Nga Agron KAJA
NOT-KAMPIONATI KOMBËTAR I FËMIJËVE/ Dje në Akuadromin e Tiranës, mbi 200 fëmijë nga e gjithë Shqipëria e zhurmuan pishinën 50 m, u arritën rezultate të larta. Reshjet e shiut shtynë garat
Pasi u mbyllën me sukses në mesin e këtij muaji garat e veprimtarisë ndërkombëtare “Kupa e Teutës 2018”, dje në Akuadromin e Tiranës nisën garat e ditës së parë të Kampionatit Kombëtar të Fëmijëve, të moshës deri në 14 vjeç, meshkuj e femra. Le të themi së pari se, duhen veçuar masat e mira organizative që FSHN-ja kishte marrë për këtë veprimtari kombëtare, ku gjithçka ishte në perfeksionin e duhur. Të pranishëm ishin edhe qytetarë të ndryshëm, të afërm të notarëve garues, por që në shkallët e Akuadromit, sollën një atmosferë të bukur “tifozerie” gjatë zhvillimit të garave. Në këtë kampionat morën pjesë 12 ekipe nga e gjithë Shqipëria, të cilët futën në gara mbi 200 notarë, meshkuj e femra. Që në garën e parë të këtij eventi, u thyen 3 Rekorde Kombëtare nga femrat në 400 m stil i lirë. Vivian Xhemollari e Traditës në Kategorinë B, dhe Kaltra Meça e AN Te Stela në Kategorinë C, ishin dy rekordmenet e para të Kampionatit, madje me përmirësime në kohë të ndjeshme. Xhemollari e thye rekordin në garën 400 m stil i lirë me 11.38, një kohë e ndjeshme kjo, e cila tregoi më së shumti se notarja e ekipit Tradita, në këtë kampionat do të jetë protagoniste edhe me rekorde. Madje që dje, edhe pse garoi jashtë gare në 200 m stil flutur, Vivian Xhemollari e thye rekordin Kombëtar me 07.08 sekonda. Vëmendje dje morri edhe notarja e AN Te Stela, Kaltra Meça, e cila në Kategorinë C për ferma, në garën 400 m stil i lirë e thye Rekordin Kombëtar me 10.39 sekonda. Në garat e paradites, këto ishin rekordet kombëtare që u thyen nga notaret femra, ndërsa pritej që në garat e pasdites të kishte rezultate të larta dhe rekorde të tjerë kombëtarë, por moti me reshje shiu, dhe i ftohtë në raport me stinën, i detyroi drejtuesit e Federatës Shqiptare të Notit që ta shtyjnë ditën e dytë të garave. Referuar kalendarit vjetor kombëtar, garat e Kampionatit Kombëtar për Fëmijë (dita e dytë), do të zhvillohen më 11 korrik 2018, një ditë para nisjes të Kampionatit Kombëtar për të Rinj, të Rritur e veteranë, i cili do ti zhvillojë garat në pishinën 50 m te Akuadromi i Tiranës, në datat 12-13 korrik 2018.
Vivian Xhemollari e Traditës në Kategorinë B, dhe Kaltra Meça e AN Te Stela në Kategorinë C, ishin dy rekordmenet e para të Kampionatit, madje me përmirësime në kohë të ndjeshme
Flet rekordmenia Vivian Xhemollari: Jam e përgatitur për rekorde
Notarja e ekipit Tradita, Vivian Xhemollari, dje ishte rekordmenia e parë në garën 400 m stil i lirë, për femrat Kategoria B. Pas garës, për gazetën “Telegraf”, Xhemollari tregoi se në këtë veprimtari ka ardhur me synime konkrete. “Unë jam e lumtur që këtë Kampionat Kombëtar e nisa me thyerjen e dy rekordeve Kombëtare. Me trajnerin tim (babain) Bernard Xhemollari, unë jam përgatitur që në këtë veprimtari të përmirësoj kohët e mia e më pas të thyej rekordet në të gjitha garat që do të marr pjesë”, kështu deklaroi notarja e Traditës, e cila për këtë vit ka edhe një synim të ri: Në muajin shtator” të këtij viti, unë do të marr pjesë në veprimtarinë ndërkombëtare në Malin e Zi, dhe aty mendoj që të arrij kohë më të mira se këtu, sa i përket garimit në pishinë 50m”. Nëse garat e këtij Kampionati nuk do të ndërpriteshin për shkak të motit me reshje shiu, Xhemollari do të na jepte të tjera kohë rekord në garat e saj.
EKIPET PJESËMARRËSE
Ekipet Trajnerët
- Te Stela Sadik Mema
- Tirana Arian Fetishaj
- Teuta Jurgen Fici
- Butrinti Stefan Shendi
- Uillson Sulejman Poda
- Tradita Aleks Gjini
- SHSU Gentian Lama
- Partizani Dash Bregu
- TDS Shpëtim Hoxha
- Vlora Not Tomorr Dano