Moisi Dalipi: Teuta merr kryesimin, Tirana dhe Partizani hapin garën

666
Sigal

Teuta merr kryesimin, Tirana dhe Partizani hapin garën

 -Surprizat e bukura të javës tetë të Superiores –

Moisi DALIPI

Ditën e premte, më 18 tetor 2019, këtu në gazetën Telegraf në shkrimin me titull: “Topi i Superiores përsëri në qendër të fushës”, duke analizuar dhe komentuar prag ndeshjes e javës tetë të Kategorisë Superiore, ndër të tjera jemi shprehur se: “Vetë pozita në klasifikim e skuadrave mund të sjellë rokada dhe surpriza të këndshme, ku më e favorizuar duket dhe Teuta e Durrësit”. Në fakt kështu ndodhi, jo vetëm se durrsakët këtë radhë kishin përballë një Flamurtar të tjetërsuar jashtë çdo parashikimi këtë sezon, por dhe për atë se dëshira që ka pushtuar tani së fundi skuadrën e “Djemve të Detit” për të qenë ajo në krye ka ndikuar jo pak. Por jo vetëm kaq. Partizani me fitoren në Shkodër ndaj Vllaznisë me rezultatin 1-3, dhe dy barazimet në ndeshjet Skënderbeu 0-0 Kukësi dhe Luftëtari 1-1 Bylis, ku pak kush i kishte parashikuar të tillë, jo vetëm që kanë lejuar Teutën të kapë kryesimin, por të sjellë një riformatim ndryshe të klasifikimit pas javës së tetë. Ndërkohë Tirana, me atë fitore 2-1 ndaj Laçit kërkon vendin e saj, të dytin në grupin e më të mirëve, kurse Partizani duket se thotë: “më prisni se erdha si kampion në fuqi”. Në futboll ndodh dhe kështu, ku një fitore ose humbje e pësuar janë shumë, por rrallë pak për të marrë atë që dëshiron. Vetë rezultatet e kësaj jave tregojnë këtë:

E premte, 18 tetor 2019
Teuta 1– 0 Flamurtari

Kallaku 47`

E shtunë, 19 tetor 2019
Luftëtari 1– 1 Bylis

Acka 62`/ I. Hidi 76` (11m)

Tirana 2-1 Laçi

Dunga 4`, Kale 44`/ Nuabueze 6`.

Vllaznia 1-3 Partizani

Krymi 18`/ Melo 14`, Cinari 90`+2`, Asani 90`+4`.

Skënderbeu 0-0 Kukësi

 

Natyrshëm që këto rezultate kanë prekur klasifikimin e përpara një jave, ku ngjitjet dhe uljet janë të tilla, sa që me të drejtë mendon se ky kampionat ka diçka garë, por jo nivelin e kërkuar që të themi, se futbolli shqiptar po rritet. Gjithsesi, lexuesi le ta gjykojë vetë ndryshimin, por dhe javët ardhshme mund të sjellin shumë të tilla ndryshime që me gjuhën e gazetarisë sportive i quajtëm “Turbulencat e zhvillimit të kampionatit”.

KLASIFIKIMI

 
1 Teuta 8 4 3 1 7 3 15
2 Tirana 8 4 2 2 14 8 14
3 Partizani 8 4 2 2 9 6 14
4 Bylis 8 3 4 1 12 4 13
5 Skënderbeu 8 4 1 3 7 11 13
6 Vllaznia 8 3 3 2 8 6 12
7 Kukësi 8 3 2 3 9 7 11
8 Laçi 8 1 4 3 8 10 7
9 Luftëtari r… 8 1 3 4 5 12 6
10 Flamurtari 8 0 2 6 6 18 2

 

             

 

E pra, në krye pas tetë javëve është Teuta e Durrësit. Një klub futbolli nga më të vjetrit e futbollit shqiptar që i meriton pak radhë nga historiku tij. Kështu, klubi futbollit të Durrësit është themeluar në vitin 1920 me emrin KS Urani ,të cilin e ndryshuan pas dy viteve në SK Durrësi. Pas pjesëmarrjes së skuadrës në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar në vitin 1930 klubi merr emrin e mbretëreshës ilire Teuta, duke u quajtur KS Teuta Durrës. Më 1946 emërohen KS “Ylli i Kuq” Durrës deri në vitin 1949, nga i cili vit emërohen KS Durrës, pastaj më 1951 KS Puna Durrës1958 KS Lokomotiva Durrës e deri në vitin 1991 kur i rikthehet emri KS Teuta Durrës, emër të cilin e mban edhe sot. Por në muzeun e trofeve të fituara, kjo skuadër ka dhe titullin kampion të fituar në sezonin 1993-1994. Por për kujtesën sportive ka qenë dhe gjashtë herë nën/kampione, pa folur këtu për tre Kupat e Shqipërisë të fituara. Por duke u kthyer tek skuadra që solli në Durrës për herë të parë dhe të vetme titullin kampion, në atë ditë maj të vitit 1994 më shfaqen përpara emrat e 23 djemve ku pjesa më madhe janë durrsakë dhe trajneri tyre që janë këta:

Skuadra: Kujtim Shtama, Xhevahir Kapllani, Ardian Abazi, Eugen Xhakoni, Shpëtim Kapidani, Anesti Qendro, Ardian Dashi, Mikel Furrxhi,

Bajram Fraholli, Alvaro Zalla, Ilir Alliu, Alban Mehmeti, Ardian Bushi,

Elton Koca, Artan Vila, Dashamir Disha, Enkelejd Dobi, Marenglen Xhai,

Fatos Kuçi, Ilir Bushi, Gentian Begeja, Gazmend Canaku, Elvis Kalaja

Trajner: Haxhi Ballgjini.

Kjo është Teuta e presidentit Edmond Hasanbelliu që atë sezon iu prishi radhën skuadrave të kryeqytetit për fitimin e titullit kampion. Ndoshta mund të ndodhë kështu përsëri dhe në kampionat, por trajner është një djalë korçar si Bledi Shkëmbi dhe përbërja e skuadrës është heterogjene ku midis tyre ka dhe durrsakë të ardhur nga ekipet moshave. I vetmi që nuk ka ndryshuar pozicion tash dhe më shumë se 25 vjet është presidenti Edmond Hasanbelliu. Dhe Teuta këtij sezoni 2019-2020 përbëhet nga Frashëri, Celeski, Todorovski, R. Hoxha, Arapi, Aleksi, Kallaku, Gashi, Avdyli, F. Beqaj, Cyrbja, Nikac, E. Vila, Kalind, Kalaja, Xhemalaj, Kapllani. Shkalla. L. Vila dhe L. Beqaj. Siç shikohet kjo skuadër nuk ka shumë emra të përveçëm, por ka një ndjenjë kolektiviteti të jashtëzakonshëm ku shkrihet mirë përvoja e kapitenit Renato Arapit me klasin e Sherif Kallakut dhe vrullin rinor të Gashit dhe Avdylit me shokë. Kjo gjë u konstatua dhe në ndeshjen e kësaj jave përballë Flamurtarit ku goli Kallakut në minutën e 47`, ka mjaftuar për tre pikët që iu duheshin për të marrë kreun e renditjes. Nga ana tjetër Flamurtari ende nuk po kupton, se kampionati ka tetë javë që ka filluar dhe nuk ka shijuar as fitoren e parë dhe as nuk i është gëzuar qoftë dhe një pike të fituar në ndeshjet jashtë Vlorës. Situatë e rëndë, por e parashikuar si e tillë për skuadrën vlonjate. Luftëtari 1-1 Bylis. Një ndeshje, ku nga një pikë nuk iu bën shumë punë të dyja skuadrave. Kështu Bylis pas këtij barazimi është i detyruar të dorëzojë vendin e parë pas një jave Teutës dhe të zbresë jo pak por tre shkalë në klasifikim. Dy ndeshje jashtë fushe dhe vetëm barazim. Këtë radhë është përsëri portieri 39 vjeçar Ilsi Hidi që kthen në gol atë penallti të marrë në minutën e 76`(goli tretë i realizuar me penallti nga Hidi), duke barazuar shifrat pas atij goli të dyshimtë për pozicion jashtë loje, të shënuar nga Donald Rapo në minutën 63` të ndeshjes. Dy goditje shtylle për miqtë, dy kartonë të kuq, kontestime për gjykimin nga vendasit për ndërkombëtarin Enea Jorgji nuk e ndryshojnë zyrtarizimin e rezultatit 1-1. Skënderbeu 0-0 Kukësi, Një rezultat që i përgjigjet më së miri lojës së të dyja skuadrave dhe vendit që kanë në klasifikim. Kukësi nuk po kthehet tek fitorja dhe kjo nuk është pak për moralin dhe psikologjinë që kërkon realizimi objektivave të këtij sezoni. Skuadra ende nuk po kupton se nuk mjafton që në skuadër të kesh pjesë të saj sulmues golashënues si Shkurtaj dhe Abazaj, por të marrësh atë rezultat që të mban në nivele të larta në klasifikim. Për momentin vendi shtatë në renditje me vetëm 11 pikë tregojnë se Kukësi nga java në javë po iu largohet grupit të ekipeve që do synojnë titullin kampion. Nga ana tjetër Skënderbeu për përbërjen që ka, me pikët të ka marrë dhe vendin që mban në renditje është i kënaqur me reflektimin që bënë skuadra në ndeshjet në fushën e saj edhe pse tifozeria ka filluar t’i largohet nga stadiumi. Pas tre javëve plot luhatje në lojë dhe rezultate Tirana kthehet tek fitorja. Dhe kur fiton më një kundërshtar si Laçi, që në këto vitet e fundit është bërë “magjia e zezë” për ekipet e kryeqytetit, duket se suksesi ka më shumë vlera. Fitore me rezultat të ngushtë 2-1, por që ka peshën e asaj në ngjitje që Tirana merr vendin e dytë në klasifikim, vetëm një pikë më pak nga Teuta. Në ndeshjen përball Laçit, skuadra ka reflektuar si kolektiv duke performuar vlera dhe cilësi. Laçi, edhe pse kishte ndryshuar drejtim, duke rikthyer pas tre sezoneve Cungun, përsëri nuk po gjen qetësinë që i duhet. Tek ekipi laçian me një Nuabuaze që shënon pothuajse çdo ndeshje nuk mund të mendohet se realizohet objektivi. Edhe kjo ndeshje e tregoi më së miri këtë defekt. Golat e kësaj ndeshjeje janë shënuar nga Dunga 4` dhe Kale 44`për Tiranën dhe Nuabuaze 6`.

Vllaznia 1-3 Partizani! Golat kanë për autor Krymin 18`/Melo 15` Cinari 92` dhe Asani 94`. Një fitore e tillë për partizanasit në Shkodër të detyron të lëvizësh në mendime diku në vitet 1970-1980 kur Partizani kishte në përbërje djelmëninë më të mirë të futbollit shqiptar, midis tyre patjetër dhe shkodranë si Ragami dhe Bizi që padyshim ishin në stadiumin e tejmbushur edhe për këtë ndeshje. Vllaznia në këtë ndeshje e mendoi të përfunduar detyrën pa ardhur fërshëllima e trefishtë e gjyqtarit të ndeshjes. Pas kësaj fitore të Partizanit shumë gazetarë kanë lëvizur fort për të gjetur titullin më të mirë, duke formatuar togfjalëshat: “Fitore për Partizanin në in ekstremis të kohës së ndeshjes” dhe “Fitore në frymën e fundit për Partizanin” ose “Trajneri Lerda fiton derbin e bankinave”, dhe më tej “Partizani festoon në Shkodër” si dhe “Fitorja që trazon Cinarin”.e tjera e tjera. Ne me mënyrën e të shkuarit thjesht e qartë do veçonim si titull këtë fjali: “Tifozët në Loro Boriçi kënaqen me futbollin e luajtur”. Dhe shprehemi kështu, sepse që këtu fillon ndeshja Vllaznia-Partizani. Pak rëndësi ka në këtë rast rezultati, kur shikon që në tribunat e këtij stadiumet ulen plotë 6 mijë sportdashës të futbollit. Shiko në stadiumet e tjera çfarë duan të thonë raportimet kur në Korçë janë 2000 tifozë, në Gjirokastër 1000. në Tiranë 0 dhe në Elbasan 50 tifozë. E pra, në stadiumin “Loro Boriçi” janë të pranishëm sa dyfishi i pranisë në të gjithë stadiumet ku u luajtën ndeshjet e javës së tetë. Kjo është veçoria e parë, por jo e fundit, sepse në përfundim të ndeshjes tifozeria shkodrane duartrokiti fituesin e ndeshjes Partizanin, pavarësisht se atë gol për Partizanin që theu barazimin e shkodranëve në minutën e shënoi në minutën e 92` një djalosh shkodran Erland Cinari që pas ndeshjes u shpreh: “Ndeshja ime e parë kundër Vllaznisë dhe goli im i parë. Jam i lumtur për golin e shënuar dhe i mërzitur që i shënova skuadrës të qytetit tim”. Por në kushtet e futbollit profesionist ndodh dhe kështu, sepse po ky futbollist në fitoren e fundit të Vllaznisë 1-0 ndaj Partizanit, më 8 mars 2015 shënonte gol në portën e Alban Hoxhës. Një tjetër veçori kjo ndeshje solli dhe atë, që trajneri Partizanit Franko Lerda me këtë fitore arriti të jetë i suksesshëm në “derbin” e bankinave të huaja Lerda – Jonuz. Por për më shumë akoma kjo fitore duket se kthen mirë teknikun italian të të kuqëve në realitetin e kampionatit shqiptar. Por e parë pak ndryshe kjo fitore e Partizanit në Shkodër, përtej kronikës të lojës, përtej bilancit pozitiv të Partizanit ndaj Vllaznisë si fitorja e 70–të e tyre në 155 ndeshjet e zhvilluara deri tani, duhet pranuar se ajo solli rokadën e saj në klasifikim, ku Tirana dhe Partizani kanë marrë në renditje vendet e Skënderbeut dhe Vllaznisë dhe duke i shtyrë ato së bashku me Bylisin dhe Kukësin më poshtë, nga vendi katërt deri tek i shtati në renditje. Pra kemi një garë të fortë për kryesim, por jo kampionat me cilësi, sepse golat e shënuar dhe shumë detaje të tjera tregojnë se nuk jemi aty ku duhet.. Dhe treguesi më i mirë janë prania e pakët e sportdashësve në tribunat e stadiumeve. Java e nëntë mund të sjellë të tjera surpriza në rezultate dhe renditje, sepse të tilla janë dhe ndeshjet që do zhvillohen sipas këtij kalendari:

 

Java e 9-të, 23-24 tetor 2018

 

E mërkurë, më 23 tetor

Kukësi –Luftëtari      Ora 13.00

Laçi –Teuta               Ora 13.00

Bylis –Tirana             Ora 13.00

Flamurtari –Vllaznia  Ora 16.00

 

E enjte, më 24 tetor

Partizani -Skënderbeu Ora 16.00