Panuçi pa shqetësime, vetëm Basha stërvitet i diferencuar

451
Nga Agron KAJA
KOMBETARJA NË ANTALIA/ Vazhdojnë përgatitjet për miqësoren me Tuqinë, trajneri dje zhvilloi edhe një ndeshje brenda grupit
Edhe dje Kombëtarja shqiptare vijoi me përgatitjet e ditës së dytë në Antalia, pasi ditën e hënë datë 13 nëntor, do të luajë takimin miqësor me ekipin kombëtar turk, të drejtuar nga trajneri Luçesku. Zyra e shtypit në FSHF, ka informuar nëpërmjet një postimi në Facebook dhe në faqen e saj zyrtare në internet fshf.org, se trajneri Panuçi dje u fokusua më shumë në pjesën taktike, duke zhvilluar ushtrime të ndryshme në fushë, sipas ndarjes së planifikuar. Ndërsa në 20 minutat e fundit, tekniku italian zhvilloi një ndeshje brenda grupit, për të vlerësuar situatat taktike të lojës. Sikundër edhe është bërë zyrtare, në këtë ndeshje do të kenë një prani të madhe policësh, rreth 2 mijë, të cilët do të jenë në atë stadium edhe për ndeshjen e Superligës turke Antaliaspor-Fenerbahçe që do të luhet më 19 nëntor. Në këto tri ditë të para përgatitore, bie në sy një grumbullim më i madh i mesfushorëve të rinj, nisur edhe nga mungesat e Abrashit, Kukelit dhe Kaçes. Ndoshta kështu duket si një “revolucion” në mesfushë, pasi veç Ajdareviç që bën debutimin e parë, Lilajt dhe Ramadanit, është thirrur edhe Qaka vetëm dy ditë më parë. Shpesh, në të gjitha grumbullimet para çdo sfide, në vitet e fundit reparti i mesfushës ka kërkuar më shumë ndërhyrje, pasi veç moshës së madhe të disa prej futbollistëve dhe të dëmtimeve, ka qenë edhe mungesa e një fantazisti. Nisur nga përgatitjet e këtyre ditëve në Antalia, trajneri Panuçi ka idetë e tij për ta ndryshuar lojën nëpërmjet këtij reparti, e shenjat e para pritet t’i japë të hënën në Antalia, kohë kjo më të gjatë për të në qëndrimin me skuadrën. Ndërsa Ajdareviç pritet të marrë vëmendjen të madhe në përballjen e 13 nëntorit, pasi nga këtu mund të marrë formë edhe skuadra, të cilën italiani do ta përgatisë për kualifikueset e radhës, Evropiani 2022. Ajdareviç është rritur në Suedi dhe aty është formuar si futbollist, madje ai mund të luajë në të gjitha pozicionet e mesit të fushës, ndërsa preferenca e tij është që të luajë si fantazist, pozicion që pothuajse nuk ka ekzistuar në Kombëtare që pas largimit të Ervin Skelës. Një pikë e rëndësishme për kolaudim në këtë periudhë, duket se është krahu i majtë i mbrojtjes, me lënien jashtë të kapitenit Agolli. Për momentin, alternativat në këtë krah janë të pakta, me Balliun që nuk ka lënë shumë gjurmë, Alijin pa skuadër, por edhe Lenjanin që shumë pak herë është provuar në atë pozicion. Ndërkohë, trajneri Panuçi nuk i është ndarë programit me dy seanca në ditë, duke e ndarë ekipin në grupe sipas reparteve. Në këtë mënyrë, ai ka më shumë kohë edhe për të ravijëzuar përfundimisht formacionin më të mundshëm.
Mesfushori Migjen Basha vijon të stërvitet i diferencuar edhe dje ai ka bërë disa ushtrime të lehta i veçuar nga grupi në seancën e pasdites. Ndërsa sot është planifikuar për të vetëm një seancë stërvitore, ajo e pasdites
Sigal