Nikolla vlerëson boksierin Qato: Model i suksesit për të rinjtë

478
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla ka vlerësuar si një model suksesi që duhet ndjekur nga të rinjtë, kampionin e boksit Kreshnik Qato.
E pranishme në ceremoninë e mbylljes së karrierës së tij, Nikolla tha se Qato është një figurë që duhet ndjekur nga shumë të tjerë, ndërsa theksoi se gjithnjë e më shumë të rinjtë duhen mbështetur fort për të shënuar rezultate e shpalosur vlerat në sistemin e edukimit të vlerave që ka sporti.
“Rezultatet e këtij kampioni të madh shërbejnë si një shembull për t’u vlerësuar dhe një model suksesi që duhet ndjekur nga shumë të rinj të tjerë. Të gjithë ne duhet të krijojmë gjithë mundësitë që edhe të rinj të tjerë të talentuar në boks e në sporte të tjera, të arrijnë sukses.Shpreh edhe një herë gatishmërinë e institucionit që unë drejtoj për të qenë krah jush duke mundësuar që modele si ju të jenë pjesë e edukimit të brezave të rinj”, tha Nikolla.
Karriera e suksesshme e Qatos është vlerësuar edhe nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani i cili në vitin 2013 i akordoi kampionit shqiptar të boksit Kreshnik Qato, Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Për talentin dhe kontributin e çmuar që ka dhënë dhe jep për të mbajtur lart jehonën e sportit shqiptar kudo në botë”. 
Sigal