Një kubanez është heroi i Teutës, Joeli bën “poker”

430
Sigal

Durrsakët e Sorrentinos luajnë tenis me Lushnjën. “Djemtë e detit” fitojnë 6-2 në “Niko Dovana”

Një super Teutë dhe një super Joel shkatërrojnë 6-2 Lushnjën në një 90-minutësh magjik në “Niko Dovana”, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 17-të. Merkatoja e fuqishme e janarit – 11 blerje – dhe njohja më mirë e skuadrës nga ana e trajnerit italian Roberto Sorrentino, duket qartë se ka dhënë frytet e veta. Në suksesin tenistik ndaj lushnjarëve janë dy protagonistë: kubanezi Joel Apezteguia, autor i një pokeri dhe Daniel Xhafaj, që me golin e tij u ngjit në kuotën e dhjetë golave duke kryesuar listën e golashënuesve të Superligës ndaj dyshes efikase të sulmit durrsak, kubanezit Joel dhe senegelazit Samb. Janë pikërisht këta dy lojtarë, që shënojnë tre gola brenda pjesës së parë, ku Teuta ishte zot i gjithçkaje në fushën e lojës. Mesfusha vendëse merr pjesë aktive në fazën ofensive, duke qenë e përhershme në zonën e Spahos. Dy herë vihet në pozicion ideal shënimi Batha, i ardhur nga Besa në merkaton e janarit, por dështon ta thellojë më tej avantazhin e pjesës së parë. Avantazh që nisi me golin e hershëm të Joel, u dyfishua nga i njëjti autor dhe u ngjit në 3-0 në fundin e këtij fraksioni loje, falë asistit të Joel dhe finalizmit të Sambit me portën bosh. Lushnja, nga ana e saj, tentoi të bënte diçka, sidomos me goditjet nga distanca të Trashit, teksa në një moment ishte Rizvani që evitoi një gol të sigurt në portën e vet. Portieri Spaho, fajtor në pësimin e golit të parë për moszotërim të topit, ka shumë punë edhe për faktin se mbrojtja e tij është e pavendosur mirë. Në përpjekje për të dalë në fazën sulmuese, së bashku me mesfushën, krijohen shumë të cara mbrapa, ku dyshja Joel-Samb vallëzojnë në mbrojtjen lushnjare. Sulmi i Lushnjës ishte në një dritë të errët. Trajneri i Lushnjës, Artan Bano, zëvendëson Cankën me Fonsekën. Nuk kalojnë shumë, por vetëm pesë minuta dhe Teuta  kompleton pokerin e saj mbresëlënës. Joel evidenton sërish vlerat e tij të shkëlqyera, edhe teknike, teksa një krosim në gjysmëlartësi e dërgon me finesë në rrjetën e Spahos. Tripletë e kubanezit, që konsumon kësisoj një mbrëmje të paharrueshme në planin individual, por edhe spikat si një sulmues “race” dhe “lokomotivë” e durrsakëve drejt përmbushjes së objektivave. Fonseka shënon golin e nderit për lushnjarët në minutën e 58-të, pas një hezitimi të mbrojtjes durrsake në largimin e topit. Mirëpo, nuk ka të ndalur Joel, që shënon golin e katërt personal në këtë 90 minutësh dhe e thellon akoma më shumë fitoren e të tijve, në 5-1. Vulën kësaj goleade, në shifrat 6-2, ia vënë Daniel Xhafaj dhe Klodian Arbri, të futur në pjesën e dytë. Xhafaj shënon golin e dhjetë personal në këtë kampionat, duke qenë në krye të listës së shënuesve më të mirë të Superiores. Teuta është tashmë me pikë të barabarta me Partizanin, nga 27, por gjithsesi është nëntë pikë larg Skënderbeut të vendit të parë.

Xhafaj, goleadori i kampionatit

Daniel Xhafaj shënoi golin e 6-të në fitoren 6-2, duke u ngjitur në kuotën e dhjetë golave dhe marrë kryesimin e shënuesve më të mirë të Superiores, i ndjekur nga Bushiç i Vllaznisë me 9 gola. I vetmi ka që ka shënuar katër gola është Joel i Teutës.

GOLASHËNUESIT

10 gola: D. Xhafaj (Teuta)

9 gola: Bushiç (1p) (Vllaznia)

7 gola: F. Sefa (Besa)

6 gola: Pejiç (Skënderbeu), 5 gola: Kuli, Izuçuku (Bylis), Zeqiri (2p) (Flamurtari), Vuçaj (Laçi)

4 gola: Trashi, Canka (1p) (Lushnja), Malo (1p), Hyshmeri (1p) (Partizani), Cikalleshi, Progni (Kukësi), Hajdari (Vllaznia), Gërxho (1p), Shkëmbi (1p), Ribaj (Skënderbeu), Joel (Teuta)

3 gola: Meto (Bylis), Muzaka, Malindi (Kastrioti), Shtubina (Vllaznia), Allmuça (1p), Popoviç (Kukësi), E. Veliaj (1p), Tanushi (Laçi), Demiri (Partizani), Brkiç (Laçi), Murriqi (1 Besa, 2 Teuta)

2 gola: T. Osmani (2p), Mancaku (1p), Nika (Teuta), Ferraj (Kastrioti), Morina, Arapi (Skënderbeu), Dita, Berisha, Batha (Besa), Korreshi (Lushnja), Semedo (Tirana), Telushi, Abilaliaj, P. Arbri (Flamurtari), J. Sefa (Kastrioti), Tafili (Vllaznia)

1 gol: Onome, Mitraj, Thana, Maliqi (Partizani), Kuqi, Shehaj, Begaj, Qejvani, Beqiri, Veliu, Mici, L. Shehaj, Lena (Flamurtari), Ahmataj, Mustafaj, Dosti (Teuta), Xhejms, Bakiasi (Bylis), Bizhyti, Bjelkanoviç, R. Sulo, Mihani (Lushnja), Semina (Vllaznia), Buljan, Nimani, Kastrati, Ndreca, Ofojeh, Çela (Laçi), G. Muça, Cake, Pashaj, Limani (Tirana), Guri, Ramadani (Besa), Radas, Dimo, S. Lilaj, Bici (Skënderbeu), Hoxha, Smajli, Shameti (Kukësi), Abraham, Turdiu, Sheta (Kastrioti), Samb (Teuta). K. Arbri, Fonseka (Lushnja)

Autogola: Java e 3-të, Gërxho (Bylis) në favor të Partizanit;

Në 17 javë janë shënuar 210 gola nga 90 futbollistë,

20 janë futbollistë të huaj

Besart Berisha shënon, Brisbane fiton

 Besart Berisha nuk ndalet në kampionatin australian. Sulmuesi kosovar shënoi golin e radhës për Brisbejn Roarin. 28-vjeçari rezultoi vendimtar në takimin që skuadra e tij e fitoi 2-1 në limitet e kohës së rregullt ndaj Central Coast, duke konsoliduar kreun e klasifikimit. Në minutën e 90-të, atëherë kur takimi ishte mbërthyer në shifrat 1-1, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare pasi mori një top në zonë, dribloi një kundërshtar dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke i siguruar suksesin e radhës skuadrës së tij. Miqtë kishin kaluar në avantazh që në pjesën e parë me Stejovski nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 66-të, Brisbejn barazoi shifrat me Silvanin, i cili kishte vetëm tri minuta që ishte futur në lojë ne vend të Ferreiras. Gjithsesi, goli përcaktues i kësaj sfide u realizua nga Berisha, i cili mban firmën e 6 finalizimeve në ndeshje në kampionatin australian. Forma e mirë që po kalon Berisha është një sinjal i qartë edhe për trajnerin e kombëtares Xhani De Biazi, pasi sulmuesit aktualë kuqezi nuk japin garanci për fushatën eliminatore të “Euro 2016”, që nis në muajin shtator.

 Gashi shënon në derbin e shqiptarëve

 Shkëlzen Gashi shënoi një nga tre golat në fitoren e ekipit të tij, Grasshopper ndaj Lucernit. Sulmuesi kosovar shënoi në minutën 9-të, u ndëshkua me të verdhë në minutën e 23-të dhe u zëvendësua në minutën 81. Për Grashopersin luajti edhe lojtari tjetër i Kombëtares, Amir Abrashi, ndërkohë që për Lucernin, gjatë 90 minutave luajti edhe mesfushori Jahmir Hyka. Në ndeshjen tjetër, Taulant Xhaka ishte ndër titullarët deri në fund të takimit që ekipi i tij, Bazel fitoi me Lauzanën me rezultat identik (3-1). Besart Abdurahimi ka shpërthyer me dy gola për skuadrën e tij izraelite, Hapoel Tel Aviv, e cila ka mposhtur para shikuesve të vet ekipin e Ramat Hasharon me rezultatin 3-0. Futbollisti shqiptar me pasaportë kroate i shënoi golat në minutën 9-të dhe të 16-të të pjesës së parë të ndeshjes. Hapoel Tel Aviv zë vendin e tretë në elitën e futbollit izraelit. 23-vjeçari luan te ky ekip në formë huazimi nga skuadra kroate, NK Zagreb, ndërsa në 7 ndeshje deri më tani ka shënuar 3 gola.

 Valmir Berisha i lumtur në Romë: Refuzova Dortmundin

Blerja më e re Romës, Valmir Berisha, zbuloi së fundmi se ka refuzuar oferta të rëndësishme të klubeve më të mëdha europiane, pasi dëshira e tij ishte të firmoste me verdhekuqtë. 17-vjeçari, i cili ka nënshkruar për dy sezone e gjysmë me klubin e kryeqytetit italian, tha se Borusia e Dortmundit i kishte hedhur kontratën mbi tryeze, por ai e  kishte refuzuar. Periudha e artë nisi për talentin me origjinë shqiptare pas Kupës së Botës për U-17, që u zhvillua në Emiratet e Bashkuara Arabae, kur Berisha u shpall golashënuesi më i mirë. Ish-sulmuesi i Halmshtad kujtoi se menjëherë pas këtij turneu se Sevilja i kishte bërë një ofertë konkrete, ndërsa për të ishte interesuar edhe Ajaksi i Amsterdamit. Por cila ishte arsyeja pse “Ibrahimovici” shqiptar vendosi të zgjidhte Romën? Në një prononcim të fundit për mediat italiane ai zbuloi se i pëlqente klima dhe gjuha në kryeqytetin italian, por mbi të gjitha mënyra e si luhet futbolli në Itali, që u përshtatet shumë edhe cilësive të tij. Fillimisht Valmir Berisha do të aktivizohet me të rinjtë e Romës, pasi i duhet kohë të përshtatet në klubin verdhekuq, me kalimin e kohës Rudi Garsia pritet ta inkuadrojë gradualisht në skuadrën e parë.