Kupa Mbarëkombëtare e Notit/ Presidenti FSHN, Agim Çiraku: Ky kampionat do të sjellë rezultate e rekorde mbresëlënëse

975
Sigal

AGIM Çiraku: Ky kampionat do të sjellë rezultate dhe rekorde mbresëlënëse

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit ka bërë të ditur, se për të gjithë notarët e kombëtares shqiptare është kusht pjesëmarrja në këtë aktivitet, për të qenë më pas në arenën ndërkombëtare.

Gjergj Vyshka

Tashmë është bërë i përvitshëm organizimi i Kupës Mbarëkombëtare në Not, e cila për tre ditë me radhë do të zhvillohet në pishinën “Taq Dafa” të Durrësit. Madje me “Teuta Kup 2019”, Federata Shqiptare e Notit nis aktivitetet në pishina të hapura, quajtur ndryshe sezonit veror. Mes entuziazmit dhe masivitetit është hapur dita e parë e këtij aktiviteti, ndërsa në të ka pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria, por dhe Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Italia dhe Gjermania. Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti, ndërsa përllogaritjet do të bëhen me pikët FINA. Mes të tjerave, presidenti i notit shqiptar, Çiraku, zbuloi se të gjithë sportistët elitarë të ekipit kombëtar do të marrin pjesë në këtë aktivitet duke qenë se noti shqiptar gjendet përpara veprimtarive ndërkombëtare. Madje, sipas të parit të notit shqiptar, e kanë kusht pjesëmarrjen në një aktivitet që zhvillohet në Shqipëri, për të qenë më pas në aktivitetet ndërkombëtare. Çiraku është optimist për rezultatet e këtij aktiviteti, si dhe rekordet që do të mund të thyhen.

  • Një aktivitet i rëndësishëm ka nisur që nga dita e premte. Të kënaqur me pjesëmarrjen?

Si të gjitha aktivitetet ndërkombëtare që kanë nisur të zhvillohen në Shqipëri, ndërsa është dhe viti i tretë i zhvillimit të këtyre garave ndërkombëtare, unë jam shumë i kënaqur, sepse pjesëmarrja sot ka qenë shumë e kënaqshme. Janë 13 ekipe që kanë ardhur nga shtete të ndryshme të Shqipërisë dhe shtatë ekipe janë nga vendi ynë. Kështu që pjesëmarrja është e kënaqshme.

  • A ka pasur ndonjë rekord, ndonëse janë garat e para. Si parashikohet aktiviteti duke pasur parasysh përgatitjen e sportistëve kryesisht ato shqiptarë?

Unë kam mendimin që rezultatet do të jenë shumë të mira. Edhe rekorde do të kemi. Por, natyrisht, në këtë moment që po flasim dhe që po bëjmë këtë intervistë janë zhvilluar vetëm tre gara. Të presim dhe të shohim, por shpresat janë të shumta që rekorde do të ketë.

  • Edhe sezonin e kaluar kanë marrë pjesë ekipe nga jashtë Shqipërisë, skuadra ballkanike, por me notarë shqiptarë. Si e vlerësoni këtë bashkëpunim që keni pasur në këto sezone?

Ky është një bashkëpunim dhe standard i vendosur nga FINA (Federata Botërore e Notit). Këto janë gara ndërkombëtare dhe të regjistruara në kalendarin e Federatës Botërore të Notit. Njihen si gara ndërkombëtare, si gara Ballkanike dhe ekipet janë Ballkanike e notarët Ballkanik. Marrin pjesë edhe nga Evropa, kryesisht nga Italia e Gjermania. Kjo veprimtari është disi e veçantë për ne në Shqipëri. Nuk është një aktivitet që zhvillohet vetëm me ekipe shqiptare, por janë nga Ballkani dhe Evropa që marrin pjesë në këtë garë të sotme.

  • Shqipëria dhe notarët shqiptarë si i shihni? A mund të triumfojnë dhe të bëjnë diferencën me rivalët, po themi me shtetet e Ballkanit, por dhe më gjerë? Si është niveli i sportistëve shqiptarë dhe atyre që vijnë nga jashtë?

Në përgjithësi, për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se, të gjithë sportistët që vijnë nga jashtë bëjnë pak diferencë me sportistët që stërviten në Shqipëri. Vetë ekipi shqiptar ka në përbërjen e tij sportistë që vijnë nga Greqia, nga Gjermania dhe nga Italia. Dhe në përgjithësi këto sportistë kanë rezultate më të mira, jo absolutisht më të larta, por në përgjithësi kanë stërvitje më të mirë dhe rezultate më të mira.

  • Së fundi, sportistët elitarë të ekipit kombëtar a janë pjesëmarrës në këtë aktivitet që është i rëndësishëm për Federatën?

Patjetër! Është kusht numër një që ekipi kombëtar i Shqipërisë, në përbërje të të cilit duhet të jenë sportistë shqiptarë, patjetër duhet të marrin pjesë në një garë kombëtare, e cila zhvillohet në vendin tonë. Dhe kjo garë është e kushtëzuar që ata të marrin pjesë. Nëse nuk marrin pjesë, nuk përfaqësojnë dot Shqipërinë në garat ndërkombëtare.