Sigal

AGIM ÇIRAKU

Ndjehem krenar për këta rekordmenë, i respektoj të gjithë notarët e trajnerët

Nga Agron KAJA

Keni mbyllur dy veprimtari të mëdha këtu në Akuadromin e Tiranës, ishte ngarkesë kjo për notarët dhe Federatën?

Për Federatën Shqiptare të Notit nuk ishte ngarkesë, përkundrazi, e po kështu edhe për notarët. Ngarkesa më e madhe ishte për gjyqtarët, të cilët i falënderoj, së pari për të dy këto veprimtari që zhvilluam, të cilat bënë një mbyllje të suksesshme me 32 Rekorde Kombëtare të thyera.

Nga Fëmijët, te të Rinjtë e të Rriturit, si u zhvilluan garat, në aspektin organizativ e teknik?

Në të dy aspektet, mendoj se organizimi e zhvillimi i këtyre garave ka qenë i mirë, në normalitet të plotë. Jo vetëm në ritmikën e zhvillimit të tyre, por edhe në thyerjen e 32 Rekordeve Kombëtare, mendoj se këto dy veprimtari ja arritën qëllimit të tyre.

Ndryshe nga sezoni i kaluar, këtë herë numri i Rekordeve Kombëtarë që u thyen, në numër ishte më i ulët, pse sipas jush?

Për notin shqiptar, rëndësi ka që garat po zhvillohen në kushte shumë të mira, kohët përmirësohen periodikisht, e po kështu thyhen edhe Rekordet Kombëtare. Nëse numri i tyre nga sezoni i kaluar është më i vogël, kjo nuk përbën ndonjë problem, sepse ky mot i nxehtë nuk të favorizon shumë në garë.

Ku mendoni se ishte pjesa më progresive në të dy veprimtaritë që ju si FSHN mbyllët dje në Akuadromin e Tiranës?

Po, thyerja e Rekordeve Kombëtare mendoj se tregon progres, ndërkohë që organizime të tilla me kulturë e cilësi sportive, natyrisht që bëhen pjesë e progresit. Gjithçka mendoj se është një shenjë e mirë edhe për masivitetin, të cilin sporti i notit e ka si domosdoshmëri zhvillimore të tij.

Cili është mesazhi juaj si Presidenti i FSHN-së, për notarët e trajnerët e tyre?

Së pari, është një falënderim i madh për gjithçka po i japin notit shqiptar, e më pas do tu kërkoja që të stërviten më shumë. Pa stërvitje intensive dhe të programuar mirë nga trajnerët, nuk do të ketë rezultate të larta. Kjo ritmikë duhet mbajtur, sepse veprimtaritë janë afër.

Cila është veprimtaria më e afërt kombëtare për notin shqiptar?

Zakonisht, në muajin gusht, noti nuk planifikon ndonjë veprimtari, për arsyen se të gjithë shkojnë me pushime, por kanë edhe detyrime shkollore. Ndaj edhe Kupën e Shqipërisë e kemi planifikuar ta zhvillojmë në muajin shtator, këtu në Akuadromin e Tiranës.

Duke qenë se jemi në atmosferën e Kampionatit Botëror të Futbollit, ju për cilën skuadër bëni tifo?

Me keqardhje e them, por për Brazilin. Nuk ishte në lartësinë e duhur në këtë Kampionat, ndaj edhe u eliminua, por nuk them se ishte larg pretendimeve të zakonshme për trofeun. Për ndeshjen finale, unë do të pëlqeja fitoren e Francës.

Kaltra Meça, “pronarja” e 5 Rekordeve Kombëtare

Në çdo garë që morri pjesë, notarja Kaltra Meça e AN Te Stela, theu Rekordet Kombëtare. Është vetëm 11 vjeç dhe ka arritur rezultate e rekorde për moshën deri në 18 vjeç, për të Rinj, ndaj 5 rekordet që ajo theu vetëm në Kampionatin Kombëtar për të Rritur e Të Rinj, tregojnë se nuk do të jetë vetëm “pronare” kalimtare e Rekordeve Kombëtare. Trajneri Sadik Mema e vlerësoi Kaltrën maksimalisht dje pas suksesit, por edhe prindërit e saj, të cilët janë mbështetja kryesore për rezultatet e arritura.

Kampioni Frenc Bërdaku: Rekordet janë pak, në Kampionatin Evropian do thyej të tjerë

Ka qenë një sfidë e vërtetë ajo që bënë për katër ditë me radhë, notarët dhe notaret e ekipeve shqiptare, të cilën konkurruan në garat e Kampionatit Kombëtar për Fëmijë (10-11 korrik), si dhe në garat e Kampionatit Kombëtar për të Rritur e të Rinj (12-13 korrik). Ishin dy veprimtari që u zhvilluan njëra pas tjetrës, në të cilat morën pjesë rreth 250 notarë (Meshkuj e Femra), të inkuadruar në 14 ekipe nga e gjithë Shqipëria. Në kampionatin Kombëtar për të Rritur e të Rinj u thyen 18 Rekorde Kombëtare, ku për femra spikatën notarët e AN Te Stela, ndërsa për meshkuj notarët e Teutës së Durrësit. Dhe ajo që duhet veçuar në këtë aktivitet, është fakti se dy ishin ekipet fituese, por nga Teuta doli edhe notari fitues i këtij Kampionati për Meshkuj. Ky ishte Frenc Bërdaku, i cili në të gjitha garat ku konkurroi, jo vetëm që zuri vendet e para, por edhe theu Rekordet Kombëtare. Dje në mbrëmje, pas mbylljes së aktivitetit, për gazetën “Telegraf”, Bërdaku deklaroi se ishte përgatitur për fitimin në këto gara.

“Edhe pse ishte mot pak i nxehtë në këto dy ditë që u zhvilluan garat, unë nuk e ndjeva shumë, sepse isha përgatitur për të sfiduar çdo pengesë. Të gjitha garat u zhvilluan me rivalitet të lartë, duke më dhënë mua mundësinë që të shtoja ritmin në çdo garë. Të gjitha garat i fitova, por kisha mundësi që të shënoja kohë edhe më të mira”, kështu e nisi dje bisedën notari i Teutës, Frenc Bërdaku, i cili në fund të këtij Kampionati u shpall notari më i mirë, për të Rinj e të Rritur. Këtë Frenci e quan sukses të përbashkët të të gjithë ekipit të Teutës, e në veçanti të punës së trajnerëve Gjergji Ngresi, Eduard Bërdaku e Jurgen Fici. “Unë stërvitem me trajnerë që më kanë stimuluar të arrij rezultate të larta. I falënderoj të gjithë, por edhe shokët e tjerë në ekipin tonë. Fitoret e mia mbeten fryt i punës në grup, një Teutë që në vazhdimësi do të jetë shumë konkurruese në garat e notit në Shqipëri”. Vetë notari Frenc Bërdaku, nga sot nis përgatitjet për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Notit që zhvillohet në Gllazgou, ku ai synon që të thyejë Rekorde Kombëtare në të gjitha garat ku do të marrë pjesë. Edhe në renditjen ekipore, Teuta për meshkuj doli Kampione në të dy kategoritë: Të Rinj dhe të Rritur, ndërsa Frenc Bërdaku u shpall Notari më i mirë i Kampionatit Kombëtar për të Rritur e të Rinj.

Notarja Keti Rrok, sfidantja që “pushtoi” Kampionatin

Teksa i sheh vit pas viti dy motrat binjake: Keti dhe Ema Rrok, të cilat vijnë nga Nju Xhersi i Amerikës, për të garuar në Shqipëri. Të shoqëruara nga nëna e tyre shqiptare, Keti dhe Ema, dje e kanë festuar ditëlindjen e tyre të 15-të me suksesin më të madh. Keti, e cila është 12 minuta më e madhe nga Ema, u shpall dje Notarja më e Mirë femër e Kampionatit Kombëtar për të Rritur e të Rinj. “Unë përgatitem në Amerikë, në Nju Xhersi. Prindërit më ndihmojnë shumë, mua dhe motrën time, dhe këtë sukses që unë arrita këtu, ua dedikoj edhe atyre. Ishin gara të bukura dhe të forta, kishte rivalitet, por nuk kishte shumë masivitet si në kampionatin e kaluar. Përgatitjet e mia do të jenë intensive, sepse noti për mua tashmë është bërë pjesë e jetës”, kështu deklaroi dje për gazetën “Telegraf”, Kampionia e dyfishtë e Kampionatit Kombëtar, Keti Rrok, e cila garoi në siglën ALB.

FITUESIT PËR TË RINJ

Femra-Keti Rok (Alb) 1034 pikë

Meshkuj-Frenc Bërdaku (Teuta) 1337 pikë

FITUESIT PËR TË RRITUR

Femra-Keti Rok (Alb) 1037 pikë

Meshkuj-Frenc Bërdaku (Teuta) 1337 pikë

EKIPET FITUESE

Të reja-Te Stela me 270 pikë

Të rinj-Teuta me 283 pikë

Të rritura-Te Stela me 249 pikë

Të rritur-Teuta me 270 pikë