Muzaka tremb kundërshtarët, dopietë ndaj Besëlidhjes, fitore edhe për Partizanin

495
Sigal

Faza përgatitore e skuadrave të Tiranës dhe Partizanit po ecën në mënyrën më të mirë të mundshme, ku fitoret i kanë ndjekur të dy skuadrat, duke u bërë kështu të frikshme pa filluar mirë kampionati. Dje, si Tirana dhe Partizani patën takimet e tyre ndaj skuadrave të kategorisë së parë, ku të kuqtë u ndeshen ndaj Lushnjës duke fituar me rezultatin 2-0, ndërsa bardheblutë patën një takim në Kavajë me Besëlidhjen, në një ndeshje që foli vetëm në favor të kryeqytetasve, e sidomos foli në favor të Gjergji Muzakës që ia doli të shënonte dy nga tre golat e ekipit të tij më të ri. Zyrtarizimi i Muzakës tek Tirana ishte një goditje e fortë në merkato dhe një goditje e fortë për kundërshtarët e tjerë në Superligë, pasi një përforcim i tillë i skuadrës që pretendon për titullin, është një problem më shumë për kundërshtarët në takimet që do të kenë për titull. Muzaka filloi që në ndeshjen e parë që të thotë fjalën e tij sa i përket mënyrës së lojës dhe përshtatjes me ekipin, diçka që duket se nuk do të përbëjë problem për tiranasin. Takimet e djeshme dhanë më së shumti një panoramë më të gjerë se si do të vijojnë “ngjarjet” edhe pas fillimit të fazës së dytë. Nga ana tjetër, edhe Partizani nuk ngelet pas, që si për ironi luajti me skuadrën që militon në Kategorinë e Parë në grupin B, e ndeshja u zhvillua në të njëjtin orar si takimi Tirana-Besëlidhja. Duket se edhe zgjedhjet që kishin bërë ekipet e kryeqytetit sa u përket kundërshtarëve kanë një lidhje të drejtpërdrejtë, si kundërpërgjigje ndaj vlerave të tyre. Të kuqtë nuk ngelen pas, duke shënuar shumë gola në këtë fazë përgatitore, diçka që sigurisht i jep kënaqësi trajnerit Duro sa i përket repartit të sulmit, pasi ky i fundit u shpreh në fillim të merkatos se nuk do të kishte blerje të mëdha duke qenë se e shihte skuadrën të plotësuar me futbollistët që ka aktualisht. Si Lushnja dhe Besëlidhja janë skuadra që nuk mund të merren lehtë, pasi janë ekipet potenciale për të qenë pjesë e Superligës në sezonin e ardhshëm, duke qenë se deri më tani kanë treguar me të vërtetë se janë të denja për ligën më të lartë të futbollit në Shqipëri. Takimi mes këtyre katër skuadrave vlejti në fund të fundit për të gjitha ekipet, ku “superioret” e treguan formën e mirë që po hasin dhe që stërvitja do të mbajë edhe kur të rifillojë kampionati, ndërsa skuadrat e Kategorisë së Parë, u ndeshen me ekipet elitë të Shqipërisë, e nëse ia dalin të jenë pjesë e Superligës vitin e ardhshëm, do të ndeshen shumë herë gjatë vitit, e në këtë rast jo për miqësore por për të grumbulluar pikë.

 Andi Lila, i pafat në debutimin  me Parmën

Nuk qe shumë e gjatë prania e Andi Lilës në fushë ndaj Parmës në ndeshjen e mbrëmshme, pasi kavajasi u detyrua të dalë nga loja që në minutën e 13-të për shkak të një dëmtimi në pulpë. Lila e filloi ndeshjen ndaj Kaljarit për Kupën e Italisë si titullar, por që për fatin e tij të keq u desh që të tërhiqej. Bëhet me dije nga vetë klubi se Lila nuk ka pësuar dëmtim të rëndë, por akoma nuk dihet nëse ky dëmtim do ta mbajë larg fushave dhe nëse po, sa kohë do të qëndrojë.

 Shaqiri: Mançini më bindi të vij tek Ineri

Prezantimi i djeshëm para mediave për Xherdan Shaqirin ishte i pari prezantim zyrtar që ekipi përgatiste për futbollistin, edhe pse kishte disa ditë që kishte mbërritur në ambientet e klubit zikaltër. Në prezantimin e tij ai tha se është shqiptar nga Kosova, një  vend që i përket Shqipërisë por unë kam vendosur që të luaj për Kombëtaren e Zvicrës. Në deklaratën  e mëtejshme, Shaqiri tha se Interi ka shumë tifozë shqiptarë dhe që me praninë e tij tek kjo skuadër shpreson që ky numër tifozësh të rritet edhe më, falë edhe pranisë së tij. Shaqiri më tej tregoi edhe arsyen se pse zgjodhi pikërisht skuadrën e Interit, duke përmendur si faktor kryesor vetë fjalët dhe projektin e Mançinit i cili e bindi që të drejtohej në Itali drejt Interit të Milanos.

Skënderbeu më në fund gjen fitoren, mund 1-0 Freiburgun

 Faza përgatitore e Skënderbeut, sa i përket ndeshjeve miqësore, nuk ka shkuar edhe aq mirë në tre takimet e para që janë luajtur, por siç duket pika e kthesës erdhi pikërisht ndaj skuadrës surprizë të Gjermanisë, Freiburgut, që e mundi me rezultatin 1-0, duke shënuar kështu bashkë me fitoren e parë edhe golin e parë, pasi kujtojmë se në të tre ndeshjet e tjera, Skënderbeu ka grumbulluar vetëm humbje, e përveç humbjeve edhe një numër të konsiderueshëm golash, ku në total grumbulloi 11 gola të pësuar. Në fakt, ndeshja me Freiburgu shkoi më mirë, ku u pa një tjetër cilësi e kampionëve aktualë të Shqipërisë, që provuan lojën sulmuese që në fillim të ndeshjes, duke e shënuar golin që në pjesën e parë në minutën e 22-të, me autor Gerhard Prognin, pas një pasimi të Olajinkës. Kjo fitore vlen padyshim si një përgjigje e mirë e të besuarve të Josës, që në fazën përgatitore panë vetëm humbje, duke mos e vërtetuar aspak cilësinë e tyre.

IFFHS shpall Flamurtarin si më të mirin e vitin në Shqipëri

 Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS), ka bërë zyrtare dje listën e skuadrave më të mira të botës, sa i përket klubeve, ku sigurisht nuk mungonte as renditja e skuadrave shqiptare, por që për fat të keq ndodhen në pozicione shumë të ulëta, ku Flamurtari është skuadra që nga të gjitha ekipet e Superligës, mban pozicionin më të lartë, në vendin e 346 me vetëm 67 pikë. Pavarësisht formës jo të mirë në kampionat, Flamurtari ia ka dalë që të paktën sa i takon statistikave të jetë në krye të renditjes së Superligës, duke lënë pas vetes Kukësin  që ndodhet në vendin e 357 me 66 pikë. Një renditje e tillë e skuadrave shqiptare sigurisht që është shumë e dobët, ku pikëzimi bëhet edhe në bazë të arritjeve të skuadrës por sigurisht që koeficienti rritet pozitivisht në bazë të rritjes së cilësisë së vetë kampionatit,  e për fat të keq, deri më tani kampionati shqiptar nuk është se ka shfaqur shenja rivaliteti sportiv në rang ndërkombëtar. Mund të përmendet Kukësi që pati një ecuri shumë të mirë në Ligën e Kampioneve, por që ishte një rast që mund të quhet sporadik, duke mos u përsëritur më tej nga asnjë ekip tjetër. Sa i përket renditjes së skuadrave më të mëdha të sportit, renditjen pa dyshim që e kryeson skuadra e Realit të Madridit që ndiqet nga Bajerni i Mynihut dhe Atletiko Madrid, e vetëm në vendin e katërt është skuadra e Barcelonës.