Trajneri i AN Te Stela, Sadik Mema, i “pangopur” me rezultatin: Erdhëm si fitues

1330
Sigal

Nga Agron KAJA

U mbyllën dje garat e veprimtarisë ndërkombëtare të notit “Kupa e Teutës” 2018, në tri ditë garuan 279 notarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, të ftuar edhe nga Italia e SHBA-ja

Ekipi juaj Te Stela është fitues, jeni i kënaqur në raport me pritshmëritë që kishit?

Nëse e marrim fituesin në numrin e medaljeve, Te Stela arriti të grumbullojë në total 94 medalje, ndaj 67 të tilla që arriti të fitojë STEP. Gjithsesi, si trajner nuk jam i kënaqur, por edhe vendi i dytë mbetet një stimul real për ne.

Kishit synime për ta fituar ju këtë veprimtari ndërkombëtare?

Patjetër që po, sepse Te Stela shkon si fituese në çdo veprimtari. Për punën që bëhet në Akademinë tonë të Notit, them se jemi relativisht mirë me këtë vend të dytë, por këtu ndikuan edhe disa mungesa që kishim për arsye objektive.

Po ta kishit ekipin më të kompletuar me notarët më të mirë, e garantonit fitoren e këtij turneu ndërkombëtar?

Garancia për fitore ishte 100%, por duke marrë parasysh shumë faktorë, Te Stela është relativisht mirë. Sepse ky është aktiviteti i parë që organizohet këtë vit në pishinë 50 m, dhe koha e shkurtër nuk na mundësoi përshtatjen më të mirë.

Si ishte rivaliteti mes notarëve në përgjithësi gjatë gjithë kësaj veprimtarie ndërkombëtare?

Realisht, të gjithë garuesit treguan se e kishin vlerësuar këtë event, dhe rezultatet ishin të mira. Kishte gara ku u luftua shumë p.sh., ato të stilit bretkosë, miks, stil i lirë dhe stil shpinë, si për meshkuj edhe për femra.

Cili ishte ndryshimi (progresi) i ekipit tuaj në këtë Kupë?

Nëse nisem nga medaljet e fituara, mendoj se këtu është një pjesë e progresit, dhe e meritës. Por, nëse do të nisem nga mundësitë dhe pritshmëritë, nuk mundëm të ndryshonim më shumë. Te Stela është ekip serioz dhe me talente.

Do ta bëni këtë progres që në veprimtarinë e radhës, në Kampionati Kombëtar i Fëmijëve në pishinën 50 m?

Koha është e shkurtër për përgatitje, por kjo nuk na dorëzon para synimeve që kemi për këtë event, i cili do të zhvillohet në Tiranë në datat 27-28 qershor 2018. Që sot (dje) po ju them se atë veprimtari do ta fitojnë notarët e AN Te Stela.

Te Stela shkon si fituese në çdo veprimtari. Për punën që bëhet në Akademinë tonë të Notit, them se jemi relativisht mirë me këtë vend të dytë, por këtu ndikuan edhe disa mungesa që kishim për arsye objektive

Nikol Merizaj: Shpresoj të jem kështu edhe në Lojërat Olimpike Mesdhetare

Notarja e Tiranës, Nikol Merizaj, dje u shpall më e mira garuese femër e veprimtarisë ndërkombëtare “Kupa e Teutës 2018”. Për gazetën “Telegraf”, e talentuara e notit shqiptar deklaroi se këto rezultate synon të rritë në Lojërat Olimpike Mesdhetare. “Unë falënderoj të gjithë organizatorët e kësaj Kupe, FSHN-në dhe trajnerin tim Arjan Fetishaj, të cilët i shoh si pjesë të suksesit tim. Po përgatitem në Greqi dhe synoj që këto rezultate t’i rris në pjesëmarrjen time në Lojërat Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018”. Shpresoj shumë!”, kështu deklaroi dje Kampionia, Nikol Merizaj.

Franci Aleksi Kampioni i “pa mposhtur”: Në “Tarragona 2018” do thyej dy rekorde

Notari Franci Aleksi ishte i vetmi që nuk u “lëkund” në asnjë garë. Në të tria garat që ai mori pjesë i fitoi, madje duke arritur në kuotën e 2030 pikëve FINA, rezultate që tregojnë progresin e këtij talenti të notit shqiptar. Dje në mbrëmje, pas shpalljes si notari më i mirë për meshkuj, Franci deklaroi për gazetën “Telegraf” se pritshmëritë e tij për dy gara i arriti. “Përgatitjet që kisha bërë për këtë veprimtari, nuk arrita ti shpërblej në pritshmëritë e mia. Unë bëra tre gara, dhe të tria në rezultate ishin të ndryshme nga sa mendoja dhe kisha bërë përgatitjet”, kështu theksoi dje në mbrëmje Franci Aleksi, ndërkohë që në garat 400 m dhe 800 m stil i lirë nuk e thye Rekordin Kombëtar për 2 dhe 3 sekonda. “Ndjeva keqardhje që në 400 m dhe 800 m stil i lirë nuk munda të thyej rekordet Kombëtarë për 2 dhe 3 sekonda. Por, këtë do të mundohem ta bëj në Lojërat Olimpike Mesdhetare në “Tarragona 2018” në Spanjë. Jam shumë optimist se aty do të thyej rekord kombëtar në dy gara: Në 400 m stil i lirë me rreth 5 sekonda, ndërsa në 1500 m stil i lirë deri në 10 sekonda”, ishte kjo deklarata e Kampionit absolut të Kupës “Teuta 2018”, Franci Aleksi.