Një serb shkruan historinë e Kukësit, fitorja në Krujë ka aromë franceze

550
Sigal

Kuksianët fituan me Bylisin, duke regjistruar fitoren e parë në Superligë. Kastrioti rrëzon Tomorin

 

Pas tre barazimesh pa gola, kundër Luftëtarit, Vllaznisë dhe Apolonisë, Kukësi regjistroi fitoren e parë historike në Kategorinë Superiore, por në librin e statistikave këtë nder nuk e pati ndonjë lojtar shqiptar, por sulmuesi serb Lazar Popoviç. Ishte pikërisht Popoviç, i cili me golin e tij në minutën e 49-të firmosi dhe triumfin 1-0 të Kukësit ndaj Bylisit, në një ndeshje të zhvilluar pa praninë e shikuesve. Tifozët e shumtë që e ndoqën jashtë rrethimit ndeshjen shijuan një  emocion të vecantë në minutën e 49-të të ndeshjes Kukësi-Bylis, teksa një goditje dënimi e ekzekutuar në gjysmëlartësi nga Malo ka gjetur kokën e Popovicit, që me zgjuarsi godet dhe shënon në portën e Frashërit. duke sjellë fitoren e parë për verilindorët në Superiore, por dhe votëbesimin e trajnerit Armando Cungu, pozitat e të cilit ishin paksa në dyshim. Kështu, pas tri barazimesh të bardha radhazi dhe fitores ndaj Bylisit (në humbjen e dytë të ballshiotëve në katër javët e luajtura), kuksianët e shohin veten me 6 pikë në klasifikim, duke u pozicionuar në mesin e artë të renditjes. Nisur edhe nga fakti se luhej pa tifozë, Bylisi i Agim Canajt ka besuar e guxuar, ka luajtur thuajse si i barabartë me vendësit. Madje ishin miqtë, ata që mund ta kishin gjetur golin të parët, sidomos me fillimin e pjesës së dytë, kur Jetmir Sefa lëshon një gjuajtje të kalibruar drejt portës së Halialjt, me këtë të fundit që angazhohet në një grushtim spektakolar. Kukësi, nga ana e vet, kishte iniciativën e lojës, zotëronte topin dhe dilte dendur në kundërsulm, por vijonte të vuante në fazën finale, në konkludim. Portieri vlonjat i Kukësit, Halilaj, u tregua në lartësinë e duhur në momente vendimtare të ndeshjes, kur porta e tij u kërcënua seriozisht. Sa i përket Bylisit, edhe pse u shfaq rivalizues gjatë tërë 90-minutëshit ndaj verilindorëve, nuk arriti të dalë të paktën me një barazim nga kjo transfertë.

Kastrioti-Tomori 1-0

Kastrioti mori tri pikë të çmuara, në fitoren 1-0 ndaj Tomorit, duke bërë autokritikën më të mirë pas humbjes 3-0 me Laçin. Goli e vetëm të takimit e shënoi kongolezi i lindur në Francë, Albert Arti Fataki, i cili i bëri dhuratën më të mirë trajnerit Artan Mërgjyshi. Fataki ishte lojtari që bëri diferencën në fushë, duke shënuar në minutën e 35-të në portën e Llanit, por në tri raste të tjera ka shpërdoruar në mënyrë të pabesueshme për ta thelluar avantazhin në favor të krutanëve. Beratasit u shfaqën mjaft konfuzë në Krujë, duke pësur humbjen e katërt në po aq takime, duke qenë skuadra e vetëm në kuotën e zero pikëve, dhe tashmë ën një kampionat ku do të dalin direkt katër skuadra, Tomori është më i rrezikuari. Për më tepër, gjatë kësaj jave që po ikën kanë dalë në skenë edhe problemet me pagesat e kësteve të kontratave, që sollën edhe bojkotimin e stërvitjes nga futbollistët ditën e martë. Futbollistët ishin në pritje të reagimit të klubit lidhur me pagesat, ashtu sikurse tifozeria beratase në pritje të reagimit që do të bënte skuadra në fushë ndaj krutanëve, por as njëra dhe as tjetra nuk ka ndodhur