Moisi Dalipi: Adrian Aliaj, “Simfonia Labe” e golit kuq e zi

957
Sigal

Adrian Aliaj, “simfonia labe” e golit Kuq e Zi

 

Të gjithë kur e kujtojnë atë gol të shënuar nga mbrojtësi Adrian Aliaj në ndeshjen e 4 shtatorit 2004 Shqipëri-Greqi, ndihet vërtetë mirë dhe krenar. Ishte një gol manual, me një gjuajtje të tipit brazilian nga distanca që ka ulur në gjunjë portierin grek Nikopolidis dhe Greqinë. Siç e kujtojnë të gjithë, fitorja 2-1 e skuadrës sonë kombëtare ishte edhe ndëshkimi që ka marrë Greqia që në ndeshjen e parë zyrtare pas 60 ditëve kur ishte shpallur Kampionia e Re e Evropës. Vetë Adriani kur kujton dhe sot këtë ndeshje me këtë fitore disi të veçantë ndihet shumë krenar dhe thotë: “E gjithë skuadra jonë kombëtare në atë ndeshje ka qenë jashtëzakonisht mirë. Unë isha thjesht një pjesë e saj në atë mbrëmje të veçantë”. Por në atë mbrëmje të bukur shtatori grupi i njohur polifonik i fshatit Lapardha-Vlorë ( nga është me origjinë Ardiani) do këndonte:

“Shqipëri na mori malli

na kërkon një këngë djali”.

Bukur vërtetë, sepse siç tregon dhe kronika e asaj ndeshjeje skuadra jonë kombëtare ka zhvilluar një ndeshje të bukur, rezultateve, duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët kudo që jetonin dhe punonin, veçanërisht emigrantët tanë në Greqi. Më duhet ta veçoj atë 4 shtator 2004 të përjetuar si një gazetar sportiv, të ulur diku në tribunën e shtypit të stadiumit “Qemal Stafa”. Tirana dhe jo vetëm ajo por çdo qytet dhe fshat atë ditë janë shkundur fort nga emocionet e saj ndeshjeje të paharruar. “Shqiponjat” tona zbresin nga froni zotat Olimpit”– kam shkruar në shtypin sportiv për atë mbrëmje. Dhe heronjtë ishin ata, me Foto Strakoshën, Elvin Beqirin, Lorik Canën, Besnik Hasin, Adrian Aliajn, Altin Lalën, Klodian Duron, Ervin Skelën, Ervin Muratin, Florjan Myrton, Igli Taren dhe Memet Dragushën. Golat janë shënuar nga Murati në minutën e 3`, Aliaj në minutën e 11` për kuqezinjtë dhe për grekët, Janakopulos në minutën e 38` të ndeshjes. Në krye të skuadrës trajneri gjerman Hans Peter Brigel që me skuadrën e tij fitonte ndaj Otoo Rehagelit në ‘Derbin gjerman të bankinave’. Por ajo mbrëmje do dërgonte jehonën e fitores deri në ishullin grek Zakiso ku vra nga disa tifozë vendas emigranti shqiptar Gramoz Palushi me arsyen absurde, se po festonte këtë fitore me shokët e vet me flamuj shqiptarë në duar. “Ta dija se gëzimi për atë fitore do kishte këtë ngjarje të hidhur nuk do shënoja kurrë atë gol” – thotë Adriani me sytë e përlotur. Ajo ndeshje ishte ndeshja numër 193 në historinë e ekipit tonë kombëtar dhe e 17–ta për mbrojtësin e majtë Adrian Aliaj me fanellën kuqezi. Por jo vetëm kaq, sepse goli i shënuar në këtë ndeshje kishte numrin rendor 7, nga 8 golat gjithsej që ky mbrojtës ka shënuar në 29 ndeshjet e zhvilluara me ekipin tonë kombëtar në periudhën e viteve 2002-2006. Dhe 7 golat e tjerë nga ana e tij janë shënuar në ndeshjet miqësore, dy gola ndaj Portugalisë dhe Estonisë dhe me radhë nga një gol ndaj, Suedisë, Islandës dhe Lituanisë. Një rekord më vete ky fakt në historinë e ekipit tonë kombëtar që një mbrojtës të shënojë kaq shumë gola. Dhe e veçanta qëndron në atë, se pjesa më e madhe e golave janë shënuar nga gjuajtjet standarde. Debutimin e parë me ekipin kombëtar Adrian Aliaj do ta bënte në moshën 25 vjeçare, më 13 shkurt 2002 në një ndeshje miqësore kundër Luksemburgut që është, mbyllur me rezultatin 0-0. Pas kësaj do vijnë me radhë ndeshjet e tjera ku mbrojtësi energjik me numrin 11 në fanellë do njihte vetëm rritje në shërbim të ekipit kombëtar. Ai do të jetë pjesë e skuadrës kuqezi në atë fitore historike në Shkodër me rezultati n 3-1 ndaj Rusisë, në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Euro 2004, por dhe në shumë ndeshjet të tjera jo pak të rëndësishme në ato vite. Dhe ndeshja e fundit me ekipin kombëtar për mbrojtësin Adrian Aliaj e pagëzuar si “simfonia” labe e golit kuqezi, do jetë ajo e 11 tetorit 2006 me humbjen 2-1 jashtë fushe kundër Holandës e vlefshme për kualifikueset e Euro -2008. Natyrshëm pas kësaj ekspozeje të lind dëshira të mësosh diçka më shumë për karrierën e tij sportive përveç atyre viteve, ndeshjeve dhe golave të shënuar me ekipin kombëtar.

Ai ka lindur në Vlorë, ku kaluar vitet e fëmijërisë dhe një pjesë rinisë tij. Pas shkollës 8-vjeçare, bëhet pjesë e ish-shkollës mesme ushtarake “Skënderbej”. Kjo i jep mundësinë të inkuadrohet me ekipet e moshave të Partizanit. Kur ishte vetëm 16 vjeç, në shtator të vitin 1992 , luan dhe ndeshjen e parë zyrtare me ekipin e Partizanit, në një ndeshje kampionati kundër Laçit. Për tre sezone 1992 -1995 pjesë e skuadrës kuqe të kryeqytetit ku aktivizohet si mesfushor i krahut majtë. Mosha e re dhe dëmtimet nuk e japin shansin të shpalosë më mirë vlerat e tij sportive. Kjo ishte dhe arsyeja që ende pa mbushur 20 vjeç kërkon të vazhdojë aventurën e tij sportive jashtë vendit. Dhe, së pari përzgjedh për një sezon skuadrën gjermane Hanovër -96. Në sezonet 1996-1998 aktivizohet tek Hajduk –Split dhe për të vazhduar më vonë në Belgjikë tek Stadard –Liezh, La Louvier dhe Charleroi, në Izrael tek skuadra Maccabi- Petar –Tikva, Në Gjermani tek Oberhausen, në Francë tek skuadra Brest, rikthehet për një sezon në Kroaci tek skuadra N. K. Solin dhe mbyll karrierën si futbollist në vitin 2007 në moshën 31 vjeçare me skuadrën e Arabisë Saudite Al –Nassr F.C. E pra, kështu Ardian Aliaj në karrierën e tij 15 vjeçare, ku është aktivizuar me plotë 11 ekipe futbolli ka zhvilluar 147 ndeshje dhe ka shënuar 20 gola të ndarë këto 12 gola për kampionate dhe 8 për ndeshjet e kupave. Dhe pas kësaj Adrian Aliaj që punon dhe jeton me familjen e tij prej shumë viteve në Split të Kroacisë i është përkushtuar fortë punës si menazher futbolli. Shumë futbollistë të ekipit tonë kombëtar që aktivizohen në kampionatet e ndryshme evropiane menazhohen nga studio e tij në Split. Gjithsesi, një fakt tjetër i veçantë për jetën e tij ka të bëjë dhe me atë, se djali i madh Toni Aliaj që ende nuk i ka mbushur 19 vjeç luan futboll me skuadrën sllovene N.K. Tabor –Sezana dhe ka pasaportë të dyfishtë shqiptare dhe kroate. Ai është një “fotokopje” e të atit në fushën e lojës, sepse luan si mesfushor dhe mban në fanellë numrin 11. Dëshira e tij është të luajë me ekipet kombëtare shqiptare. Dy sezone më parë ai ka qenë pjesë e ekipit të rinjve të Lacios –Itali. Specialistët e futbollit e vlerësojnë këtë djalosh të ri, që i pëlqen fort të quhet “labi i sertë”, si një futbollist me shumë të ardhme. Në këtë mënyrë “simfonia” labe e golave kuqezi ndoshta do të vazhdojë me ëmbëlsinë dhe ritmin e saj dhe me të birin e Adrian Aliaj. Kështu ëndrra kuqezi vazhdon nga ati tek i biri.

SKEDA E ADRIAN ALIAJ

Data e lindjes: 24 shtator 1976

Vendi lindjes: Vlorë –Shqipëri

Karriera në sport: Futboll në vitet 1992 -2007

Ekipet që është aktivizuar: Partizani, Hanovër 96, Hajduk-Split, Standard –Liezh, Maccabi –Petah Tikva, La Louvier, Charleroi, Oberhausen, Brest, NK Solin, Al Nassr F.C.

Roli në skuadër: Mesfushor dhe Mbrojtës

Numri në fanellë: 11

Ndeshje të zhvilluara në kampionate dhe kupa :147 ndeshje

Gola të shënuar: 20 gola

Ndeshje me ekipit kombëtar: 29 ndeshje

Gola të shënuar: 8 gola

Pozicioni aktual: Menazher futbolli