Moisi Dalipi: Përparim Kovaçi, ikona e futbollit Beratas

1865
Sigal

Profil nga Moisi DALIPI

 “Jani Kaçi, Jani Kaçi, po të vjen Përparim Kovaçi!”

Titulli këtij shkrimi – profil për ish-sulmuesin e shquar beratas Përparim Kovaçin është marrë nga fjalimi i Presidentit Meta, më 20 maj 2018 në ceremoninë e dekorimit të personaliteteve të shquara të sportit në Berat. Dhe me titullin “Mjeshtër i Madh” atë ditë përveç futbollistit model të viteve 1972-1990 Përparim Kovaçi, do të dekoroheshin dhe pingpongisti Ilir Shabanaj, volejbollistja Ollga Gjoku, dhe peshëngritësi Vasil Hoco. Takimi me këtë figurë të futbollit beratas dhe jo vetëm, nuk është i vështirë për t’u realizuar. Pas seancës të stërvitjes me ekipin e U-15 të Tomorrit, të cilin ka disa muaj që e ka marr për ta trajnuar, Rim Kovaçi është i disponushëm të rrëfejë gjithçka për karrierën e tij 18-vjeçare si futbollist. Por, që në kontaktin e parë ai merr një qëndrim serioz duke e shëtitur vështrimin e tij tek kodrat dhe malet që rrethojën qytetin e “një mijë dritareve”, Beratin e tij të dashur.

“Emrin skuadra jonë e ka Tomorr, si ai mali aty në horizont, që është hijerëndë dhe shumë krenar. Dhe e tillë ka qenë dhe skuadra jonë në ato vite. Tani që kemi rënë dhe në Kategorinë e Dytë nuk gjej dot as një kodër dhe jo më mal si ai i Tomorrit për ta krahasuar”. Kur i thotë këto fjalë, Përparim Kovaçit i lagen sytë nga nostalgjia e moshës. Dhe ka shumë të drejtë. Me ekipin e futbollit të qytetit tij Tomorri, ai ka kaluar vitet më të bukura të jetës. Dhe ka qënë vetëm 8 vjeç, aty në lagjen e tij “Kushtrimi” kur, i harruar për orë të tëra pas lojës të topkëmbës do niste rrugën e bukur të futbollit. Trajneri tij i parë Zoi Konomi do ta bënte pjesë të ekipiit të “Shtëpisë të Pionierit”. Edhe pse vinte nga një familje punëtore dhe me shumë antarë në përbërje, Përparimi nuk do t’i ndahej topit të futbollit. Nga ekipi të rinjve me trajner Filip Lecin. Në moshën 17-vjeçare do bëhet pjesë e ekipit parë. Trajneri Mon Xhamo do t’i besoj këtij talenti me të ardhme vendin e titullarit në skuadër. Në fanellë zgjedh numrin 10 që dikur e mbante Teli Zaho, Bajram Qole dhe Luke Hodo. I shpejtë, teknik dhe golashënues i aftë do ishte Përparim Kovaçi. Dhe pikërisht kur ishte vetëm 20 vjeç, në vitin 1976 në prag të ndeshjes Skënderbeu-Tomorri ka lindur togfjalëshi tifozerisë të zjarrtë beratase: “Jani Kaçi, Jani Kaçi, po të vjen Përparim Kovaçi”. Dhe fati e donte që Rim Kovaçi të shënonte gol dhe në atë ndeshje, edhe pse ekipi tij nuk fitoi. Të pashlyera do mbeten në kujtesën e tij ndeshjet “derbi” midis Tomorrit dhe Naftëtarit të Kuçovës. Vetëm 20 kilometra e ndajnë Beratin nga Kuçova, por ndeshjet ndizeshin “flakë”, jo vetëm në fushën e lojës, por dhe në tribuna. Në fushë Përparim Kovaçi- Vladimir Skuro do ishin protagonistët e çdo ndeshjeje. Tomorri i drejtuar nga trajnerët Andrea Xheblati dhe Guxim Mukli me futbollistë të tillë në skuadër si Bashkim Polovina, vëllezërit Robert dhe Arben Kokalari, Petrit Cilingiri dhe dy vëllezërit e tij, Agim Matrapazi, Kiço Mile, Theodhor Arbëri e të tjerë do formatonin një skuadër që rivalizonte me dinjitet dhe me ekipet elitare. Në sezonin 1979 -1980, sulmuesi potent Përparim Kovaçi do shpallej dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar me 18 gola, duke shënuar emrin e tij përkrah Muratit, Përnaskës, Bizit dhe sulmuesve të tjerë të atyre viteve. Dhe vlerësimet atë vit për Përparim Kovaçin nuk mungojnë, por trajnerit të ekipit kombëtar Loro Boriçi nuk i hyn shumë në sy, ky sulmues robust me arsyen se është shtatshkurtër. Gjithsesi, sulmuesi që si profesion pune kishte zgjedhur atë të mekanikut në ish-ndërmarrjen e ujësjellësit të qytetit, do t’i besoj fort këmbëve të tij në fushën e lojës. Portierët e atyre viteve si Musta, Luarasi, Sare, Sharra, Kaçi e të tjerë do njohin mirë aftësitë e shënimit golit nga Përparim Kovaçi. Mbrojtësit Çoçoli e Targaj, Berisha dhe Cani, Taho dhe Çipi. Kapedani dhe Ciko, do ishin të kujdesshëm në mbulimin e tij në ndeshjet me Tomorrin. Dhe atë që nuk bën ekipi kombëtar për Kovaçin e bën Flamurtari në Kupat Ballkanike, në sezonin 1981-1982 ku vlonjatët kanë në grup A.E.K. të Athinës dhe Mostar –Velezhin. Ndeshjet e zhvilluara me vajtje – ardhje japin këto rezultate: A.E.K 3-2 Flamurtari (golat për vlonjatet Spiro Curri 15` Shemsi Zilja 35`, ndërsa ndeshja tjetër: Flamurtari 2-1 Velezh (golat për vlonjatët Spiro Curri 43` dhe Ferdinat Lleshi 55`. , Ndeshja e kthimit: Flamurtari 2-1 A.E.K (golat për vlonjatët Spiro Curri 20` , Përparim Kovaçi 50`) dhe në ndeshjen tjetër të kthimit: Velezh 4-1 Flamurtari (golin per vlonjatet e shënon Përparim Kovaçi 79`). Kështu arkivit të golave të shënuar në karrierën e tij (që askush nuk e di të saktë numrin e tyre) do t’i shtohen dhe këta gola ballkanikë. Dhe për të gjithë atë karrierë të pasur sportive Përparim Kovaçi është trajtuar me kryerjen e shërbimit ushtarak në fshatin Uznovë–Berat dhe një hyrje banimi një dhomë+kuzhinë. Paradoksi i kohës për këto “privilegje” shumë të merituara për ata që kanë ngritur lart emrin e qytetit të tyre edhe në sport. Dhe i tillë ka qenë për 18 vjet rresht 1972-1990 për qytetin e Beratit dhe tifozerinë e tij sulmuesi Përparim Kovaçi. Dhe “lamtumira” me futbollin e luajtur do vijë në vitin 1990, kur në një ceremoni të thjeshtë, të bukur, të duartrokitur gjatë nga tifozët, ai “pantera e zezë” ose “Maradona i Beratit” do t’i dorëzonte fanellën me numër 10 sulmuesit dhe golashënuesit të njohur Kliton Bozgo. Do të largohej nga futbolli i luajtur kështu, por jo nga dashuria e tij e madhe e topkëmbës, të cilit i shërben ende dhe sot që është 63 vjeç. “Me futbollin jeta bëhet më e bukur, më fisnike dhe me më shumë motive” – thotë Përparim Kovaçi. Në bisedën e tij kupton qartë se ai ndihet mirë që në këto vitet, kur ai ka lënë futbollin skuadra e Tomorrit ka përgatitur djem që dinë të jenë dhe shënues të mirë të golit si Kliton Bozgo, Arben Arbëri, Klodian Arbëri dhe tani së fundi Myrto Yzuni. Dhe si për t’u ndier i vlerësuar për atë që i ka dhënë ekipit të futbollit Tomorri, sulmuesi njohur Përparim Kovaçi krenohet me titullin “Mjeshtër i Merituar”, por në veçanti me vlerësimin që i bëri më 18 maj 2018 Presidenti Republikës zoti Ilir Meta, duke i dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Por vetëm kaq, sepse Bashkia e Beratit ka harruar që në qytetin e tyre jeton një ish-futbollist dhe tani trajner i ekipeve të moshave me emrin Përparim Kovaçi që meriton me plotësisht të drejtë titullin “Qytetar Nderi”. Por këtë Përparim Kovaç e ka harruar dhe F.SH.F –ja për ta vlerësuar për atë që i ka dhënë futbollit shqiptar. Gjithsesi, ai pret aty në qytetin e tij, në Berat, duke trajnuar futbollistët e ardhshëm që dikush të kujtohet e t’i japë atë vlerësim moral që i takon për vitet e rinisë, për djersën e derdhur në fushat e futbollit.

 

 SKEDA E PËRPARIM KOVAÇIT

Lindur: në Berat, më 8 janar 1956

Karriera në futboll: Me Tomorrin në vitet 1972-1990

Roli në skuadër: Sulmues

Numri fanellës: 10

Ndeshje ndërkombëtare: Dy ndeshje në Kupat Ballkanike në vitet 1981-1982 me Flamurtarin e Vlorës

Vlerësimet:

“Golashënuesi më mirë me 18 gola në sezonin 1979 -1980,

“Mjeshtër i Merituar„ në vitin 1992,

“Mjeshtëri Madh”, më 2018.