Nuk jemi të vonuar, po ndërtojmë një skuadër dinjitoze

437
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Për përgatitjet dhe merkaton në skuadrën e Kamzës, flet për “Telegraf” Presidenti Naim Qarri
Skuadra e Kamzës, në sezonin 2017-2018 të Kategorisë Superiore, vjen si debutuese e Kampione e Kategorisë së Parë në sezonin e kaluar. Por, sipas Presidentin e saj, Naim Qarri, po ndërtohet një skuadër dinjitoze, që ajo të mos ndjehet inferiore në raport me skuadrat e tjera të kësaj kategorie. Në bisedën me gazetën “Telegraf”, presidenti i kamzalinjve tregoi për punimet që janë bërë aktualisht në stadium, për merkaton, por edhe për vazhdimësinë e punëve në skuadër, deri në startin e sezonit të ri. “Këto ditë ne përfunduam disa nga detyrat që ka lënë FSHF-ja për përmirësimin e infrastrukturës në stadiumin tonë. Deri më sot është shtruar tapeti i ri i fushës dhe jemi në dorën e fundit të përmirësimit të ambienteve të brendshme në stadium, të cilët do të jenë në standardet e kohës. Kjo është njëra nga punët tona për sezonin e ri, me qëllim që skuadra jonë të mos hyjë mes më të mirave si inferiore në infrastrukturë”, kështu theksoi fillimisht në deklaratën e tij Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, i cili më pas për gazetën “Telegraf”, tregoi edhe për punët e tjera në formatimin e përgatitjen e skuadrës për sezonin e ri. “Në këtë periudhë, së bashku me stafin teknik, kemi punuar fuqishëm në merkato. Janë afruar disa emra, dhe zyrtarisht, ditë më parë ne kemi firmosur me një mesfushor brazilian (Bruno Arrabal), i cili vjen nga një eksperiencë e mirë me skuadrën qipriote Ethnikos Aknas. Me paraqitjen e tij, ai e bindi stafin teknik për vlerat që ka, dhe ne do të vazhdojmë të jemi aktivë deri në ditën e fundit të merkatos, pasi mendojmë të ndërtojmë një skuadër dinjitoze, rivale për vendet mbi mesin e tabelës së renditjes. Këtë javë do ta “tronditim” merkaton me disa blerje cilësore”, vazhdoi në deklarimin e tij presidenti i skuadrës së Kamzës, duke e mbyllur me premtimin, se në fillimin e javës tjetër, do të ketë një grup cilësor që do të jetë baza e skuadrës së Kamzës për sezonin e ri. “Në fillimin e javës së ardhshme, ne do të fillojmë stërvitjen me grupin më të plotë, dhe stafi teknik ka përgatitur një program, të cilin e ka menduar si baza për vazhdimësinë e këtij sezoni, që realisht pritet të jetë i vështirë për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse. Gjithsesi, ne me këtë ritëm mendojmë se jemi në rrugën e duhur të përgatitjeve”. Kështu duket se, skuadra e Kamzës e ka vlerësuar këtë periudhë përgatitore për sezonin e ri, jo vetëm në merkato e përgatitje, por edhe në infrastrukturë, e cila më parë qartazi dukej se nuk ishte në nivelin e Superiores. Nisur edhe nga deklarimet e Presidentit Naim Qarri, por edhe nga ritmika e kësaj jave te skuadra e Kamzës, duket se, do të kemi një skuadër që nuk do ta ketë shëtitje sezonale Kategorisë Superiore 2017-2018.
Sigal