre?

Nëse do flas vetëm për këta dy notarë, mendoj se do lë pas dore gjithë ata notarë e notare të tjerë që kanë kontributin e tyre në këtë periudhë në notin shqiptar. Të përgatiten sistematikisht, me ngarkesë e seriozitet për rezultate më të mira nga gara në garë.

Nuk është hera e parë që në një Olimpiadë Verore marrin pjesë dy notarë, këtë herë ju si President i FSHN-së si e vlerësoni?

Unë kam vite tashmë që jam zgjedhur në krye të FSHN-së si President, por vetëm këtë herë në Olimpiadën “Paris 2024” u bë e mundur që noti shqiptar të përfaqësohet me dy notarë  më dinjitozë. Mendoj se është një arritje e përbashkët: Federatë-Trajner-Notarë.

Në fundin e muajit gusht zhvillohet Kampionati Kombëtar për të gjitha moshat e kategoritë dhe me tabelë elektronike, si e prisni?

Mendoj se të gjithë garuesit e presin me emocion Kampionatin Kombëtar që do zhvillohet në fundin e muajit gusht në Durrës. Por edhe ne si federatë, së bashku me klubin Teuta, e presim mes përgjegjësive për një organizim e zhvillim sa më të mirë të këtyre garave. Masat tona do jenë perfekte.

Cili është mesazhi juaj për notarët e trajnerët e tyre në këtë periudhë pushimesh verore?

Kjo është një periudhë shumë delikate sa i përket përgatitjeve të notarëve, sepse shumica shkojnë me pushime. Por do tu thoja trajnerëve, dhe në veçanti notarëve, të mos shkëputen nga përgatitjet. Janë me rëndësi për gjendjen e tyre sportive.

 

Notarja Kaltra Meça gjatë garës

 

Notari Grisi Koxhaku gjatë garës

 

TË VEÇANTA

NOTARËT  SHQIPTARË

#Është e pesta herë që Shqipëria përfaqësohet në Olimpiada Botërore Verore me dy notarë garues. Konkretisht: Athinë 2004, Pekin 2008, Londër 2012, Rio 2016 dhe  Paris 2024

FLAMURI NË OLIMPIADË

#Për herë të parë në historinë e shtatë pjesëmarrjeve të notarëve shqiptarë në olimpiada, Flamuri Kombëtar u mbajt nga një notare. Në Paris, ishte notarja Kaltra Meça

GABIMI ME  FLAMURIN

#Në ceremoninë e hapjes të Lojrave Olimpike Verore “Paris 2024”, delegacioni shqiptar u paraqit me një flamur kombëtar “kinez”, veprim me një shije të keqe te shqiptarët

 

NOTARËT NË “PARIS 2024”

Notarja Kaltra Meça

Në Francë

Garoi 200m St. Lirë

Bateria 1, Korsia 4

Koha 2’12”21/Vëndi 4

Renditja 27/ 31 garuese

Në Shqipëri

Koha 2’10”52

 

Notarja 15 vjeçare e Tiranës, Kaltra Meça, në Lojrat Olimpike “Paris 2024” e kishte pjesëmarrjen e parë të saj në një event të tillë ndërkombëtar. Ajo garoi në datën 28 korrik, ora 11:30, duke konkurruar në Baterinë 1, Korsia 4, bateri  në të cilën ishin gjithësej 6 notare. U rendit në vëndin e 27-të mes 31 notareve garuese.

Notari Grisi Koxhaku

Garoi 100m St. Lirë

Bateria 3, Korsia 7

Koha 52”32/ Vendi 5

Renditja 62 / 80 garues

Në Shqipëri

Koha 55”75

 

Notari i Tiranës, Grisi Koxhaku, e kishte pjesëmarrjen e parë të tij në një event të tillë ndërkombëtar, në Lojrat Olimpike “Paris 2024”. Ai garoi në datën 30 korrik, ora 11:21 duke konkurruar në Baterinë 3, Korsia 7, bateri në të cilën ishin gjithësej 8 notarë dhe u rendit në vëndin e 5-të. Me 80 notarë pjesëmarrës në garë, i 62-ti.

Trajneri Fetishi nga Parisi: Gresi dha më të mirën

Dje në mesditë, në pishinën e Parisit garoi notari ynë Grisi Koxhaku. Në 100 m Stil i Lirë ai konkurroi në Baterinë 3-Korsia 7, duke zhvilluar një garë me rivalitet, por edhe duke e përmirësuar kohën me 3 sekonda, të cilën e kishte fiksuar së fundmi në garat e Kupës së Shqipërisë. Gazeta “Telegraf” ka qënë në lidhje të drejtpërdrejtë me trajnerin Arjan Fetishi, i cili nga Franca shprehu kënaqësi e vlerësime, si për Greisin që e mbylli dje garën, ashtu edhe për Kaltra Meçën që e mbylli garimin e saj ditën e dielë. “Mendoj se Gresi Koxhaku sot (dje) dha më të mirën e tij në garën e 100 m Stil i Lirë për Meshkuj. Me kohën 52”32, ai e përmirësoi ndjeshëm, por nuk mundi ti afrohej rekordit kombëtar. Gjithsesi, unë si trajner mendoj se ai me moshën e re që ka në krahasim me pjesëmarrës të tjerë, do ketë një të ardhme shumë të mirë. Po kështu edhe Kaltra”, kështu e nisi dje bisedën trajneri Arjan Fetishi, i pranishëm në Olimpiadën e “Paris 2024” si trajner i dy notarëve, Kaltra Meça dhe Greisi Koxhaku. Në bisedën e tij, trajneri Fetishi theksoi se të dy notarët e mbyllin Olimpiadën me përshtypjet më të mira në garim. “Të dy notarët që përfaqësuan Shqipërinë këtu në Olimpiadën Botërore të Parisit, për mua si trajner garuan denjësisht. Mosha e tyre e re dhe eksperienca e pakët në evente të tilla botërore, tregoi se duhet të jenë më të fokusuar në kohë. Noti ka konkurrencë shumë të lartë dhe për momentin mund të themi se përfaqësimi ynë ishte dinjitoz, për atë çka kemi investuar në këtë sport”. Ky ishte mendimi i trajnerit Fetishaj për këto dy gara, por ai theksoi se duhet bërë një analizë më e thelluar. Për çështje teknike të garave në përfaqësimin e notarëve tanë, por edhe pë rata që do të na përfaqësojnë në vazhdimësi, mendoj se duhet bërë një analizë më e thelluar për çka duhet ta bëjmë më mirë në përfaqësimet e radhës. Gjithsesi, ju uroj shumë suksese  notarëve Greisi Koxhaku e Kaltra Meça. Po ashtu, edhe notarëve e kolegëve për përfaqësime ndërkombëtare e kombëtare me nivele edhe më të larta në sportin e bukur të Notit”, ishte kjo biseda e zhvilluar dje në mesditë me trajnerin Arjan Fetishi, i cili mbetet në mendimin se të dy notarët e përfaqësuan me dinjitet Shqipërinë në këto gara.

7 OLIMPIADA

Në historinë e pjesëmarrjeve, notarët shqiptarë kanë marrë pjesë në 7 Olimpiada Botërore Verore

12 NOTARË

Në shtatë Olimpiadat botërore, nga noti shqiptar kanë garuar 12 notarë, nga të cilët 5 femra dhe 4 meshkuj

Notarë shqiptarë në Lojrat Olimpike

BARCELONË 1992

Frank Leskaj

50m e 100m St. Lirë

Renditja-Vëndi           50

ATHINË 2004

Kreshik Gjata

100m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi           66

Rovena Marku

50m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi           60

PEKIN 2008

Sidni Hoxha

50 m St. Lirë

Renditja-Vëndi           63

Rovena Marku

50m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi           53

LONDËR 2012

Sidni Hoxha

100m St. Lirë

Renditja-Vëndi           37

Noel Borshi

100m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi           40

RIO 2016

Sidni Hoxha

50m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi           41

Nikol Merizaj

50m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi           43

TOKIO 2020

Nikol Merizaj

50m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi           42

PARIS 2024

Kaltra Meça

200m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi           27

Grisi Koxhaku

100m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi           62