Muka: Skuadra e ka gjetur grintën, gati për derbin

517
Tek Tirana fitorja e së dielës ndaj Laçit duket se ka dhënë një tjetër gjendje, sepse bardheblutë vazhdojnë të ndjekin Skënderbeun në rrugën e tyre për titullin kampion. Dhe në mungesë të Kupës së Shqipërisë, teksa në gjysmëfinale janë eliminuar nga kurbinasit, tashmë rruga për në Europë për Tiranën kalon vetëm nga titulli kampion. I kënaqur pas fitores me Laçin për mënyrën se si skuadra ka luajtur dhe grintën e treguar në fushë, drejtori sportiv i Tiranës, Devi Muka, ka analizuar prag – derbin me Partizanin. Nuk duhet harruar se Muka ka luajtur dhe me të kuqtë. “Jemi në rrugë tepër të mbarë. Ekipi, pas humbjes në Kupë, ka rifituar moralin e duhur. Tashmë shoh një skuadër plot grintë. Është pikërisht kjo Tiranë që të gjithë prisnim. Me Laçin u zhvillua ndeshja më e mirë për vitin 2015. Këtij grupi i është rikthyer grinta, e cila kishte munguar për një kohë të gjatë. Edhe tri ndeshje të forta kanë mbetur, i kemi të gjitha shanset që të marrim titullin. Tre derbe pa fitore do të ishin të tepërt. Ne kemi lojtarët e duhur që mund të bëjnë diferencën dhe te thyejnë “akullin” e derbit. Thashë që Tirana i ka të gjitha mundësitë dhe aftësitë për të fituar. Ekipi prodhon lojë, përtej eliminimit nga Kupa. Ky është një faktor që jep shpresë. Tashmë jemi një ekip që nuk dorëzohet dhe lufton deri në finish. Kemi një super-tifozeri. Dhe po ta vesh re që të gjitha grupimet e qyteteve teëtjera po imitojnë tifozët tanë. Do doja të mos e kisha lënë direkt futbollin sa për të shijuar nga fusha atë që përcjellin shkallet e stadiumit dhe tifozët bardheblu”, ka deklaruar Muka.
Tirana paguan gjoben, Ndikumana rikthehet në derbi
Selemani Ndikumana do të jetë i gatshëm të hënën në mbrëmje. Sulmuesi do të rikthehet pas mungeses në ndeshjen me Laçin. Tirana do të paguajë për të shlyer gjysmën e dënimit të tij dhe Ndikumana do të jetë një forcë më tepër për skuadrën e trajnerit Gugash Magani. Sulmuesi bardheblu u pezullua me dy ndeshje nga Komisioni i Disiplinës pas gjysëmfinales në Kupën e Shqipërisë, një javë më parë përballë Laçit, atëherë kur gjyqtari Pashaj e dënoi padrejtësisht me karton të kuq. Duke shlyer ndeshjen e parë të pezullimit, Ndikumana kundrejt pagesës do të ketë mundësi të jetë i gatshëm në derbi
Norvegji, Shala dhe Shipshani dënim me burg për trukim
Trukimet e ndeshjeve në Norvegji kanë çuar pas hekurave dy futbollistë shqiptarë. Drin Shala dhe Alban Shipshani janë dënuar me nga 8 muaj burg secili nga Gjykata Federale e Oslos pasi janë shpallur fajtorë për fiksimin e ndeshjeve në ligën e tretë të futbollit norvegjez. Së bashku me dy futbollistët shqiptarë gjykata ka dënuar me 6 muaj burg edhe lojtarin tjetër të Follos, Pape Mendi. Drin Shala akuzohet se ka marrë pjesë në trukimin e ndeshjes së vitit 2012 mes Follos dhe Ostsiden, një ndeshje që ka pasur një përmbysje të çuditshme nga 3-0 për skuadrën e Shalës në 3-4 për Ostsiden. Ndërkohë Alban Shipshani, i cili luan me skuadrën e Asker, akuzohet se ka ndikuar në fiksimin e rezultatit të sfidës të vlefshme po për kategorinë e tretë norvegjeze mes Asker dhe Frig, që përfundoi me fitoren 7-1 të këtyre të fundit. Edhe ky takim është zhvilluar në vitin 2012. Gjykata Federale e Oslos pasi përgjoi telefonatat e bëra nga futbollistët gjatë asaj periudhe mori vendimin ekstrem për t’i dënuar me burg ata. 
FSHF, çmimet e biletave për Shqipëri-Gjermani
Federata Shqiptare e Futbollit ka shpallur çmimet e biletave për ndeshjen e luksit mes veteranëve të Shqipërisë dhe Gjermanisë, e cila do të luhet më 7 maj, ora 18:00 në “Elbasan Arena”. Krahasuar me kombëtaren e madhe, çmimet e biletave për këtë miqësore duket se janë simbolike, teksa tribuna A dhe B është 500 lekë të rinj. Po kështu tribuna E 200 lekë të rinj, tribunat D dhe F 150 lekë të rinj, kurse C1, C2, C3, G1, G2, G3 nga 100 lekë secila. Dhe në një farë mënyre kërkohet një stadium i mbushur plot, ndërsa do të jetë dhe sistemi elektronik i kontrollit të biletave. 

Volejbolli, gjysmëfinalet e të rejave
Federata Shqiptare e Volejbollit, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të saj, Leonard Tase, ka bërë të qartë dhe një herë çiftet e gjysmëfinaleve të kampionatit të të rejave. Madje kjo gjë është bërë dhe pas verifikimit të renditjes, sipas së cilës Tirana, Himara, Skënderbeu dhe Elbasani janë gjysmëfinaliste. Për rrjedhojë gjysmëfinalet e të rejave janë sipas këtyre çifteve: Tirana – Elbasani dhe Himara – Skënderbeu.
Flamurtari, kampione për femra
Pas Vllaznisë në basketboll për meshkuj, dje është shpallur zyrtarisht dhe kampionia e basketbollit për femra. Dhe titulli i ka takuar Flamurtarit të Viron Toskës, i cili në ndeshjen e pestë të play-off-it ka mundur Apoloninë e Astrit Grevës në Durrës, 81-79. Ka qenë një ndeshje emocionuese dhe në fund vlonjatet, falë dhe eksperiencës, ia kanë dalë të jenë fituese, ndërsa kështu vazhdojnë të jenë të pamundura në basketbollin shqiptar.

Sigal Prishtina, kampione Ballkani
Sigal Prishtina është shpallur për herë të parë Kampione e Ballkanit në basketboll për meshkuj, teksa në finale ka mundur bullgarët e Rilskit. Madje e ka fituar ndeshjen në Bullgari, 78-71, ndërkohë që në ndeshjen e parë të luajtur në Pallatin e Sportit të Rinisë në Prishtinë, Sigali pat fituar 74-72. Ndeshja është ndjekur dhe në shesh nga tifozeria kosovare në Prishtinë, pas së cilës ka shpërthyer festa për këtë triumf historik të kosovarëve për herë të parë në Ligën Ballkanike të basketbollit.
Premtimi i Hallaçit: S’tolerojmë në asnjë ndeshje deri në fund
“Kukësi nuk do të tolerojë në asnjë ndeshje deri në fund të kampionatit për të qenë i sigurt në pjesëmarrjen e saj në Ligën e Europës”. Kështu e ka nisur prononcimin e tij kapiteni i Kukësit, Rrahman Hallaçi, i cili e ka të qartë se titulli kampion nuk është më në dorën e verilindorëve. “Mund të them se titulli është shumë larg pas humbjes që pësuam me Skënderbeun. Gjithsesi do t’i marrim ndeshjet një e nga një, sepse duhet të renditemi në një vend sa më të lartë në fund të kampionatit. Sigurisht që objektivi kryesor mbetet Kupa e Shqipërisë”. Hallaçi ka dhënë dhe mendimin e tij për deklaratën e presidentit Safet Gjici, i cili ka bërë të ditur se titulli do të jetë për Tiranën. “Ndoshta deklarata e presidentit tonë ka qenë pak emocionale për shkak të humbjes me Skënderbeun. Ai ka mendimin e tij të cilin na duhet ta respektojmë, por ne si Kukës nuk do të tolerojmë në asnjë ndeshje deri në fund të kampionatit, pastaj në fund do të shohim se cila skuadër do të shpallet kampion”. Në javën e 33-të, Kukësi do të presë në “Zeqir Ymeri” Apoloninë, kundërshtare që sipas Hallacit kërkon përqendrim maksimal. Apolonia do të vijë për të marrë pikë në Kukës, ndaj duhet të jemi të përqendruar ndaj fierakëve. S’mund të gabojmë sërish në fushën tonë”, ka përfunduar kapiteni Hallaçi, i cili nuk jep asnjë vlerësim as për trajnerin e ri Radanoviç e as për të larguarin Shaqiri.
Sulm FSHF-së dhe Etikës, Disiplina pezullon Sinan Idrizin
Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit, i mbledhur dje në takimin e radhës, ka dënuar tre muaj presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizi, me akuzën për fyerje dhe ofendime me dashje të zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Jo vetëm kaq, por e ka gjobitur atë në shumën e 300.000 lekëve të rinj. Në fakt akuzat e Sinan Idrizit kanë ardhur që nga momenti që Etika ka dënuar portierin e Flamurtarit, Ilion Lika gjashtë muaj, ndërsa vlonjatët kanë bërë të ditur se do ta çojnë çështjen ne Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Menjëherë pas vendimit, Idrizi ka deklaruar:”Më ka dënuar komisioni i disiplinës se kam fyer Komisionin e Etikës? Çfarë fyerje? Se i thashë “prostitutë”? Për t’i informuar këta te komisionit, “prostitucion” nuk është fyerje, është profesion dhe nuk personifikova konkretisht dikë, por kujt t’i djegë le ta mbajë. Ama një gjë duhet të dini zotërinj të ç’nderuar se në jetë kurrë nuk ngordhin ata kuaj që duan qentë”. Ndërkohë janë gjobituar dhe Tirana dhe Kukësi, në shumat 50.000 dhe 100.000 lekë të rinj për sjellje jo korrekte të tifozëve.
Partizani përgatit derbin ndaj Kevitanit
Partizani do të përgatisë derbin e së hënës ndaj Tiranës me miqësoren e luajtur ndaj Kevitanit të Kategorisë së Tretë, një ndeshje e cila do të luhet sot në fushën e Akademisë së Futbollit Internacional në Pezë-Helmës. Ndërkohë dje skuadra ka vijuar stërvitjet e saj në ora 10:00, kurse ndeshja miqësore, atje ku Duro pritet të provojë dhe formacionin anti-Tirana, do të luhet sot paradite. Në përgjithësi situata në kampin e kuq duket e mirë.
Sigal