Në Superligë kreu “zien”, të gjitha skuadrat në ndjekje të Tiranës

572
Sigal

Java e 14-ë e Superligës vjen me ndryshime të shumta për të gjitha skuadrat, duke filluar që nga Teuta që së fundmi ndryshoi edhe trajnerin e duke përfunduar tek Vllaznia që u rikthye tek fitorja pas shumë javësh humbje të njëpasnjëshme. Në fakt, takimet do të jenë të ndara në tre ditë, nga ku përsëri të shtunën do të luajë vetëm Vllaznia e kësaj radhe ndaj Apolonisë. ndërsa të dielën do të zënë vend tre takime të tjera, ku ndër to do jetë edhe Kukësi-Skënderbeu, ndeshja më e fortë e kësaj radhe, për tu pasuar nga Tirana-Laçi dhe Teuta-Partizani. Ndërsa takimi përmbyllës do të jetë ai i ditës së hënë mes Flamurtarit dhe Elbasanit. Ndeshja e parë, mes Apolonisë dhe Vllaznisë rikthen edhe një herë dëshirën për të fituar të shkodranëve që pas ndeshjes pozitive me Flamurtarin të shtunën që shkoi, duke shtuar këtu edhe shpërblimin që mori skuadra nga disa dhurues anonimë (vlera 5 milionë lekë të vjetra), dëshira për të arritur fitore të tjera vjen edhe shtohet. Kujtojmë këtu se në ndeshjen me Flamurtarin, Vllaznia kishte në përbërje një grup lojtarësh shumë të rinj e përsëri ia dolën që të fitonin. Takimi më i fortë i kësaj jave cilësohet ai mes Kukësit dhe Skënderbeut, me kuksianët që pas humbjes që patën ndaj Partizanit, do të luajnë fort në shtëpinë e tyre, për të mos e çuar në dy numrin e humbjeve rresht, por gjithashtu vjen edhe si detyrim i futbollistëve ndaj tifozëve, që ju kërkuan falje për humbjen ndaj Partizanit duke premtuar kështu kthimin e formës në ndeshjen me korçarët. Nga ana tjetër Skënderbeu është skuadra më në formë e momentit, ku ka arritur pesë fitore rresht dhe është skuadra me sulmin dhe mbrojtjen më të mirë në kampionat, me 4 gola të pësuar dhe me 21 të shënuar, e ky ritëm që ofrojnë kampionët në fuqi është mjaftueshëm për të trembur çdo kundërshtar të tyre. Ndeshja tjetër e orës dy, në ditën e diel, ajo mes Tiranës dhe Laçit vë përballë dy skuadrat që shënuan nga tre gola kundër kundërshtarëve përkatës në javën e 13-ë, por me ndryshimin e vetëm se Tirana pësoi dy ndërsa Laçi asnjë. Skuadra e Cungut, pas disa humbjesh radhazi duket se po e rigjen edhe një herë formën dhe ky fakt është një rrezik me vete për kryesuesit që hasen shumë vështirësi në ndeshjen ndaj Elbasanit, duke fituar vetëm në minutat e fundit.  Takimi i fundit për ditën e diel është ai mes Teutës dhe Partizanit, me bregdetarët që tashmë e kanë bërë fakt të kryer ndryshimin e trajnerit dhe në të tilla raste asnjëherë nuk dihet se si mund të përgjigjet një skuadër e kjo ngelet një surprizë edhe për Partizanin që nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të luajë për fitoren duke shpresuar edhe në një “rrëshqitje” të Tiranës ndaj Laçit. Takimi që ngelet, do të luhet ditën e hënë, me Flamurtarin dhe Elbasanin që vijnë pas humbjesh, njëra më e dhimbshme se tjetra, ku elbasanasit humbën vetëm në fund ndaj Tiranës, ndërsa Flamurtari nuk arriti të thyente qëndresën e Vllaznisë së re gjatë gjithë ndeshjes. Nga kalendari duket se janë rreshtuar të luajnë në një ditë të gjitha skuadrat që realisht janë në garë për titull, që nga Skënderbeu, Kukësi, Partizani dhe Tirana, e skuadrat e tjera ndjekin po të tjera pretendime.

29.11.2014

Apolonia 17:00 Vllaznia

30.11.2014

Kukësi 14:00 Skënderbeu

Tirana 14:00 Laçi

Teuta 17:00 Partizani

01.12.2014

Flamurtari 17:00 Elbasani

Kategoria e Parë/ Dinamo lufton për kryesimin, këtë radhë ndaj Butrintit

Java e shtatë e kampionatit nuk ishte aspak pozitive për disa nga skuadrat pretendente, e sidomos kjo u vu re tek Dinamo që në momentin më të mirë të tij, kur edhe kryesonte në grupin B, humbi ndaj Bylisit, humbje që i shkaktoi rënien në vendin e dytë e madje duke e ndarë atë edhe me Tomorin. Kjo situatë vlen edhe për Mamurrasin nw grupin A, që humbi terren ndaj Besëlidhjes kryesuese, me barazimin që mori ndaj Ilirisë. Java që vjen, padyshim që është nga më vendimtaret për skuadrat që synojnë të arrijnë sa më lart në fund të këtij sezoni, duke përmendur Besëlidhjen, Mamurrasin dhe Tërbunin në grupin A dhe gjashtë skuadrat e para në grupin B, në një situatë shumë të ngjeshur ku vetëm dy pikë ndajnë vendin e parë që është Sopoti me vendin e gjashtë që është Bylis. Nëse në grupin A, duket se zhvillimet do të ndodhin vetëm brenda tre skuadrave, nuk  mund të thuhet e njëjta gjë për grupin B, që akoma edhe pas javës së shtatë, vazhdojnë të qëndrojnë kokëforta shumica e ekipeve. Në fakt, akoma nuk mund të gjendet një skuadër që mund të quhet realisht favorite dhe në formë më të mirë se të tjerat, përsa i përket grupit B, ku kujtojmë se Dinamo gëzon formë shumë të mirë, por humbja e javës që shkoi, që ishte edhe e para, e vuri në një situatë barazie me skuadrat e tjera kur pati mundësinë të shkëputej, e tani është përsëri në ndjekje të të tjerave, në këtë javë në ndjekje të Sopotit, skuadra që akoma nuk e ka provuar humbjen në këtë grup, e vetmja që ka arritur të grumbullojë vetëm fitore dhe barazime duke mos dalë pa pikë në asnjë ndeshje. Sopoti këtë javë ka një ndeshje shumë delikate pasi do të presë në shtëpi Lushnjën e vendit të katërt, me vetëm dy pikë larg. Fitorja për Sopotin do i jepte garancinë e vazhdimit të kryesimit, por edhe barazimi nuk do të ishte keq, duke parë në fakt edhe formën shumë të mirë që po tregojnë lushnjarët. Në grupin A, ndeshja më e fortë e kësaj jave është në mes Mamurrasit dhe Tërbunit, dy skuadra që kanë të njëjtën kuotë pikësh dhe do ishte shumë e rëndë për Mamurrasin nëse lënë në dy ndeshje rresht pikë, në një situatë mjaft të ngjeshur aktualisht në kampionat. Nuk e ka më të thjeshtë Besëlidhja që kalendari i rezervon takimin me Ilirinë, skuadër që i shkaktoi edhe Mamurrasit lënien e pikëve javën që shkoi.

Grupi A

Besa-Ada

Kamza-Burreli

Kastrioti-Veleçiku

Iliria-Besëlidhja

Mamurrasi-Tërbuni

Grupi B

Dinamo-Butrinti

Bylis-Pogradeci

Tomori-Naftëtari

Luftëtari-Shkumbini

Sopoti-Lushnja

Grupi A

Skuadra ND F B H P
Besëlidhja 7 6 1 0 19
Mamurrasi 7 5 2 0 17
Tërbuni 7 5 2 0 17
Iliria 7 2 3 2 9
Veleçiku 7 3 0 4 9
Kastrioti 7 2 2 3 8
Burreli 7 2 0 5 6
Kamza 7 1 2 4 5
Besa 7 0 4 3 4
  Ada 7   1 0 6      3

Grupi B

Skuadra ND F B H P
Sopoti 7 3 4 0 13
Dinamo 7 3 3 1 12
Tomori 7 3 3 1 12
Lushnja 7 3 2 2 11
Butrinti 7 3 2 2 11
Bylis 7 3 2 2 11
Pogradeci 7 2 2 3 8
Luftëtari 7 2 1 4 7
Shkumbini 7 2 0 5 6
Naftëtari 7 0 3 4 3

Shqipëria humbet dy pozicione në renditjen mujore të FIFA-s

Ashtu si në çdo muaj, edhe dje FIFA ka bërë të ditur renditjen mujore të të gjitha përfaqësueseve në rang ndërkombëtar. Në fakt nuk ishte parashikuar, por Kombëtarja Shqiptare ka humbur dy pozicione, duke shkuar nga vendi i 48 në të 50-in. Siç duket humbja me Italinë, ka bërë që të kemi këtë zbritje të lehtë, duke parë që edhe ndaj Francës nuk shkuam më shumë se në një barazim, pavarësisht lojës së bukur. Të gjitha skuadrat në grupin I, ku ndodhet edhe Shqipëria, nuk kanë pësuar ndonjë ngritje të madhe në renditje, me Portugalinë që ngjitet në vendin e 7-ë me dy pozicione të fituara, Serbia qëndron në të njëjtin vend ndërsa Danimarka, ashtu si Portugalia, fiton vetëm dy pozicione duke u renditur e 30-a. E fundit e grupit në renditje është Armenia që ndodhet në vendin e 77 me dy pozicione të humbura për këtë muaj. Skuadra që kryeson renditjen është padyshim Gjermania, që ndiqet nga Argjentina dhe Kolumbia.