Moisi Dalipi: Mikrofonit sportiv i mungon zëri i Frederik Ficos

600
Sigal

Sa herë që bëj apelin e kolegëve të mi të radiokronistëve sportivë në vite, midis atyre që mungojnë  është dhe emri  i Frederik Ficos. Një zë tipik gjirokastrit ky, që me ngarkesat letrare që aq bukur  dinte t’i vendoste , dhe që me të drejtë është vlerësuar  si ‘ustai’ i fjalës lakuar, ka  më shumë se 15 vjet që i mungon mikrofonit sportiv. Dhe kur dëshiron ta kujtosh Fred Ficon, fare mirë mund të përmendësh disa nga shprehjet e tij, që në terminologjinë e fjalorit sportiv tingëllojnë ëmbël dhe plotë saktësi. Fjalët  “goli  ka për autor gjirokastritin  ….”  apo , “sulm  me shumë forca në vijën e parë”  … ose  kur thoshte “gjuatje tipike që di t’i bëjnë vetëm dyshja Braho-Kalluci…” e tjera togfjalësha si këto gjetje plot novacion dhe përshtashmëri që pak kush mund t’i prodhojë, si ai njeri i përkushtuar, për t’i shërbyer sportit. Edhe pse mund të thuash  se tradita mund të përsëritet, sepse djali 5 -vjeçar i vajzës vet, Griseldës, ka marrë emrin e tij  Frederik, përsëri të veçantat  mbeten  në mënyrën e tyre më orgjinale. Dhe kur  studion me kujdes vitet e fëmëjërisë dhe rinisë të Fred Ficos,  nuk e ke  të  vështirë të kuptosh, se po të mos  kishte  vazhduar studimet e larta për mjekësi, djali  Qani Ficos, i lindur  më 7 dhjetor 1951,  në  lagjen “Palorto” të Gjirokastrës, fare mirë do ishte bërë pjesë e skuadrës të futbollit  të qytetit tij ,“Luftëtarit”. Që në moshën e fëmijërisë Fred Fico do të kalonte shumë orë të ditës duke luajtur futboll me shokët e vet  moshtarë si Lame Qirkon, Jorgo Thanon, Arqile Llambron, Pali Kostën, Enver Mucon, Miho Kostën, dhe Kristo Ristanin. Si fushë loje kjo skuadrilie e mëhallës do zgjidhte një pjesë të avllisë të Ficove, që edhe pse nuk ishte me bar, ishte një zgjidhje e mirë për lojën e futbollit me ata topa  prej lecke ose llastiku  që shërbenin si  magjia e kësaj loje. Aq shumë  do të harrohej pas lojës  futbollit  ky dajlosh, sa që shpesh herë e jëma Bedria, së bashku me shoqet e saj, kur ju prishej terezia e kafes të mbasditeve, lajmëronin policin e vetëm  të  lagjes, Reufin për të  ndaluar lojën e  djemëve të mëhallës.

Shoku fëmijërisë Lame Qirko, kujton: -“Fredi luante mirë futboll  me këmbën e majtë dhe po të mos  kishte shkuar për  studime të larta për mjekësi, do ishte bërë një sulmues i majtë shumë i mirë. Ai luante mirë dhe basketboll . Ne  në ato vite nuk kishim kosha për këtë  lojë, por përdorinim hekurat e dritares  për ta improvizuar basketbollin. Skudra jonë në ato vite zhvillonte  dhe fitonte në çdo ballafaqim  me skuadrën  kundërshtare të Sheshit të Zemanit. Pikërisht në një nga këto ndeshje, Fred Fico do të niste transmetimet e imagjinuara të një ndeshje futbolli, ku si personazhe do ishin  lojtarët  e Brazilit kampion bote të vitit 1958. Por në vitet  më vonë,  skuadra jonë  e futbollit  ballafaqohej  me çdo ekip tjetër të lagjeve të tjera. Kundërshtar të fortë kemi pasur ekipin e drejtuar nga Dhori Kalluci, që në atë kohë bënte pjesë dhe me ekipin e “Luftëtarit”. Kështu loja e futbollit do injektonte  tek Fred Fico dhe dëshirën për të  mësuar dhe trasmetimet e ndeshjeve. Në vitet 1969-1974, vazhdimi studimeve të larta për mjekësi dhe specializimi në degën dermatologji, nuk e zbehën dashurinë për futbollin dhe dëshirën për të nisur aveturën e bukur me mikrofonin  sportiv. Dhe në shtatorin e  vitit 1975, ish tekniku i Radio-Gjiroskatrës, Dhimo Jovani do  lajmëronte mjekun e sapo emëruar në zonën e Ormovës, Frederik Ficon se: “ditën e diel në ndeshjen “Luftëtari”-“Dinamo” do të fillonte transmetimet e ndeshjeve për radion lokale të Gjirokatrës.” Siç kujtojnë shokët e tij, ai  sapo mori  këtë lajmërim filloi të jetonte  me ndeshjen dhe  emrat  e lojtarëve. Ndeshja do të trasmetohej me kohë të plotë dhe duhej llogaritur mundësia për ta përballuar  atë me sukses. Natyrshëm që emocionet e para  për shumë minuta nuk e lejuan të fliste rrjedhshëm, me figuracione dhe krahasimet aq shumë të përdorura nga ana e tij. Momentet e kësaj pasigurie kaluan në pjesën e dytë të ndeshjes, ku shpërthimi pasonit dhe  talentit në mikrofonin sportiv ishte aspsolut, dhe shumë i natyrshëm. Kaq ka mjaftuar që radiokronisti sportiv që vinte nga rradhët e bluzave të bardha,  të niste me tërë kulturën  qytetare aventurën e  bukur  për të përcjellë tek njerëzit emocionet e ndeshjeve të futbollit. Të gjitha ditët e javës për këtë njeri, do kishin ngarkesën e tyre maksimale. Kështu  gjashtë ditë në javë ai me detyrën e mjekut dermatolog  do ishte  në shërbim të njerëzve kudo dhe në çdo kohë, kurse të dielat edhe pse jo dhe  ndonjë ditët e të ndërmjetëme  të javës, ai do t’i përkushtohej  tërsisht  sportit dhe trasmetimit  të ndeshjeve. Aq i vërtetë është ky fakt, sa që bashkëshortja  e tij  Marjeta Fico, ruan si një kujtim të veçantë këtë episod: -“Pas njohjes me Fredin në vitet e shkollës lartë në Tiranë, në  fund të gushtit 1977, jemi martuar.

Unë kam ardhur nga Korça  nuse në Gjirokastër . Plotë dy javë  pas martesës, siç ishte zakoni, na vijnë për vizitë  njerëzit e mi  nga Korça. Por dhëndërrin nuk e gjetën në shtëpi, sepse Fredi atë ditë  kishte shkuar në stadium për të trasmetuar ndeshjen. Unë u mërzita shumë, por një kushëriri im që ishte dhe tifoz, na propozoi të shkonim  të gjithë në stadium të shikonim ndeshjen dhe të takonin dhe dhëndërrin. Dhe në fakt kështu u bë. Shkuam në stadium të gjithë  dhe ishim me këmbë të mbarë sepse  fitoi “Luftëtari”.  Por këtë suprizë njerëzëve të mi Fredi ua ka kthyer disa herë, sepse sa herë  që shkonim në  Korçë, ai do ta kishte si detyrë të trasmetonte ndeshjet e futbollit për Radio –Korçën  dhe Radio-Tiranën. “Zëri tij brilant, me një tingull të veçantë dhe shumë natyror,  do  bënte për vete këdo që e dëgjonte. Me fjalën e tij të lakuar aq bukur, me  një ritëm për t’u patur zili, si  dhe me zërin  karakteristik të Frederik Ficos,  u rritën breza të tërë të futbollit gjirokastrit duke filluar nga Kalluci, Braho, Gurma, Seiti, Lamaj, Ksera, Boni, Shoni, Hysi, Ciko, Selimi, Hysi, Novi, Bellaj, Xhumba, Millo, Nora e shumë e shumë të tjerë. Në tetor të vitit 1983, në Radio-Tirana fillon emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Drejtuesi emisionit Ahmet Shqarri kujton: -“Në Gjirokastër problemin e kishim të zgjidhur, sepse kishim Fred Ficon, që pasi afroi si radiokronist dhe Piro Qiqin, krijohej mundësia të alternoheshin në trasmetim si për Radio –Gjirokastrën  ashtu dhe për Radio –Tiranën.” Vitet kalonin dhe zëri  Fred Ficos do bëhej dhe  më i  dashur për dëgjuesit  e shumtë të këtij emisioni. Kudo ku shkonte njeriu me bluzën e bardhë të mjekut, do të fitonte dhe meritonte respektin e njerëzve jo vetëm si mjek, por dhe si radiokronist  sportiv. Shumë herë i ndodhte që dikush ta njihte Fredin më shumë si njeri të sportit, se sa  atë të shërbim të  shëndetit. Gjithsesi, ai me kulturën e tij  qytetare dinte të  hynte në zemrën e çdo njeriu  si mjek i përkushtuar, por dhe njeriu i mikrofonit sportiv që përcillte emocione pa fund.

Në vitin 1999, Frederik Fico do të transferohet së bashku me familjen  me punë në Tiranë. Për shumë vite punoi  si  mjek –specialist në Poliklinikën  numër 1 të kryeqytetit, por mikrofonit sportiv nuk ju nda asnjëherë. Në fund të çdo jave do të udhëtonte drejt vendlindjes tij Gjirokastrës për të transmetuar ndeshjet e  “Luftëtarit”. Prania  e tij në kryeqytet në ato vite do t’i jepte mundësinë  të trasmentonte ndeshje futbolli  jo vetëm në Radio-Tirana, por dhe RTSH . Në vitet 2000, 2002 dhe 2004, Fred Fico do të jetë pjesë e komentatorëve sportivë që do transmetonin finalet e kampionateve evropianë dhe botërorë nga ekrani RTSH.  Komentatori njohur sportiv Vladimir Grillo kujton:-“Me njohuritë dhe përkushtimin që kishte, Fredi u përshtat shumë mirë transmetimeve nga ekrani”. Por jo vetëm kaq. Ai së bashku me moderatoren  Aulona Minga, për shumë  muaj  sollën në ekranin e RTSH një emission interesant, për  lidhjet e   mjekësisë  me  sportin. Gjithsesi, mikrofoni sportiv do të ishte një dashuri më vete, që do jepte emër dhe shumë kënaqësi Fred Ficos. Aty tek ai mikrofon ai do shfaqte me forcën e zërit tij,  talentin dhe dashurinë për sportin, duke ngjasuar  pak a shumë radiokronistit  të njohur italian Sandro Cotit. Ja si e ka komentuar Fred Fico fitoren 2 -1 të  ekipit tonë kombëtar kundër Greqisë më  4 shtator  2004: -“Një  fitore  historike kjo,  në kufijtë e lavdisë kundër kampionëve të rinj evropianë. Goli Adrian Aliajt  ishte sinfonia labe që  uli në gjunjë portierin Nikopolidis, kurse  goli shënur nga Murati  ishte  një kurorë  me dafina në kokat e shqiponjave tona”. Në  tetor të  viti 2004  Frederik Fico do të nderohet në një cermoni mbreslënëse në Prishtinë me çmimin e lartë “Anton Mazreku”. Ai do të vazhdojë edhe  pak muaj  të  tjerë me mikrofonin sportiv, sepse një sëmundje e rëndë në 2 shtator  2005, në një nga klinikat e njohura të Athinës, do ta  ndajë  nga jeta  në moshën  54 –vjeçare Frederik Ficon. Dhe të nesërmen, Gjirokastra, dhe jo  vetëm ajo, i kanë  bërë një përcjellje lamtumire të veçantë këtij njeriu që për më shumë se tre dekada ju ka shërbyer  si mjek, si radiokronist sportiv, por dhe si  qytetar  të saj, që e ka merituar plotësisht nderimin me titullin “Qytetar Nderi” . Sa herë  që kam rastin të shkoj në Gjirokastër,  do shkoj ta takoj atje Fred  Ficon,  tek ‘shtëpia e tij e përjetëshme’, ku nga mermeri ftohtë më duket se vjen zëri tij i veçantë, i bukur  dhe plot  kolorit. Është ai zë që i mungon shumë mikrofonit sportiv shqiptar!