Agron KAJA
Kombëtarja shqiptare ka tre ditë që ka nisur përgatitjet e saj për dy ndeshjet e para të Nations Ligë, Grupi B1, me Ukrainën më 7 shtator do luhet në Çeki, dhe me Gjeorgjinë më 10 shtator në Tiranë. Trajneri Silvinjo ka grumbulluar 23 lojtarë, duke bërë ditën e hënë një ndryshim në sulm, largohet Broja dhe vjen Uzuni. Për gjithçka që kjo Kombëtare është duke përgatitur, si dhe për emrat e thirrur e mundësitë e tyre, ish-portieri i Kombëtares sonë Artur Lekbello, tregoi për “Telegraf” se ka edhe mangësi në listë. “Jam skeptik me listën e lojtarëve që Silvinjo ka grumbulluar për dy ndeshjet e Nations Ligë. Unë ndonjë ndryshim të madh nuk shoh tek lista, pasi kushdo që vjen në Kombëtare duhet të jetë i denjë dhe me minuta të shumta aktivizimi. Që të thërrasësh lojtarë, të cilët janë të rinj dhe luajnë në Europë e në Kombëtare, dhe në Kombëtare luajnë shumë pak minuta, kjo mendoj se listën e bën skeptike. Në zgjedhjet e Silvinjos, përgjegjësia e zhgënjimi janë pjesë e tij, ndaj është ai që vendos. Mungesa e Gjimshitit është e rëndësishme, por Shqipërinë e shikoj shumë larg”, kështu e nisi dje bisedën ishgardiani i Kombëtares sonë, Artur Lekbello, i cili ka edhe një shqetësim tek lista. “Mua më shqetëson mosthirrja e Muçit në këtë listë, sepse është një lojtar që luan me një ekip të madh në Tuqi dhe aty ka treguar formë të mirë. Nëse e justifikon me modulin e lojës, atëhere është punë e trajnerit, por Muçi është një “xhol” për sulmin që bën shumë punë. Për mendimin tim, sulmi ideal i Kombëtares sonë do të ishte Broja-Muçi-Manaj, me Asanin të fshehur në mesfushë. Janë të gjitha mundësitë që Kombëtarja të mos bëjë eksperimente, duhet të ketë bërthamën e lojtarëve, një bosht që të gërshetohen emrat e rinj me ata të eksperiencës. Ndryshe them se konsolidimi i ekipit nuk bëhet mirë me lëvizjet e ndryshme”. Në Grupin B1 janë tre kundërshtarë të njohur për Shqipërinë: Ukraina, Çekia dhe Gjeorgjia, dhe nisur nga kalendari, Lekbello mendon se në letër janë të kalueshëm, por në fushë janë kundërshtarë të fortë. “Tre kundërshtarët që kemi në Grupin B1 të Nations Ligë, në pamje të parë duket se janë të kalueshëm, sepse ne jemi në nivel që mund të konkurrojmë me ta. Por janë skuadra të vështira, kryesisht në fushat e tyre prodhojnë futboll, dhe unë i shikoj të vështira. Kjo hapësirë përgatitore do ti shërbejë trajnerit pikërisht për të gjetur skemat e duhura taktike, dhe unë Shqipërinë e shikoj shumë larg në këtë kompeticion”, kështu u shpreh ish-portieri i Kombëtares sonë, Artur Lekbello
Aktivizimi si titullar në Kombëtaren e Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, për mbrojtësin e majtë Mario Mitaj duket se ka rezultuar për mirë në karrierën e tij. Nga Lokomotiva e Moskës, ku ai u aktivizua në dy sezone e luajti 36 ndeshje, në këtë merkato ka ndryshuar skuadër ku luajnë edhe Kante e Benzema. Tashmë ai është zyrtarisht lojtar i Al Ittihad, skuadër që luan në Saudi Professional Ligë, aktualisht renditet në vëndin e 3-të me 6 pikë në dy ndeshje
UEFA Nations Ligë
NDESHJET
Shqipëria-Grupi B1
Datë 7 shtator 2024
Ukrainë-Shqipëri 20:45
Datë 10 shtator 2024
Shqipëri- Gjeorgji 20:45
Datë 11 tetor 2024
Çeki-Shqipëri 20:45
Datë 14 tetor 2024
Gjeorgji-Shqipëri 18:00
Datë 16 nëntor 2024
Shqipëri-Çeki 20:45
Datë 19 nëntor 2024
Shqipëri-Ukrainë 20:45

Ndryshimi Broja-Uzuni dhe dëmtimi i Gjimshitit
Nga një konferencë shtypi si ajo e ditës së hënë, mundet edhe të sqarohesh, ndoshta edhe kërkon ndjesë publike për ndonjë moment që është bërë jo mirë. Dhe këtë Silvinjo e bëri me “mjeshtërinë braziliane” të fintes, duke folur vetëm në numrin shumës (ata), dhe asnjëherë në numrin njëjës (unë). Dhe këtu duhet minimalisht edhe një ndjesë publike. Broja iku për arsye shëndetësore dhe u rikthye Uzuni, ndërsa Silvinjo beratasin e ka zgjedhur si “gomë rezervë” për sulmin, jo si sulmues që në Kombëtare ka luajtur 35 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola. Ndërkohë që mungesa e kapitenit Berat Gjimshiti për shkak dëmtimi, duket se do ketë boshllëk në qëndër të mbrojtjes së Kombëtares.
Hysaj në Kombëtare, si lojtar në “pension” te Lacio
Ndërsa kampionatet e futbollit në të gjitha shtetet janë ndërprerë këtë fundjavë, edhe merkato i ka dhënë dorën e fundit lëvizjeve gjatë kësaj stine vere. Këto lëvizje kanë përfshirë edhe disa futbollistë të Kombëtares, ndërkohë që me mbrojtësin e djathtë Elseid Hysaj, situata është komplikuar shumë, sepse skuadra e Lacios ka vendosur që ta mbajë, por jashtë listës së futbollistëve që trajneri Marko Baroni do t’i aktivizojë në këtë sezon. Madje lacialët do t’i paguajnë edhe rrugën 2.8 mln euro, një formë kjo që duket si një lojtar i dalë në “pension” të parakohshëm te Lacio, skuadër që luan në Serie A të Italisë. Kështu, shkodrani do qëndrojë në tribunë, ndërsa Kombëtarja për të vihet në dyshim.





















