Nga Ohri për “Telegraf”/ Ilion Lika: Tirana ka eksperiencë, synojmë të kualifikohemi

282

Flet veterani i portës bardheblu Ilion Lika, ja përgatitjet për Europën!

Sigal

Nga Agron Kaja

“Shorti na ka vendosur përballë me një kundërshtar gjeorgjian, një skuadër shumë e fortë. Por Tirana e ka eksperiencën ndërkombëtare, ndaj po përgatitemi seriozisht dhe me besimin se do të kualifikohemi në turin e parë.”

Duke u renditur në vendin e dytë në kampionatin e kaluar 2022-2023, Tirana tashmë i ka përveshur mëngët e përgatitjeve për dy ndeshjet e para me Dinamo Batumi të Gjeorgjisë, pasi merr pjesë në Ligën e Konferencës. Nga 20 qershori, skuadra bardheblu është duke u përgatitur në Ohër të Maqedonisë, për t’i mbyllur ato më 5 korrik. Gjatë kësaj periudhe, portieri Ilion Lika tregoi dje për gazetën “Telegraf” se skuadra është e ndërtuar dhe po përgatitet për të fituar. “Kemi një javë këtu në Ohër dhe përgatitjet e skuadrës po ecin mirë. Kishim largime, por kanë ardhur edhe të rinj, dhe sipas drejtuesve të klubit priten Hoxhallari e Batha për t’u përforcuar më shumë, jo vetëm për këto ndeshje në Europë, por për gjithë sezonin e ri. Të gjithë jemi të angazhuar të bëjmë më të mirën, dhe besimi është që këto përgatitje do ta kompaktësojnë më mirë skuadrën”, kështu e nisi bisedën Ilion Lika, i cili tregoi se në Konferencë Ligë kundërshtari është i fortë, por jo i pakalueshëm. “Shorti na ka vendosur përballë me një kundërshtar gjeorgjian. Është një skuadër shumë e fortë, madje kryeson edhe në kampionatin e vendit të tij, i cili aktualisht është në mesin e tij. Por ne jemi optimistë te synimi ynë: Do ta kalojmë turin e parë. Madje edhe turin tjetër, ku nëse do të kualifikohemi do ndeshemi me Beshiktashin e Turqisë, që siç dihet është një nga skuadrat më të mira të Superligës turke. Do t’i provojmë të gjitha”. Gjatë kësaj periudhe, Tirana ka vazhduar me përgatitjet, ndërkohë që dy ditë më parë ka luajtur edhe një ndeshje miqësore me Dukagjinin e Kosovës. “Trajneri e ka provuar gjendjen e skuadrës jo vetëm gjatë këtyre përgatitjeve, por edhe në ndeshjen miqësore që luajtëm me Dukagjinin e Kosovës. Ndeshjen e humbëm 1-2, por e rëndësishme është se aty u pa situata aktuale e jona, e cila në realitet duhet thënë se është e mirë. Trajneri provoi disa alternativa në çdo sektor, e besoj se gradualisht në këto ditë përgatitore kompaktësimi do të jetë i mirë. Tirana e ka eksperiencën ndërkombëtare, ndaj ne po përgatitemi seriozisht me besim se do të kualifikohemi në turin e parë”. Gjatë kësaj periudhe të merkatos së verës, nga Tirana janë larguar pesë futbollistë, por janë afruar gjashtë të tjerë, ndërsa priten dy përforcimet e reja me njohje të vjetër, Hoxhallari e Batha. Ndeshjen e parë në Konferencë Ligë, Tirana do ta luajë në fushën e saj më 13 korrik, ndërsa ndeshjen e kthimit një javë më pas.

Merkato e verës te Tirana

Largime: Visar Bekaj, Kristjan Toshevski, Zhozelin Behiratçe, Albano Aleksi, Elvi Berisha

Afrime: Kaina Nunjesh, Gentjan Selmani, Erhun Obanor, Liridon Latifi, Albi Doka, Gledi Mici

Skuadrat shqiptare në Europë

UEFA Champions Ligë

Turi i parë eliminator

Ndeshja e parë

Datë 11 korrik 2023

Partizani-BATE Borisov         20:45

Stadiumi: AIR Albania

Ndeshja e kthimit

Datë 18 korrik 2023

Europa Konferencë Ligë

Turi parë eliminator

Ndeshjet e para

Datë 13 korrik 2023

Ararat (Arm)-Egnatia  17:00

Tirana-Dinamo Batumi           20:00

Stadiumi: Elbasan Arena

Linfild (Nir)-Vllaznia  20:45

Ndeshjet e kthimit

Datë 20 korrik 2023

Kukësi nis përgatitjet me një portier shtatlartë

Kukësi nisi dje përgatitjet e sezonit të ri në ambientet e kompleksit “Futboll Republic”, aty ku edhe i kanë zhvilluar përgatitjet në sezonin e kaluar. Nën drejtimin e trajnerit Rrahman Hallaçi, në skuadër ishin rreth 20 futbollistë, ku nga sezoni kaluar kishin mbetur shumë pak lojtarë. Një portier shqiptar ardhur nga kampionati skocez, Elgi Fejzo, tërhoqi vëmendjen në këtë start të përgatitjeve, ndërkohë pjesa më e madhe ishin djem të rinj nga Kukësi dhe lojtarë të tjerë që do vihen në provë këto ditë të para përgatitore.