“Nuk iki vjedhurazi nga Skënderbeu”, Belajdi Pusi: Keqardhje që golat i gjej tani

146
Sigal

Skënderbeu tashmë ka mbyllur çdo llogari dhe e vetmja situatë motivuese për ekipin në këto momente është rritja e cilësisë personale të lojtarëve dhe përgatitja e terrenit për sezonin e ardhshëm. Në kushte të tilla, duket se i gjithë ekipi tashmë do të mendojë vetëm për këtë gjë. Pikërisht ai që po tregon nivel konstant në ndeshjet e fundit është Belajdi Pusi.

Autori i dy golave duket se është rikthyer të gjejë formën e munguar prej kohësh. Sulmuesi është rikthyer një pikë e rëndësishme e Skënderbeut në javët e fundit dhe me pritshmëri të madhe për sezonin e ardhshëm. Në një prononcim të dhënë, vetë Pusi u shpreh se ndihet i trishtuar për rënien e ekipit. Megjithatë, sipas tij kjo do të jetë vetëm momentale, pasi Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë për t’u rikthyer sërish sezonin e ardhshëm në kategorinë e më të mirëve.

“Të vjen keq kur e mendon se Skënderbeu nuk do të jetë në Superiore sezonin e ardhshëm. Është diçka që nuk e meritonim, por fati dhe situatat e krijuara e shkaktuan një gjë të tillë. Personalisht ndihem keq, pasi kishim një grup të mirë, por ndoshta nuk zgjidhëm si duhet disa takime dhe u penalizuam. Mëkat që kapa formën në këtë moment dhe po gjej golat, pasi duhet të kisha shënuar shumë më shpejt. Në fillim të kampionatit më kanë penalizuar minutat e pakta që kam pasur në dispozicion dhe nuk kam pasur mundësi për të treguar vlerat e mia. Me ardhjen e profesor Gegës, te cilit i jam shumë mirënjohës, mu dha më shumë besim dhe po bëj atë që di të bëj. Për këtë më vjen keq më shumë. Në aspektin personal ndihem mirë, pasi çdo sulmues kur shënon është më i qetë dhe mund të ecë më shpejt përpara. Do të vijojë me përqendrim maksimal edhe dy ndeshjet e mbetura, paçka se janë thjeshtë statistikore”, ka thënë fillimisht sulmuesi shkodran i Skënderbeut.

Sezonin e ri Skënderbeu do të jetë në Kategorinë e Parë dhe për të gjithë zgjedhja bëhet më e vështirë. Kontrata e Pusit me bardhekuqtë mbaron në fund të këtij viti, por sulmuesi u shpreh i bindur se zgjedhja do të jetë më e mira për të dyja palët. Ai nuk e fshehu dëshirën për të vijuar me Skënderbeun, duke shprehur fjalë besnikërie. Sipas tij, gjithçka do të varet nga takimi me Takajn dhe plani i klubit për ekipin.

“Është diskutim që do të bëhet me presidentin, për të parë se çfarë kërkon klubi. Unë jam ndier mirë këtu. Për mua nuk është çështje kategorie, pasi Skënderbeu dhe Korça më kanë dhënë shumë këto vite. Prandaj, dëshira e mirë ekziston. Nuk do të iki vjedhurazi. Do të pres të flas me presidentin dhe të bëjmë zgjidhjen e përbashkët në të mirë të të dyja palëve. Në Korçë kam kaluar momente te bukura dhe të vështira të cilat më kanë rritur shumë profesionalisht. Dëshira ime është të ndërroj ambient dhe të shikoj për një aventurë të re por më parë duhet të ulem dhe të flas me presidentin për këtë temë. Shpresoj që Skënderbeu të ngjitet sa më shpejt sepse është një vlerë e madhe për Superioren”, sqaroi 24-vjeçari shkodran.